Miss Globe 2022 E bukura dhe Opera
2022-10-21 10:07:11

Më 15 tetor 2022 u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit spektakli i bukurisë Miss Globe 2022. Në  edicionin e 19-të konkuruan 51 vajza. Fituesja e këtij viti e cila mban tashmë kurorën e Miss Globe 2022  është  Anabel Payano, përfaqësuesja e Republikës Domenikane, e cila u  kurorëzua si më e bukura e globit, në konkursin e mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ishte një show i bazuar kryesisht mbi muzikën operistike botërore, por edhe disa elementë pop-rroku. Një  shfaqje e veçantë midis klasit, operas dhe të bukurës.

Anamaria Babau nga Emiratet e Bashkuara Arabe u shpall shoqëruesja e parë ndërsa Drita Ziri nga Shqipëria, Thanawan Wigg nga Tajlanda dhe Lam Thu Hong nga Vietnami u shpallën përkatësisht shoqëruese e dytë, e tretë dhe e katërt.

Top 15-shen e përfunduan Heloisa Godinho (Brazil), Sofia Donado (Kolumbia), Nella Cheves Serano (Kosta Rika), Sirel Saad (Estoni), Prisca Abah (Gana), Anastasija Aleksejevska (Letoni), Natasha Stefanovic (Mali i Zi), Chelsea Fernandez (Filipine), Patrycja Krzywon (Poloni) dhe Argi Annisil (Venezuela).

Producenti Petri Bozo në një intervistë për Rtsh ka theksuar:

“Qëllimi final është që imazhi i Shqipërisë shkon në këto 51 vende të botës këtë vit, e cila me një përllogaritje të thjeshtë për 19 vjet që kam sjellë eventin e Miss Globe në Shqipëri, janë 872 dritare  të botës që kanë parë Shqipërinë kudo ku ne kemi shkelur. Ne mburremi dhe jemi krenarë për një organizim të tillë. E para sepse Miss Globe është nga 5 eventet më të mëdha në botë  nga pikëpamja e organizimit dhe e pjesëmarrjes dhe tashmë që prej vitit 2017 mban vulën tonë, pra e ka Shqipëria këtë patentë. Të gjitha vajzave që kanë qenë pjesëmarrëse, vendi ynë Shqipëria u ka lënë përshtypje shumë të mira” ka theksuar Bozo.

“Beauty and Opera”  ky ishte slogani këtë vit, një ide e cila ka lindur më herët se 2 vite më parë në studiot e Deliart Association.

Regjisori Petri Bozo tregoi:

“Kjo ide lindi menjëherë kur pamë restaurimin e plotë të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe për t’u mburur se tashmë kemi një ambjent modern, që të ofron çdo lloj ideje dhe mundësi që të kesh për të krijuar. Kështu që duke parë edhe historikun e eventeve të bukur në përgjithësi në botë, ku asnjëherë nuk ishte ngjizur asnjë gjë e tillë, menduam që ne të eksperimentojmë, të jemi të parët dhe besoj se do të ketë sukses. E gjithë struktura programore e datës 15 do të flasi për operan por edhe për bukurinë, kjo ndërthurje do i shkojë shumë për shtat njëri-tjetrit”.

Pjesë e shfaqjes së Miss Globe ishim emra shumë të njohur të muzikës operitike si, Sopranoja Eva Golemi, Simona Karafila, Baritoni Armando Likaj dhe Xhieldo Hyseni, ku u ndërtuan duete të mirëfillta për shfaqjen të miksuara mjaft mirë me pjesën e sfilatave të cilat gjithashtu kanë  bazat moderne të muzikës operistike. Për ta gërshetuar me larminë e jashtëzakonshme të kostumografisë që ka vetë eventi sepse një nga sfilatat më të bukura që ka ky event është performanca artistike me kostumet tradicionale të secilit shtet, ku publiku mund të shohë një gamë të jashtëzakonshme të kostumografisë popullore të secilit shtet. E gjitha kjo vjen live si zakonisht këto vitet e fundit në Rtsh 1 Hd.

-Por cilat do të jenë planet në të ardhmen të Deliart Association?  

Regjisori Petri Bozo tregon: “Kemi kalendarin e famshëm të “Miss Shqipëria 2023”,ku do bëjmë edhe një festë të bukur ajo është qershia mbi tortë, është një produkt që është me pak njerëz, por është artistik. Kështu që gjithë shqiptarët do të kenë një super kalendar në 2023, i cili është një vit që përkon me 3 përvjetore të Deliartit. Kemi 25 vjetorin e Miss Shqipërisë në vitin 2023, 20 vjetorin e Netëve të Klipit Shqiptar dhe 20 vjet të Miss Globe në vitin 2023” ka përfunduar regjisori Bozo.

Sava Lena