23 tetori shënoi ditën e lindjes së poetit të madh kombëtar Gjergj Fishta. 151 vite na ndajmë nga lindja e poetit, i cili konsiderohet si një ndër njerëzit me më shumë ndikim në kulturën dhe atdhetarinë shqiptare.
Gjergj Fishta- foto Radi and Radi
Ashtu si këngët e famshme tek “Lahuta e malcisë”, në kohën kur u krijuan, kalonin gojë me gojë, po ashtu emri i poetit të madh, vijon të jetë prezent në mendimin dhe tharmin tonë kulturor.
Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë, a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Janë vargjet e poezisë “Hymni i flamurit”, të Gjergj Fishtës, të cilat të kompozuara nga kompozitori Lec Kurti, arritën të shndërrohen në vargje zemre për shqiptarët, duke dëshmuar se sa fort arriti Fishta të prekë ndjenjat atdhedashëse të shqiptarëve. Në interpretimin e korit të Kishës Françeskane në Shkodër, idhtar i të cilës ishte Gjergj Fishta, po e sjellim në rubrikën tonë, si kujtesë, nderim dhe mirënjohje për poetin atdhetar në përvjetorin e tij të lindjes.
At Gjer Fishta ne biblioteke duke punuar mes librash- foto Lidhja e Prizrenit
Gjergj Fishta, lindi më23 tetor të vitit 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës. Ndërmjet dy datave më të rëndësishme të jetës: lindjes e vdekjes (30 dhjetor 1940), midis historisë poezisë dhe fesë, ai bëri aq, sa rrallë herë ka bërë kush për Shqipërinë.
Gjergj Fishta ishte nga ata intelektualë që pas dekadës së dytë të shek. XX iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar, poet, dramaturg e prozator, por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”.
Gjergj Fishta, i këndoi atdheut, bashkimit të kombit, heronjve kombëtar, gjuhës shqipe. Me vargjet e tij, poeti është gjithnjë e më shumë prezent, jo vetëm në tekstet e shkollave, por edhe në mbrëmjet poetike. Të shumtë janë aktorët që e kanë recituar atë dhe janë frymëzuar prej tij. Të tillë janë edhe aktorët Roza Anagnositi, Mirush Kabashi dhe Reshat Arbana:
(fragment) Gjuha shqype
Porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi- foto konica.al
(fragment) Lamtumirë, vendet e mija
Lamtumirë vendet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë,
Gjëmon deti ushton duhija,
Lkundet varka valë mbi valë.
Kah njaj Diell që asht tuj flakrue,
Andej fill un tash do t’veta,
Lamtumirë atdhe i bekuem,
Lamtumirë për sa të jetë jeta!
Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e Diellit ka me ra,
Kush e di sa ujë e dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?
Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
S’ka me më fol kush ma mue t’shkeretit
Nga e majta ne te djathte, poshte, Gjergj Fishta dhe Asdreni, siper, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi
(fragment) Shqypnia e Lirë
M’kambë, pra, nipa t’Gjergj Kastriotit,
Me lidhë besë e armët me njeshë!
Kem’ nji Atdhe edhe na n’ditë t’sotit:
Kem’ Shqypnin na Rregjineshë,
Për Shqypni na të jetojm;
Gjallë Shqypnin na mos t’a lshojm:
N’mend t’a kem për jetë e mot.
Po, por ndolli se vjen dita,
Qi me faj Shqypnin e darni,
Qi e Liris u erret drita
Edhe me t’huej Atdhen e mvarni
A për pare a marrí tjera,
Si ndër kohë, qi shkuen, atëhera,
U marroftë i Madhi Zot!
Shtepia muze e Fishtes ne Fishte- foto Intoalbania
Të flasësh për Fishtën dhe veprën e tij, duhen shumë fjalë, shumë kohë, shumë mahnitje, shumë kureshtje, shumë gërmime, shumë dëshmi… Vetëm bibliografia e veprës së tij përfshin me qindra tituj, që shtohen çdo ditë…
At Gjergj Fishta ishte kryetar i komisionit në Kongresin e Manastirit më 1908, që miratoi alfabetin të cilin përdorim edhe sot. Ishte përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj, sekretar i delegacionit. Në fund të vitit 1920, Shkodra e zgjodhi deputet të saj në parlamentin shqiptar. Pas vendosjes së regjimit të Zogut, Fishta u vetëëmërgua në Itali në vitin 1925 -1926, para se se të rifillonte punën si mësues, poet dhe shkrimtar në Shkodër. Fishta ishte redaktor i revistës “Hylli i Dritës” më 1913 dhe gazetës “Posta e Shypnisë” në vitet 1916 - 1917. At Gjergj Fisha ishte gjithashtu shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi.
Lahuta e Malcis, vepra me e rendesishme e Fishtes - foto memorie.al
Ndonëse Gjergj Fishta është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, “Lahuta e malcís”. Me “Lahutën e Malcís”, sa ishte gjallë u pagëzua “epiku më i madh i shekullit”, duke ndërtuar eposin shqiptar të shekullit 20. Me veprat satirike “Anzat e Parnasit” e “Gomari i Babatasit” u bë satiriku më i njohur i letërsisë shqipe. Ndërsa me dy librat e lirikave “Mrizi i Zanavet” e “Vallja e Parrizit” ushqeu shqipatrët me dashurinë, revoltën, dhimbjen për atdheun, për të kurorëzuar tematikën e vet në formulën e përsëritur “Atme e Fé”.
Padër Gjergj Fishta vdiq në Shkodër, më 30 dhjetor 1940, në spitalin civil të qytetit. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë, në kishën françeskane të Gjuhadolit. Fjala e fundit u mbajt nga prof. Aleksandër Xhuvani.
Neritana Kraja