Ergi Agolli është një ndër zërat e rinj të muzikës popullore të Shqipërisë së jugut. Ai është kthyer në një ndër këngëtarët më të preferuar të kësaj treve, ndërsa ka nisur aktivitetin e tij muzikor jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë vendit. Ergi ka publikuar disa materiale muzikore, këngë popullore të trevës së juglindjes si dhe ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme duke interpretuar live para publikut. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet e tij në muzikën popullore, aktivitetet artistike si dhe projektet në të ardhmen.
Ergi Agolli duke interpretuar (facebook)
CMG: Keni disa vite që interpretoni këngën popullore të trevës së jugut, por kur keni nisur të merreni me muzikën?
Ergi Agolli: Fillimet e mia me muzikën kanë nisur që në moshë të vogël. Në shkollën 8 vjeçare kam marrë pjesë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, në fillim si valltar. Më vonë ky pasion u zhvillua, duke marrë pjesë në një konkurs në këtë qendër, ku provonin zëra të rinj dhe u zgjodha me ndihmën e profesoreshë Ana Goce. Ndërkohë muzika u zhvillua më shumë disa vite më vonë në koncerte live dhe aktivitete të ndryshme.
CMG: Si fillim ju nisët me vallen popullore dhe më pas kaluat tek kënga popullore. Nuk merreni më me vallen tani?
Ergi Agolli: Unë vazhdova edhe për disa vite me vallen popullore me Qendrën Kulturore të Fëmijëve të Devollit, dhe kam marrë pjesë në disa evenimente të asaj kohe, jo më pak të rëndësishme si Festivali Folklorik i Gjirokastrës, festivalet e muzikës popullore që janë zhvilluar në të gjithë Shqipërinë. Flasim gjithmonë për vallen popullore siç është ajo devollitshe, por dhe valle të tjera.
CMG: Kur e keni publikuar këngën tuaj të parë për artdashësit?
Ergi Agolli: Këngën e parë e kam publikuar në vitin 2018 dhe ka qenë një këngë me tekst të shkruar nga poeti Arben Duka dhe me muzikën e mjeshtrit të madh Edi Balili. Në klarinetë shoqëronte Aleks Xhelili. Kënga titullohet “Sytë e zemrës”, dhe është një prodhim i imi.
CMG: Në produksionet tuaja muzikore keni sjellë krijimtari të re apo jeni bazuar dhe në këngët e vjetra popullore?
Ergi Agolli: Unë jam bazuar dhe në tabanin popullor të vjetër. Kjo këngë ishte krijim i ri, pra bazohet edhe kjo në muzikën popullore të jugut. Gjithashtu kam realizuar një kolazh tjetër popullor me këngë përmetare dhe kolonjare, gjithmonë me mbështetjen e madhe të mjeshtrit të klarinetës Aleks Xhelili, me të cilin ka disa vite që bashkëpunojmë.
CMG: Këngët që ju interpretoni i përkasin më shumë trevës së juglindjes, Korçës, Kolonjës, Pogradecit, që ndryshojnë nga treva e jugut të Shqipërisë.
Ergi Agolli: Çdo krahinë ka muzikën e vet dhe ato nota janë, por ndryshon shumë nga Pogradeci dhe Korça. Devolli ka tjetër ritëm, Erseka gjithashtu ka tjetër melodi, pra çdo trevë ka ritmet e saj në muzikë.
Ergi Agolli.(Facebook)
CMG: Si janë pritur nga publiku materialet muzikore që keni publikuar në kanalin e YouTube?
Ergi Agolli: Materialet e mia muzikore janë pritur shumë mire dhe kënga e parë që publikova ishte një fillim i mirë. Jam ndjerë i vlerësuar me këngën e parë, pastaj kolazhi ka ecur më shumë si nga klikimet ashtu dhe nga kërkesat që më erdhën për aktivitete muzikore.
CMG: Ju e keni ruajtur traditën, duke e interpretuar pastër këngën popullore ashtu si e kanë kënduar të parët.
Ergi Agolli: Unë gjithmonë mundohem që ta ruaj sepse koha dhe evoluimi i muzikës bën të veten, por unë vetë jam munduar që ta ruaj traditën dhe tabanin e vjetër popullor. Është për të ardhur keq, por sa po vjen dhe po zbehet muzika popullore sepse kanë hyrë shumë rryma të tjera muzikore dhe e kanë zbehur pak.
CMG: Flasim për bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve, ku përveç kompozitorit Edi Balili besoj se ke bashkëpunuar dhe me të tjerë.
Ergi Agolli: Bashkëpunëtorët e mi kanë qenë klarinetisti Aleks Xhelili, i cili ka përzgjedhur të gjitha materialet që kemi realizuar deri sot. Gjithashtu dhe çifti simpatik nga Vlora Kristi dhe Erjola sepse edhe me ata kam pasur një bashkëpunim të fundit me një këngë moderne. Kompozitori Klodian Qafoku ka bërë orkestrimin e kolazhit të dytë popullor, pra këta janë njerëzit që unë kam bashkëpunuar.
