Shpallen fituesit e konkursit “ Art në hapësirat publike “, në mes tyre dy artistë të shquar kinezë
2022-10-25 10:45:34

Vepra e artistit kinez Lio Ruowang, Wolves Coming, paraqitur ne aktivitetin Art ne hapesirat publike (Foto CMG)

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës u zhvillua aktiviteti “Art në hapësirat publike”, ku u paraqitën fituesit e konkursit për instalacionet e artistëve vendas e të huaj, që do të vendosen në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deklaroi se kjo nismë u projektua që të ishte një program i përhershëm, me artistin që të ishte në qendër të një grupi të madh bashkëpunëtorësh dhe ku merr një vlerë të shtuar. Ajo theksoi se përveç aspekteve teknike, komisioni ka vlerësuar me pikë të larta pjesën artistike të punimeve.

Sipas saj, u propozuan në fillim 18 vendndodhje dhe shumica e përqendrimeve ka qenë zona e veriut të Shqipërisë. Në fazën e parë të këtij konkursi u paraqitën 132 projekte konkurruese, një numër tejet i lartë, përtej pritshmërive, dhe komisioni përzgjodhi deri në këtë fazë 8 fitues. Mes projekteve fituese janë edhe dy artistë kinezë, Lio Ruowang me veprën e artit “Wolves Coming”, vendndodhja e të cilës do të jetë në hyrje të Koplikut, si dhe Zhang Wang me veprën “Simbiosis”, që mbetet ende për t’u përcaktuar se ku do të vendoset.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe shumë përfaqësi nga ambasadat në Tiranë të vendeve nga ka pasur paraqitje të artistëve.

Ambasadori kinez ne Shqiperi Zhou Ding ne aktivitetin “Art në hapësirat publike” (Foto CMG)

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, i pranishëm në ceremoni, gjatë një prononcimi për median shprehu kënaqësinë të merrte pjesë në këtë aktivitet dhe shprehu urime për suksesin e eventit dhe sidomos të artistëve kinezë.

“Dy vendet tona kanë një miqësi shumë të gjallë dhe kjo miqësi bazohet në miqësinë e popujve. Shkëmbimet kulturore mund të promovojnë më tej marrëdhëniet kino-shqiptare. Arti tradicional kinez përfaqëson filozofinë tradicionale kineze, ashtu sikurse vepra “Wolves Coming” përfaqëson harmoninë mes njerëzve dhe natyrës, njëkohësisht dhe artin tradicional kinez”,- tha ambasadori Zhou.  (Irma)