Kina nxit modernizimin me zhvillim cilësor
2022-10-25 17:20:42

VCG

VCG

Të shtunën u mbyll në Pekin Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës. Ky është një kongres shumë i rëndësishëm, sepse tani është periudha kyçe që Kina fillon udhëtimin e ri për ndërtimin e një vendi socialist modern dhe marshon drejt realizimit të Objektivit të Njëqindvjetorit të Dytë.

 

Në raportin e Komitetit Qendror të PKK-së, sekretari i përgjithshëm Xi Jinping vuri në dukje se, qysh nga tani, misioni thelbësor i PKK-së është që ta drejtojë popullin kinez drejt ndërtimit të një vendi të fuqishëm socialist modern dhe realizimit të Objektivit të Njëqindvjetorit të Dytë, duke nxitur në mënyrë të gjithanshme rilindjen e madhe të kombit kinez nëpërmjet modernizimit të stilit kinez.

 

VCG

VCG

Bazë e mirë ekonomike për modernizimin

 

Disa vjet më parë, “modernizimi” për kinezët ka qenë një koncept jo i qartë. Kurse tani, me zhvillimin e vet të vazhdueshëm, Kina ka një bazë të fortë për zhvillim të mëtejshëm dhe ky koncept është bërë më i qartë e është përcaktuar si objektiv kryesor i vendit.

 

Lidhur me modernizimin, duhet të shohim zhvillimin ekonomik të Kinës. Gjatë 10 viteve të kaluara, ekonomia kineze ka shënuar rritje mesatare me 6.6 % në vit. Kjo shifër është shumë e lartë se niveli botëror prej 2.6 % dhe se niveli mesatar i ekonomive në zhvillim, që ishte 3.7 %. Në këtë periudhë, kontributi i Kinës për rritjen ekonomike botërore ka arritur mbi 30 %, duke u renditur në vendin e parë të botës.

 

Një tjetër tregues i rëndësishëm janë të ardhurat e disponueshme për frymë. Të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës tregojnë që në vitin 2021, të ardhurat e disponueshme për frymë në Kinë shënuan rritje reale me 78 % në krahasim me vitin 2012. Të ardhurat e banorëve kanë pasur rritje të shpejtë dhe struktura e të ardhurave është përmirësuar pandërprerë.

 

VCG

VCG

Mjedis i mirë zhvillimi

 

Për zhvillimin ekonomik-shoqëror dhe ngritjen e vazhdueshme të nivelit të jetesës së popullit, duhet të ketë edhe një mjedis të mirë ekonomik.

 

Sipas të dhënave nga Administrata Shtetërore për Mbikëqyrjen e Tregut e Kinës, në 10 vjetët e fundit, numri i përgjithshëm i subjekteve të tregut ka shënuar rritje historike. Deri në fund të gushtit të sivjetshëm, numri i këtyre subjekteve të regjistruara në Kinë ishte 163 milionë, mbi 100 milionë më shumë se në fund të vitit 2012, me një rritje mesatare 12 % në vit. Po deri në fund të gushtit, numri i ndërmarrjeve private u shtua nga më shumë se 10 milionë në fund të 2012-s në mbi 47 milionë, çka ka nxitur fuqimisht rritjen ekonomike dhe shtimin e punësimit.

 

Vitet e fundit, renditja e mjedisit të biznesit në Kinë ka pasur një ngritje të madhe dhe Kina është bërë një nga ekonomitë me përmirësim më të madh të mjedisit të biznesit.

 

VCG

VCG

Kyçi për nisjen e modernizimit

 

Në raport është vënë në dukje që pesë vjetët e ardhshëm janë një fazë kyçe për fillimin e ndërtimit të një vendi socialist modern dhe që zhvillimi me cilësi të lartë është tema kryesore. Në pesë vjetët e ardhshëm do të integrohet në mënyrë organike zgjerimi i kërkesës së brendshme me thellimin e reformës strukturore në fushën e ofertës, do të shtohet gjallëria dhe besueshmëria e qarkullimit të brendshëm, do të rritet cilësia dhe niveli i qarkullimit të jashtëm, do të përshpejtohet ndërtimi i një ekonomie moderne, do të ngrihet produktiviteti i faktorëve të plotë, do të rritet niveli i sigurisë dhe i elasticitetit të zinxhirit industrial, do të promovohet integrimi i zonave urbane e rurale dhe zhvillimi i koordinuar mes krahinave dhe do të nxitet rritja efikase cilësore dhe rritja e arsyeshme sasiore e ekonomisë kombëtare.

 

Fushat e sipërpërmendura janë fokusi kryesor i zhvillimit cilësor dhe formojnë një tërësi organike. Me këtë temë kyçe dhe me objektivat e tjerë të përfshirë në raport, si zhvillimi i gjelbër, do të formohet një bazë e fuqishme për udhëtimin e Kinës drejt modernizimit të stilit kinez. (Jiang Lei)