Foto: Xinhua
Xi Jinping-u thekson zbatimin e parimeve drejtuese të kongresit të PKK-së në forcat e armatosura
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Xi Jinping i udhëzoi të hënën forcat e armatosura të studiojnë, promovojnë dhe zbatojnë parimet drejtuese të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së dhe të përpiqen të arrijnë objektivat e vendosura për njëqindvjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Në një takim me kuadrot kryesorë ushtarakë, Xi, gjithashtu president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, bëri thirrje edhe për çeljen e terrenit të ri për zhvillimin e një ushtrie të fortë.
Ai theksoi se arritja e objektivave të njëqindvjetorit është një detyrë kyçe e forcimit ushtarak të vendit në pesë vjetët e ardhshme, duke bërë thirrje për përpjekje të gjithanshme për arritjen e këtyre objektivave.
Xi Jinping-u i kërkoi ushtrisë të përvetësojë dhe të zbatojë frymën e Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, duke vënë plotësisht në jetë mendimin e Partisë mbi forcimin e ushtrisë në epokën e re dhe duke përmbushur misionet dhe detyrat për arritjen e objektivave për njëqindvjetorin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore më 2027.
Ai theksoi se gjatë pesë vjetëve të fundit, Komisioni Qendror Ushtarak ka marrë masa të gjithanshme për të forcuar besnikërinë politike të forcave të armatosura, për t'i fuqizuar ato nëpërmjet reformave e teknologjisë dhe përgatitjes së personelit kompetent dhe për t'i drejtuar në përputhje me ligjin.
Komisioni ka mbështetur udhëheqjen absolute të Partisë mbi forcat e armatosura, ka krijuar risi në strategjinë ushtarake, ka nxitur stërvitjen dhe gatishmërinë e gjithanshme ushtarake, si dhe ka bërë përpjekje të vendosura për të përmirësuar sjelljen, për të zbatuar disiplinën dhe për të luftuar korrupsionin në ushtri.
Xi e vlerësoi Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së si një sukses, duke thënë se studimi dhe zbatimi i frymës së kongresit është detyra kryesore për Partinë, vendin dhe ushtrinë sot dhe në vitet e ardhshme.
Ai u kërkoi oficerëve dhe ushtarëve të mësojnë nga raporti i Kongresit dhe statuti i Partisë, në mënyrë që të orientohen më mirë në punën e tyre.
Presidenti u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve të Komisionit Qendror Ushtarak, të zgjedhur në plenumin e parë të Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së, të jenë të ndërgjegjshëm për besimin e dhënë nga Partia e populli e për shpresat e të gjithë pjesëtarëve të forcave të armatosura, dhe të bëjnë të tëra përpjekjet në punën e tyre.
Kina ka formuluar një strategji zhvillimi prej tre hapash për modernizimin e mbrojtjes kombëtare dhe forcave të armatosura, që përfshin arritjen e objektivave për njëqindvjetorin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore deri në vitin 2027, realizimin në thelb të modernizimit të mbrojtjes kombëtare dhe forcave të armatosura deri më 2035 dhe kthimin e plotë të forcave të armatosura në forca të klasit botëror deri në mes të shekullit të 21-të.
Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së i sapopërfunduar ka theksuar se arritja e objektivave për njëqindvjetorin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore deri më 2027 dhe ngritja më e shpejtë e forcave të armatosura popullore në standardet e klasit botëror janë detyra strategjike për ndërtimin e një vendi socialist modern në të gjitha aspektet.
