Partia Komuniste e Kinës mbajti kongresin e saj të 20-të. Kongreset janë forma tradicionale e pas revolucionit kinez të vitit 1949 e ndërtimit të politikave të brendshme e të jashtme të Republikës Popullore të Kinës. Përmes vendimeve të kongreseve ndërtohen më tej politikat e qeverisjes dhe zgjidhen edhe udhëheqësit e partisë e të shtetit kinez. Ndonëse në Kongresin e Popullit (Asamblenë e Kinës) përfaqësohen edhe disa organizata të tjera politike, Partia Komuniste ruan primatin absolut të saj në qeverisjen e vendit. Presidenti Xi Jinping u rikonfirmua si president i Partisë Komuniste në pushtet. U zgjodh gjithashtu byroja politike prej 25 anëtarësh dhe kësisoj vendi do të ketë një vazhdimësi politike si edhe në të shkuarën.
Xi Jinping udhëheq vendin që prej dhjetë vitesh. Zgjedhja e tij në krye të Partisë Komuniste I dha Kinës emrin e një epoke të re. Kjo epokë duket se do të vazhdojë edhe më tej. Përfaqësimi i shtetit nga presidenti Jinping është cilësuar në mediat e ndryshme me nota të ndryshme vlerësimi e gjykimi. Por bota, përfshirë dhe Europën dhe SHBA-të, duket se ishin më pak të shqetësuar nga kjo zgjedhje, sesa do të ishin në rastin e një ndryshimi të lidershipit kinez. Ndryshimet vlerësohen si pozitive, por ato bartin me vete edhe të panjohurat. Dhe në rastin e ndryshimeve në Republikën Popullore të Kinës frika nga e panjohura se çfarë do të vinte më pas, do të ishte e përmasave të papara!
Interesi ndërkombëtar ishte vazhdimësia e lidershipit kinez. Në fund të fundit me këtë lidership bota është mësuar të shohë një lloj stabiliteti makro në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nga viti 2012 e deri më sot Republika Popullore e Kinës nën presidentin Xi nuk ka shkaktuar asnjë lloj çrregullimi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe tensionet për Tajvanin unë i shoh më shumë si produkt i provokimeve, sesa të një politike të ndryshimit me dhunë të hartës politike.
Mediet u përqendruan në lajmet e tyre pikërisht te çështja e Tajvanit. Por Kongresi konfirmoi dhe presidenti Jinping theksoi se “Kina nuk do të synojë kurrë hegjemoni ose ekspansion"! Do të ishte naivitet të mendoje që Pekini nuk synon bashkimin e Tajvanit me pjesën tjetër të vendit. Megjithatë theksi për të mos synuar hegjemoninë dhe ekspansionin është garancia se asgjë nuk do të ndodhë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. A mund të ndodhë bashkimi i Tajvanit me Kinën në mënyrë paqësore?! Rasti i Hong Kongut na bën me dije se kjo është plotësisht e mundur. A është e drejta e të dy pjesëve të të njëjtit komb të vendosin për këtë?! Sigurisht që një marrëveshje ku respektohet e drejta e pakicës nga ana e shumicës, pra ku Kina angazhohet të respektojë të drejtën e Tajvanit, mund të çojë natyrshëm në bashkimin e të dy pjesëve të kombit kinez.
E rëndësishme për botën demokratike e jo demokratike është që Republika Popullore e Kinës të angazhohet për stabilitet dhe respektim të rregullit e rendit ndërkombëtar. Pikërisht këtë gjë rikonfirmoi në respekt të traditës kineze Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Kinës. Duke ditur se kongreset e kësaj partie përcaktojnë linjat e politikës së jashtme të vendit, atëherë gjithkush e ka të qartë se politika e Pekinit në të ardhmen nuk do të lëvizë nga linjat e mëparshme. Por duhet besuar fort se ky është gjithashtu interesi i shtetit dhe i kombit kinez. Faktorizimi i Republikës Popullore të Kinës si një vend që prodhon paqe, stabilitet, siguri dhe rregull në botën e sotme ishte lajmi kryesor i Kongresit të 20-të!.
Në kushtet e ngritjes së Kinës në një Fuqi Globale kjo politikë merr rëndësi të posaçme. Garancia se një fuqi e tillë e madhe, cilado qoftë ajo, lufton dhe mbron rendin botëror që kemi, është hapi më i rëndësishëm për të ndërtuar një botë të lirë e të paqme. Nuk janë popujt e e kombet e vogla ato që cenojnë rendin botëror. Ish-presidenti amerikan Wilson shprehej në vitin 1919 në Konferencën e Paqes në Paris se nuk është e drejta e vetëvendosjes së popujve dhe kombeve shkak i prishjes së paqes në botë, përkundrazi është rendja e Fuqive të Mëdha pas ekuilibrave të tyre. Në botën e tanishme, kjo duket me më shumë rëndësi reale.
Në Kongresin e 20-të, edhe më tej, Kina dëshmoi se i përmbahet rregullit botëror e paqes dhe jo rendjes pas ekuilibrit me Fuqitë e tjera të Mëdha në botë, e cila krijon konflikt. Prandaj dhe ky kongres do të duhet të vlerësohet nga pikëpamja e impaktit që ka e do të ketë në rendin botëror. Nëse e shohim me gjakftohtësi, atëherë nuk besoj se mund të kontestohet mendimi dhe ideja se vizioni dhe parimet kineze përbëjnë thelbin e paqes e të sigurisë ndërkombëtare!
Enver Bytyçi