Dita Ndërkombëtare e OKB, Xhaçka: Shqipëria e përkushtuar ndaj vlerave të multilateralizmit dhe rendit botëror
2022-10-25 10:43:03

Foto: Facebook MEP

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Jashtme Olta Xhaçka, në Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se rëndësia dhe kontributi i kësaj organizate në ruajtjen e paqes dhe sigurisë është i jashtëzakonshëm.

Në një status në rrjetin social Facebook, zonja Xhaçka  shkruan se Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave të multilateralizmit dhe rendit botëror të bazuar në rregulla ndërsa premton se ajo do punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të kontribuar për një OKB më të fortë dhe më efektive.

Shefja e diplomacisë shqiptare kujton se Shqipëria luan një rol të madh në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, këto të fundit të kërcënuara ndjeshëm sipas saj nga agresioni rus në Ukrainë.

Ministrja Xhaçka kujton se Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni.

"Sot më shumë se kurrë kombet duhet t’i qëndrojnë fort mbrojtjes të parimeve dhe vlerave të Kombeve të Bashkuara dhe të multilateralizmit, sepse kështu do të mund të sigurojmë të ardhmen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë" shprehet Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Jashtme Olta Xhaçka në Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara. (Fatosi)