Anëtarët e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik mblidhen për të promovuar integrimin ekonomik
2022-10-24 11:15:42

Në kryeqytetin armen, Jerevan, pesë vendet anëtare të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EEU) u zotuan të rrisin bashkëpunimin e tyre ekonomik në fusha të ndryshme, njofton “CGTN”.

Takimi dyditor i Këshillit Ndërqeveritar Euroaziatik,  mblodhi së bashku kryeministrat e pesë shteteve post-sovjetike, duke përfshirë Armeninë, Rusinë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Kirgistanin. Pjesëmarrësit arritën disa marrëveshje në fushat e bujqësisë, energjisë dhe tregtisë elektronike, njoftoi media lokale “Armenpress”.

Gjatë seancës, mes kryeministrave u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me formimin e një tregu të përbashkët të gazit natyror, uljen e mëtejshme të doganave dhe nxitjen e integrimit më të ngushtë ekonomik.

Pavarësisht tensionit politik global dhe ekonomisë së dobët, EEU po zbaton vazhdimisht axhendën e integrimit, duke thelluar bashkëpunimin mes vendeve anëtare, tha Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë, sipas raportit lokal.

Kryeministri rus Mikhail Mishustin tha në takim se vëllimi i tregtisë midis vendeve të unionit tejkaloi 73 miliardë dollarë në vitin 2021, 33 për qind më shumë se një vit më parë.

Sesioni i ardhshëm i Këshillit Ndërqeveritar Euroaziatik do të zhvillohet në Almaty, Kazakistan, në fillim të vitit 2023. (Fatosi)