MJK: Rezoluta 2758 e OKB-së nuk mund të vihet në dyshim dhe parimi i “Një Kine” nuk mund të lëkundet
2022-10-25 21:05:36


Në përgjigje ndaj pretendimeve absurde të disa forcave në ShBA se Rezoluta 2758 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk e ka zgjidhur statusin e Tajvanit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të martën se kjo rezolutë nuk mund të vihet në dyshim dhe parimi i “Një Kine” nuk mund të lëkundet.

Foto: VCG

Sipas zëdhënësit, më 25 tetor 1971, në legjislaturën e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u miratua me shumicë dërrmuese Rezoluta 2758. Kjo rezolutë thekson qartë “rivendosjen e të gjitha të drejtave të Republikës Popullore të Kinës dhe njohjen e qeverisë së saj si e vetmja përfaqësuese e ligjshme e Kinës në OKB”, duke dëbuar “përfaqësuesin” e autoriteteve të Tajvanit nga vendi i tij i paligjshëm. Pas miratimit të rezolutës, propozimi i disa vendeve, duke përfshirë ShBA-në, për të ashtuquajturën “të drejtë të dy përfaqësimeve”, që synonte ruajtjen e vendit të Tajvanit në OKB, u hodh poshtë. 

“Rezoluta 2758 e OKB-së jo vetëm zgjidh çështjen e së drejtës së përfaqësimit të Kinës, duke përfshirë Tajvanin, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet ndërkombëtare nga ana politike, ligjore dhe proceduriale, por edhe tregon qartë se ka vetëm një vend të ligjshëm të Kinës në OKB, dhe politika e ‘Një Kine’ është bërë një konsensus i përgjithshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe normë themelore e pranuar botërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke bllokuar hapësirën e disa individëve, vendeve e forcave për të krijuar ‘dy Kina’ ose ‘një Kinë, një Tajvan’. Tajvani nuk ka bazë, arsye a të drejtë për të marrë pjesë në OKB ose në organizata të tjera ku mund të marrin pjesë vetëm vendet sovrane. Gjatë 51 vjetëve të fundit, mbi bazën e parimit të ‘Një Kine’, numri i vendeve që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën është rritur nga 60 në 181. Kjo tregon se politika e ‘Një Kine’ është konsensusi i bashkësisë ndërkombëtare e i njerëzve dhe një prirje e papërballueshme e kohës,” tha ai.

Foto: VCG

Foto: VCG

Sipas zëdhënësit, vitet e fundit disa forca në ShBA e kanë keqinterpretuar Rezolutën 2758 të OKB-së dhe kanë përhapur fjalët e gënjeshtërta që kjo rezolutë nuk e ka zgjidhur problemin e statusit të Tajvanit, duke trumbetuar të ashtuquajturën "pjesëmarrje të Tajvanit në sistemin e Kombeve të Bashkuara". Ata përpiqen të falsifikojnë parimin e “Një Kine” dhe të lejojnë e të mbështetin aktivitetet separatiste të “pavarësisë së Tajvanit”, duke shkaktuar ndikime të rënda negative për paqen e ngushticës së Tajvanit. 

“Këto veprime kundër prirjes historike patjetër do të kundërshtohen nga bashkësia ndërkombëtare dhe patjetër do të dështojnë para vendosmërisë së fortë dhe aftësisë së popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. Historia mbi gjysmëshekullore ka treguar se Rezoluta 2758 e OKB-së nuk mund të vihet në dyshim dhe parimi i ‘Një Kine’ nuk mund të lëkundet. Rrota e historisë e bashkimit të vendit dhe e përtëritjes kombëtare të Kinës do të ecë përpara dhe bashkimi i plotë i Kinës patjetër do të realizohet,” tha Wang Wenbin. (Li Huailiang/Artan)