Presidenti kinez Xi Jinping në raportin e punës mbajtur në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së, ka theksuar se “detyra kryesore e Kinës do të jetë ta udhëheqë popullin kinez e të gjitha kombësive në përpjekjet e përbashkëta për të realizuar Objektivin e Njëqindvjetorit të Dytë të kthimit të Kinës në një vend të madh socialist modern në të gjitha aspektet dhe për të nxitur përtëritjen e kombit kinez në të gjitha frontet nëpërmjet rrugës kineze të modernizimit”.
nga VCG
Nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme, Kina ka zhdukur varfërinë absolute dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në kauzën globale të zhdukjes së varfërisë. Vetëm në dekadën e fundit nga viti 2012, rreth 100 milionë njerëz janë nxjerrë nga varfëria. Nxjerrja nga varfërisë nuk është vija e fundit, por pika e fillimit të një jete të re dhe përpjekjeve të reja, duke kërkuar më shumë përpjekje për të konsoliduar dhe zgjeruar arritjet e vendit në zbutjen e varfërisë. Sfida e vendit do të jetë vendosja e një kufiri të ri të nivelit të varfërisë, si dhe përpjekjet për të konsoliduar rezultatet e zbutjes së varfërisë dhe për të parandaluar në mënyrë efektive që njerëzit të bien përsëri në varfëri. Kina ka përfunduar ndërtimin e një shoqërie mesatarisht të prosperuar në të gjitha aspektet, duke përfunduar kështu Objektivin e Parë të Njëqindvjetorit.
Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës së Kinës dhe kalkulimet e autorit
Përmirësimi i mirëqenies së njerëzve ka qenë parimi themelor i qeverisjes, ka qenë jo vetëm zhdukja e varfërisë, por dhe rritja e vazhdueshme e të ardhurave për popullsinë duke synuar në zvogëlimin e hendekut të të ardhurave ndërmjet popullsisë urbane dhe asaj rurale. Në fund të vitit 2021 të ardhurat e disponueshme për banorë në zonat urbane kanë arritur në 47 412 Yuan nga 24 565 Yuan në vitin 2012, duke u rritur rreth dy herë, ndërsa në zonat rurale në 18 931 Yuan nga 7 917 Yuan në vitin 2012, duke u rritur mbi 2.4 herë.
Në fund të vitit 2021 numri i të punësuarve në zonat urbane arriti në 467.7 milion, nga 371.0 milion në vitin 2012, duke përbërë rreth 62.7 për qind të totalit të punonjësve. Në fund të vitit 2021 përqindja e banorëve të përhershëm në zonat urbane ka arritur në 64.7 për qind të popullsisë, nga 53.0% në vitin 2012.
Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikave të Kinës dhe kalkulimet nga autori
Kina ka promovuar zhvillim me cilësi të lartë dhe fuqia e saj ekonomike ka arritur një nivel të lartë. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga 54 trilion Yuan në 2012 në 114 trilion juanë në 2021, ose në rreth 17.5 trillion USD. Prodhimi i brendshëm bruto i Kinës në vitin 2012 ishte 8 539 miliard USD dhe i SHBA në 16 253 miliard USD. Në vitin 2021 prodhimi i brendshëm bruto ka arritur në 17 458 miliard USD dhe i SHBA në 22 997 miliard USD. Ndërsa në vitin 2012 prodhimi i brendshëm bruto i Kinës përbënte rreth 53% të prodhimit të SHBA, në vitin 2021 ka arritur në 76%, dhe në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 94%. Në vitin 2021 ekonomia e Kinës është e dyta më e madhe në botë mbas asaj të SHBA, duke tejkaluar prodhimin e Unionit Europian.
Sipas vlerësimeve të fundit të FMN-së, prodhimi i brendshëm bruto i Kinës në vitin 2027 do të arrijë 29 129 miliardë $ amerikanë, i SHBA do të arrijë në 30 967 miliardë $ amerikanë dhe i Unionit Europian në 21 972 miliardë $ amerikanë. Në vitin 2012 Kina përbënte 11.4% të prodhimit botëror, ndërsa në vitin 2021 ka arritur në 18.1%, dhe në vitin 2027 ky kontribut parashikohet të arrijë në 21.3%. Pas dekadave të rritjes me shpejtësi të lartë, qeveria aktualisht po përqendrohet në rritjen cilësore të ekonomisë.
Kina është bërë një partner i madh tregtar për mbi 140 vende dhe rajone, duke udhëhequr botën në vëllimin e përgjithshëm të tregtisë së mallrave. Vendi gjithashtu i është përmbajtur globalizimit ekonomik, ka promovuar liberalizimin e tregtisë dhe investimeve dhe ka zbatuar një strategji më proaktive të hapjes së vendit. Rritja e tregtisë ndërkombëtare dhe stoku i investimeve të huaja ka kontribuar që ekonomia e vendit të jetë më e integruar me pjesën tjetër të botës. Duke përfshirë dhe iniciativën e rrjetit të vendeve të rrugës së mëndafshtë, Kina është shëndruar në një kontribues të madh në tregtinë dhe stokun e investimeve në rang global.
Në vitin 2020 Kina zë vendin e parë në botë të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve. Importi dhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve në vitin 2020 kanë arritur në 5 309 155 miliard USD, ndërsa në SHBA në 5 005 081 USD. Dhe në nivelin e eksporteve dhe importeve të mallrave Kina zë vendin e parë. Eksportet dhe importet e mallrave llogariten në 4 647 438 miliardë USD me një suficit tregtar prej 533 004 miliardë dollarë amerikanë. Eksportet dhe importet e mallrave të SHBA llogariten në 3 839 137 miliard USD me një deficit tregtar në 975 917 miliard USD.
Burimi : UNCTAD dhe kalkulimet e autorit
Sipas të dhënave të UNCTAD për vitin 2020, Kina zë vendin e dytë në botë për nivelin e Investimeve të huaja brenda vendit, dhe vendin e parë në botë për Investimet e huaja jashtë vendit. Kina është bërë një nga destinacionet më të rëndësishme për flukset e investimeve të huaja në botë duke u shndërruar në një nga ekonomitë më të mëdha pritëse të investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit. Objektivi është përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë dhe strukturës së IHD-ve nisur nga avantazhet që ofron Kina për investimet e huaja. Investimet në rritje në shërbimet dhe në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kryesisht të bazuara në rajonet bregdetare, janë një tregues se Kina po perceptohet si një treg në të cilin kërkesa për mallra dhe shërbime me cilësi të lartë po rritet
Burimi : UNCTAD dhe kalkulimet e autorit
Presidenti Xi ka përcaktuar objektivat e përgjithshme të zhvillimit të Kinës për vitin 2035, të cilat përfshijnë rritjen e konsiderueshme të PBB-së për frymë në të njëjtin nivel me atë të një vendi të zhvilluar të nivelit të mesëm. Synimi do të jetë të realizohet në thelb modernizimi socialist në periudhën e viteve nga 2020 deri më 2035 dhe ta shndërrojë Kinën në një vend të madh socialist modern të begatë, të fortë, demokratik, të përparuar nga ana kulturore, harmonik dhe të bukur nga viti 2035 deri në mes të këtij shekulli.
Prof.Dr.Petraq Milo