“Për të kuptuar Kinën e sotme, duhet kuptuar Partia Komuniste e Kinës”, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës, pas mbylljes të shtunën të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës. Ky Kongres, vijon komenti, ka përcaktuar drejtimin e ecjes përpara dhe përbën një udhëzues veprimi për Kinën në epokën e re dhe në rrugëtimin e ri për të arritur Objektivin e saj të 100-vjetorit të Dytë, duke i dhënë edhe botës një mundësi të mirë për të kuptuar qeverisjen e PKK-së.
Foto nga VCG
Ndër të tjera, "modernizimi i stilit kinez" apo “rruga kineze e modernizimit” ka tërhequr vëmendjen e madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë. Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping u tha gazetarëve kinezë dhe të huaj të shtunën se modernizimi i stilit kinez është rezultat i praktikës dhe eksplorimit afatgjatë nga Partia Komuniste e Kinës dhe e popullit kinez dhe është një veprim i madh dhe i mundimshëm. Arsyeja pse modernizimi i stilit kinez është "i madh dhe i mundimshëm" është se Kina jo vetëm dëshiron që më shumë se 1.4 miliardë banorë të saj të modernizohen në tërësi, por gjithashtu të realizojë begatinë e përbashkët për të gjithë njerëzit, harmoninë midis qytetërimit material dhe qytetërimit shpirtëror, bashkëjetesën harmonike midis njerëzve dhe natyrës dhe ndjekjen e një rruge të zhvillimit paqësor, vijon komenti.
Foto nga VCG
Shumë reporterë të mediave të huaja kanë vënë re se delegatët e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës ishin nga të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë astronautë, drejtues autobusësh, punonjës të shkencës e teknologjisë dhe mësues fshati. Nuk është e vështirë të shihet nga kjo se Partia Komuniste e Kinës e ka konsoliduar gjithmonë themelin e saj qeverisës në bazë.
Në fjalimin e tij për gazetarët kinezë dhe të huaj, Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping theksoi gjithashtu se Kina ka promovuar gjithmonë vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit dhe ka vazhduar të nxitë ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Ai u shpreh se dera e hapur e Kinës do të hapet më tej dhe se Kina do të krijojë më shumë mundësi për botën me zhvillimin e vet.
Foto nga VCG
Kina nuk mund të zhvillohet pa botën, dhe bota gjithashtu ka nevojë për Kinën. Duke marrë si shembull ekonominë, Kina ka epërsinë e një tregu super të madh, të një sistemi e zinxhiri të plotë industrial dhe të një infrastrukture gjithnjë e më moderne. Nga janari në gusht të këtij viti, Kina tërhoqi 892.74 miliardë juanë investime të huaja, me një rritje 16.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës theksoi se është e nevojshme të përshpejtohet ndërtimi i një modeli të ri zhvillimi me qarkullimin e brendshëm si bosht kryesor dhe me nxitjen e ndërsjellë të qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Ndërtimi i një sistemi të ekonomisë socialiste të tregut të nivelit të lartë dhe promovimi i hapjes së nivelit të lartë do të ofrojnë një hapësirë më të gjerë për zhvillimin e ndërmarrjeve të ndryshme.
Ronnie Lins, drejtor i Qendrës Braziliane për Studimet e Kinës, komentoi se Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës "është një mbledhje historike", që do ta udhëheqë popullin kinez të vazhdojë modernizimin e stilit kinez, të arrijë zhvillime të reja në rrugën e përparimit dhe t’i sjellë në botës mundësi të reja. Alistair Michie, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Britanik të Azisë Lindore, vuri në dukje se raporti i Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës theksoi promovimin e ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Ai beson se ky koncept "ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e përfitimeve të përbashkëta për të gjithë njerëzimin dhe i ka treguar njerëzimit një rrugë për të përballuar bashkërisht sfidat globale dhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm."