Filmi i parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”, i realizuar në vitin 1958, me regji të Kristaq Dhamos, u shfaq i restauruar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Lumiere”, në Lion të Francës.
Lajmi u bë i ditur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, ku për herë të parë po merr pjesë në programin “Thesare dhe kuriozitete”, përcjellë “ATSH”.
Shfaqja e filmit u prezantua nga Maelle Arnaud, drejtoreshë e programacionit të Festivalit “Lumiere” dhe drejtoresha e AQSHF-së, Marinela Ndria.
Gjithashtu, delegacioni nga AQSHF-ja do të marrë pjesë në Paraqitjen Ndërkombëtare të Filmit Klasik MIFC, ku do të prezantojnë kinematografinë shqiptare në festivale apo distributorë të tjerë të interesuar për ta shfaqur.
Filmi “Tana” është filmi i parë i mirëfilltë i kinematografisë shqiptare, xhiruar me autorë e aktorë shqiptarë. Subjekti i filmit u mor nga novela e shkrimtarit Fatmir Gjata dhe për ndërtimin e skenarit të filmit punuan shkrimtarët Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, në bashkëpunim me kineastin Kristaq Dhamo. Në film trajtohet një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare për kohën, siç ishte kolektivizimi në fshat, por edhe ndryshimet që po ndodhnin mbi disa aspekte të jetës së shoqërisë shqiptare, kryesisht në fshat.
Në film luajnë aktorët: Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Thimi Filipi, Marie Logoreci, Ilia Shyti, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli, Dhimitër Trajçe.
Muzika e filmit u kompozua nga Çesk Zadeja, ndërsa premiera ishte më 17 korrik 1958. (Irma)