Ambasadori kinez takon kryetarin e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvendin e Shqipërisë
2022-10-21 10:53:54

Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding u takua të mërkurën me kryetarin e ri të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvendin e Shqipërisë Bardhyl Kollçaku dhe përfaqësuesit e këtij grupi Ilir Pendavinji dhe Dhurata Çupi. Të dy palët shkëmbyen thellësisht mendime mbi marrëdhëniet kino-shqiptare, Kongresin e 20-të të PKK-së etj.

Ambasadori Zhou u shpreh se miqësia tradicionale ndërmjet Kinës e Shqipërisë është e thellë dhe Shqipëria është një nga vendet e para që vendosën marrëdhënie diplomatike me Kinën e Re. Vitet e fundit, Kina dhe Shqipëria kanë shfrytëzuar ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmin e Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore për të nxitur më tej bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme, dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë arritur përparime të reja. Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës po mbahet në një moment të rëndësishëm kur Kina ka nisur rrugëtimin e ri për të ndërtuar një vend socialist modern në mënyrë të gjithanshme dhe po marshon drejt realizimit të Objektivit të Njëqindvjetorit të Dytë. Kongresi do ta drejtojë Kinën të vazhdojë të promovojë paqen e zhvillimin botëror dhe ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. "Besojmë se Kongresi do të  ofrojë edhe mundësi të reja për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Shqipëri," u shpreh përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Tiranë.

Z. Kollçaku, nga ana e tij, vuri në dukje se PKK-ja, duke zbatuar parimin e vendosjes së popullit në qendër, e ka udhëhequr Kinën në krijimin e mrekullisë së zhvillimit. Në emër të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvendin e Shqipërisë, ai i uroi suksese Kongresit të 20-të të PKK-së. Tani zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë e Kinës po ecën mbarë dhe bashkëpunimi konkret në ekonomi, tregti e fusha të tjera ka arritur rezultate të dukshme. Grupi i Miqësisë Shqipëri-Kinë është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me ambasadën kineze në Shqipëri për të dhënë ndihmesë në promovimin e  shkëmbimeve dhe bashkëpunimit miqësor ndërmjet organeve ligjvënëse të të dy vendeve. (Çang Çuo)