Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së do ta drejtojë diplomacinë kineze përpara
2022-10-25 20:38:17

Zëdhënësi Wang Wenbin në konferencë për shtyp/ Ministria e Jashtme e Kinës

Zëdhënësi Wang Wenbin në konferencë për shtyp/ Ministria e Jashtme e Kinës

Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) është një mbledhje e madhe inkurajuese. Për sa u përket punëve të jashtme, kongresi bëri thirrje për të nxitur paqen e zhvillimin e botës dhe për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit, duke treguar qartë drejtimin e diplomacisë me karakteristika kineze në fazën e re, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin.

Wang vuri në dukje se në kongres u theksua që Kina këmbëngul gjithmonë në parimin e një politike të jashtme që ruan paqen botërore dhe nxit zhvillimin e përbashkët. Kina është e përkushtuar për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe ndjek një politikë të jashtme të pavarur paqësore. Kina këmbëngul në zhvillimin e bashkëpunimit miqësor me vendet e ndryshme mbi bazën e Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore dhe do të hapet më tej ndaj botës, duke ruajtur strategjinë e hapjes me përfitime të ndërsjella. Kina është e gatshme të marrë pjesë në ndërtimin dhe reformën e qeverisjes globale dhe do të nxitë zhvillimin e qeverisjes globale në një mënyrë më të arsyeshme dhe më të drejtë. Kina është e gatshme të bashkëpunojë me vendet e tjera për të promovuar vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit,  duke përfshirë paqen, zhvillimin, barazinë, drejtësinë, demokracinë dhe lirinë, dhe për të përballuar sfidat globale. Kongresi përfshiu në Statutin e PKK-së përmbajtje si nxitja e ndërtimit të një bote me paqe afatgjatë, me siguri universale, begati të përbashkët, gjithëpërfshirje, të bukur e të pastër, çka është në dobi të ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, theksoi Wang. 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze vuri në dukje më tej se në dekadën e kaluar, nën drejtimin e Mendimit të presidentit Xi për Punët e Jashtme, Kina zhvilloi diplomacinë e vendit të madh me karakteristika kineze, nxiti ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe mbrojti drejtësinë ndërkombëtare. Kina ka promovuar dhe i është përmbajtur multilateralizmit të vërtetë, ka mbajtur një qëndrim të qartë kundër hegjemonizmit e politikës së forcës dhe ka kundërshtuar çdo formë të unilateralizmit, proteksionizmit e hegjemonisë. 

“Ne kemi nxitur krijimin e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare, kemi marrë pjesë aktive në reformën dhe ndërtimin e sistemit të qeverisjes globale,  dhe kemi zhvilluar në shkallë të gjerë bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë, duke fituar vlerësim të lartë ndërkombëtar. Ndikimi ndërkombëtar, forca tërheqëse dhe fuqia formësuese e Kinës janë përmirësuar ndjeshëm,” u shpreh Wang Wenbin. (Li Huailiang/Artan)