Ergi Agolli (Facebook)
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore që ju keni marrë pjesë gjatë këtij viti?
Ergi Agolli: Unë kam marrë pjesë në shumë gëzime familjare në Shqipëri, por që kam qenë dhe në Greqi në dy aktivitete. Gjithashtu kam marrë pjesë në disa aktivitete këtë vit, ku kam qenë pjesë e projektit artistik “Open Cinema” në disa qytete me mikun tim Skënder Jaçe, që është producent i këtij aktiviteti dhe regjisor i disa filmave. Unë e prita me kënaqësi ftesën e tij.
CMG: Si ju ka pritur publiku në qytetet ku keni performuar?
Ergi Agolli: Jam pritur shumë mirë në të gjitha qytetet dhe jam ndjerë mirë. Unë kam kënduar dhe jam kënaqur, por edhe njerëzit besoj se janë kënaqur me këngët e mia.
CMG: Ju këndoni më shumë këngë të trevës suaj, por besoj se në gëzimet familjare interpretoni dhe këngë të trevave të tjera të vendit
Ergi Agolli: Po, mundohemi që t’i përgjigjemi tregut siç ka ardhur koha. Unë përpiqem që të këndoj dhe këngë nga Shqipëria e mesme apo nga veriu, por gjithmonë ne mbetemi korçarë dhe këngëtarë jugu. Unë mundohem t’i bëj dhe trevat e tjera, por nuk e di se sa ia arrij, ndonëse publiku është gjithmonë i kënaqur.
CMG: Keni në plan të bëni bashkëpunime në duet me të tjerë këngëtarë të muzikës popullore?
Ergi Agolli: Unë kam disa plane për bashkëpunime, por nuk e di se sa do të më realizohen. Njërëzit që i kam në mendje nuk ju kam thënë që do bëj bashkëpunime, por i kam disa ide. Për mendimin tim është shumë gjë e mirë sepse të japin një ndihmë shumë të madhe, se bashkëpunimi është gjithmonë shumë i mirë. Për momentin nuk mund të them asgjë sepse nuk kam ndonjë plan konkret, por jam pro bashkëpunimeve.
CMG: Krahina e Devollit ka kostume të bukura tradicionale folklorike. Keni pasur raste në skenë të vishni kostumin popullor të Devollit?
Ergi Agolli: Patjetër që po. Gjithmonë kur kam marrë pjesë nëpër aktivitete por dhe kur kam kërcyer valle devollitshe kam veshur kostumin e zonës së Devollit. Është privilegj të veshësh atë kostum. Gjithashtu dhe në disa videoklipe kam veshur kostumin tradicional të Devollit.
Ergi Agolli gjate nje koncerti (Facebook)
CMG: Mendon se brezi i ri është rikthyer tek tradita dhe e pëlqejnë muzikën popullore?
Ergi Agolli: Unë mendoj se brezi i tanishëm është më shumë tek muzika e lehtë ose pëlqejnë rrymën e re moderne që ka hyrë në Shqipëri. Më vjen keq ta them, por mendoj që për disa vite nuk do të ketë fare njerëz që të merrën me këtë punë.
CMG: Ju besoj se do vijoni në këtë rrugëtim muzikor, duke sjellë këngë të reja popullore?
Ergi Agolli: Ky vit besoj se do jetë me disa materiale muzikore që do sjell për publikun. Do mundohem të sjell këngë të bukura, që do jenë kolazhe me këngë të vjetra popullore. Gjithashtu do ketë dhe kompozime të reja, por më shumë do bazohem në muzikën popullore dhe atë që do tregu dhe puna jonë.
CMG: Në përgjithësi këngët tuaja të reja janë krijimtarija juaj apo është kompozitori që krijon muzikën?
Ergi Agolli; Mundohem gjithmonë të bazohem diku, pastaj normal që me ndihmën e kompozitorit do të arrijmë ta përfundojmë si këngë për ta nxjerrë.
Ergi Agolli gjate nje performance (Facebook)
CMG: Keni marrë ftesa të tjera për koncerte brenda dhe jashtë vendit?
Ergi Agolli: Kam disa ftesa, por nuk kam kthyer përgjigje akoma sepse dua që ta zhvilloj më shumë aktivitetin në zonën time. Unë dua që t’i mbaj këtu punët dhe të jem sa më afër familjes.
CMG: Cili do të ishte një mesazh i juaji për artistët e rinj që dëshirojnë të merren me këngën popullore.
Ergi Agolli: Do të doja shumë që brezi i ri të merret sa më shumë me muzikën popullore, të dëgjojnë ata që e kanë bërë më përpara muzikën popullore, jo këtë muzikë që është tani, por atë muzikën e vjetër ta marrin dhe ta përpunojnë e ta sjellin sa më bukur, që njerëzit ta shijojnë dhe të kënaqen kur ta dëgjojnë.
Intervistoi: Gazmend Agaj