Ejup Deari, artisti që ka ekspozuar veprat e tij në shumë vende të botës
2022-10-24 10:14:01

Ejup Deari ka lindur në Maqedoninë e Veriut,  por tani jeton dhe punon në qytetin e Roterdamit të Holandës. Ai ka prekur disa zhanre të artit figurativ si dizajn grafik, shtyp grafik, pikturë, skulpturë, instalacion, fotografi, art me materiale të ricikluara, etj. Ejupi është i gjithanshëm dhe krijues me një angazhim të thellë me mjedisin. Në studion e tij të artit “DEARIART”, ai eksperimenton në teknika të ndryshme të artit inovativ. Artisti po zhvillon dhe krijon një teknikë tjetër arti, duke përdorur materiale të ricikluara si letër, plastikë, alumini e shumë të tjera. Ka ekspozuar në shumë vende të botës, duke u vlerësuar dhe me çmime. Së fundi disa nga veprat e tij janë ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për arritjet e tij në fushën e artit si dhe projektet në vazhdim. 

Ejup Deari ne posterin e ekspozites te  Muzeut te Luvrit (Foto personale)

Ejup Deari ne posterin e ekspozites te  Muzeut te Luvrit (Foto personale)

CMG: Pasioni për pikturën ka qenë një ëndërr që nga fëmijëria juaj?

Ejup Deari: Në të vërtetë unë hapat e para i kam filluar në sculpture. Që fëmijë kam lozur me baltë, kam krijuar figura prej balte. Pastaj dalëngadalë në moshën 7 vjeçare kam filluar edhe të vizatoj me stilolapsa që i gjeja nëpër dhomë. Kështu që kam filluar shkallë pas shkalle të merrem edhe me zhanre të tjera të artit, por si fillim e kam nisur me skulpturën.

CMG: Cilat nga veprat e realizuara ndër vite keni më përzemër dhe pse?

Ejup Deari: Unë më përzemër kam veprën “Dashuria është fuqi” për arsye se kur ishte periudha e pandemisë dhe ne ishim të gjithë të ngujuar dhe konfuzë dhe të gjithë na thonin të jetonim në një distancë, pra ishim larg njëri- tjetrit. Mes kësaj distance dhe mes këtij vakumi ekzistonte ndjenja për të pasur më shumë dashuri, për të pasur më shumë afërsi në atë vetmi. Për këtë arsye, këtë vepër e kam titulluar “Dashuria është fuqi” se dashuria për mendimin tim është triumf mbi triumfin. Një njeri që ka dashuri i ka të gjitha dhe gjithmonë triumfon dhe është fitues mbi të gjitha sfidat dhe peripecitë që i dalin përpara në jetë.

Veper e Ejup Deari (Foto personale)

Veper e Ejup Deari (Foto personale)

CMG: A ka qenë koha e pandemisë gjatë karantinës frymëzim në kreativitetin tuaj në art?

Ejup Deari: Në kohën e pandemisë unë jam munduar ta paraqes përmes artit tim pozitivitetin e njeriut në atë situatë konfuze dhe depresive. Jam munduar të kërkoj gjatë kohës së pandemisë diçka pozitive, si për shembull koha e pandemisë përveç vetive negative kishte dhe diçka pozitive. Njeriu filloi një ngujim, që ta pyeste veten se kush jam unë sepse në kohën normale nuk ka pasur kohë se ka qenë i angazhuar me punë ose me obligime të tjera. Në periudhën e pandemisë ju dha njeriut mundësia që ta njohë dhe ta pyesë veten se kush është, çfarë donte të japë më shumë prej vetes. Në atë kohë njeriu pati më shumë mundësi që ta njohë edhe familjen e vet, ta njohë çfarë është më e rëndësishme edhe natyrën ku jeton. Gjithkush prej kësaj jete dinamike ka pasur mundësi që t’i shohë të gjitha skajet e shtëpisë së vet dhe të gjitha gjërat që ka në shtëpi. Kjo ka qenë një anë pozitiviteti për mendimin tim. Këtë pozitivitet unë jam munduar që ta shfaq në veprat e mia.

Veper e artistit Ejup Deari (Foto personale)

Veper e artistit Ejup Deari (Foto personale)

CMG: Sa vite keni që jetoni në Holandë dhe si keni shkuar atje?

Ejup Deari: Unë kam gati 14 vite që jetoj në Holandë  dhe kam ardhur këtu përmes një konkursi arti që fitova. Kur përfundova studimet në Maqedoninë e Veriut kërkoja punë si çdo i diplomuar dhe nuk arrija të gjeja një punë. Konkurova rastësisht sepse pashë në internet një konkurs arti, e fitova atë konkurs dhe erdha në Holandë. Pastaj këtu u njoha me bashkëshorten time, krijova familjen dhe që atëhere ] jetoj në qytetin e Roterdamit, një qytet port, i rrethuar me shumë ujëra, një qytet modern për nga arkitektura.

CMG: Në cilat vende keni ekspozuar veprat tuaja dhe cilat kanë qenë përshtypjet e vizitorëve në ekspozitat që ju keni hapur?

Ejup Deari: Unë kam ekspozuar në shumë vende të botës, duke filluar nga Holanda ku jetoj në qytetet e Roterdamit, Hagës e të tjera. Gjithashtu kam ekspozuar në disa qytete të Koresë së Jugut, po ashtu shumë vepra të miat janë ekspozuar nëpër muzeume të Koresë së Jugut. Kam ekspozuar edhe në Turqi, ku në komunën e Gazi Pashës kam disa vepra si koleksion arti të asaj komune. Pastaj kam ekspozuar në Paris, disa herë në Varshavë dhe disa qytete të tjera të Polonisë. Kam qenë me ekspozitë në Indi dhe në Londër ku në një konkurs arrita të nominohem dhe të marr çmimin e tretë. Përshtypjet e vizitorëve kanë qenë një kritikë pozitive, pasi arti im nuk është art dekorativ dhe i zakonshëm, por është art i cili bëhet me materiale të ricikluara. Unë ricikloj letrën, plastikën, aluminin dhe disa mbetje të tjera, duke u munduar që përmes mbetjeve të krijojmë art, duke i dhënë edhe mbetjes njëfarë vlere. Nga vizitorët kam marrë shumë kritika pozitive dhe kam një axhendë të mbushur për të ekspozuar në të ardhmen.

Pikture nga Ejup Deari (Foto personale)

Pikture nga Ejup Deari (Foto personale)

CMG:  Mund të rrini dot pa pikturuar?

Ejup Deari: Të rrish pa pikturuar është për një artist si të rrish pa bërë art, është si t’i thuash dikujt a mund të rrish pa folur. Mënyra ime e komunikimit dhe e shprehjes është tek piktura, grafika, skulptura, instalacioni dhe zhanre të tjera të artit. Një artist nuk besoj se mund të rrijë pa krijuar, se të pyesësh një artist ose një poet “a mund të rrish pa shkruar ose pa piktuaruar” është e njëjtë si të rrish pa folur.

CMG: Mendoni për fitimin kur pikturoni?

Ejup Deari: Për mendimin tim fitim është dhe të pikturosh sepse jo gjithçka në këtë botë është pare. Unë mendoj se gjërat më me vlerë janë ata të cilat nuk blehen me pare, siç është dhe inspirimi, kënaqësia me atë që ke, siç është një fjalë e mirë apo një kritikë pozitive, siç është një arritje. Këto janë gjërat të cilat nuk blihen me pare, dhe mendoj se është pasuri për njeriun në përgjithësi dhe sidomos për artistin. Nëse një artist i qaset punës si duhet dhe jep më të mirën nga vetja, vetë puna e shpërblen.

Pikture nga Ejup Deari (Foto personale)

Pikture nga Ejup Deari (Foto personale)

CMG: Si arritët që veprat tuaja të ekspozohen në Muzeun e Luvrit në Paris?

Ejup Deari: Një shoqatë kulturore ACCES për bashkëpunim ndërkulturor në Paris të Francës kishte shpallur një konkurs për artistët, të cilët do sjellin vepra më inovative dhe kreative dhe do të pranoheshin në atë konkurs. Unë konkurova me artin tim të ricikluar, ku dërgova 17 vepra në teknikën e skulpturës dhe pikturës së ricikluar dhe tre nga ato vepra u pranuan. Kjo ekspozitë ka po ashtu qëllim human, ku të ardhurat e kësaj ekspozite nga gjithë artistët e botës që do të ekspozojnë atje do ti shkojnë fëmijëve në Filipine dhe Uganda për zhvillimin kulturor dhe për ndihmë që atë të zhvillohen dhe në mënyrë edukative apo arsimore.

CMG: Mendoni se kjo është një nga arritjet më të mëdha në karrierën tuaj?

Ejup Deari: Kjo është për momentin një arritje shumë e madhe, por unë nuk mendoj të ndalem këtu. Synimet e mia janë shumë të mëdha dhe mendoj që në të ardhmen në viset shqiptare të sjell frutat që kam vjelur nëpër botë dhe të zhvilloj të krijoj art inovativ edhe atje.

CMG: Çfarë mendoni për frymëzimin dhe kritikën?

Ejup Deari: Unë mendoj se frymëzimi është ngacmim emocional, pra çdo gjë që të ngacmon syrin apo ta prek ndjenjën është diçka pozitive. Ndërsa kritika është ajo e cila e bën të rritet vlera e artit. Nëse ka kritikë të mirëfilltë qoftë pozitive apo qortuese, atëhere ke se çfarë të shohësh dhe të presësh nga arti i një kombi apo nga arti i një shoqërie. Nëse nuk ke kritikë të mirëfilltë, atëhere nuk ke dhe art të mirëfilltë. Pra nuk duhet kritikë që tja bëjmë qejfin njëri tjetrit, por të ketë vlerësim real.

Ejup Deari ne nje artikull te nje reviste te huaj (Foto perosonale)

Ejup Deari ne nje artikull te nje reviste te huaj (Foto perosonale)

CMG: Çfarë projektesh të tjera keni në vazhdim?

Ejup Deari: Siç e përmenda dhe më lart, unë kam dhe shumë projekte por për momentin jam i zënë me ekspozita, ku kam dhe një ekspozitë tjetër në Paris para Luvrit. Pastaj kam një ekspozitë, ku jam pranuar në Luksemburg për çmimin kombëtar ku do konkuroj në dy kompeticione. Pastaj kam ndërmend të realizoj një ekspozitë të madhe personale dhe ta sjell para artdashësve, e cila do të jetë dhe një turne sepse do të shkoj nëpër qytete të ndryshme të Evropës. Gjithashtu kam në plan që në trojet shqiptare të sjell një ekspozitë ku do mundohem të krijoj bashkëpunim edhe me artistët atje.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj artistik.

Ejup Deari: Unë ju falenderoj shumë për këtë intervistë dhe jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia që të prezantohem para publikut shqiptar. Unë ju dëshiroj shumë shëndet, suksese dhe vazhdoni të promovoni art të mirëfilltë në valët e radios tuaj.

Intervistoi: Gazmend Agaj