“Kina i përmbahet gjithmonë një politike të jashtme që mbështetet në parimet e mbrojtjes së paqes botërore dhe të nxitjes së zhvillimit të përbashkët, dhe i është përkushtuar ndërtimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.” Këto fjalë të raportit të punës të mbajtur nga lideri i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Xi Jinping në ceremoninë e hapjes së Kongresit të 20-të Kombëtar të kësaj partie, kanë ngjallur diskutime të zjarrta në opinionin ndërkombëtar. Analistët janë të mendimit se ato tregojnë vendosmërinë dhe besimin e Kinës në ndjekjen e rrugës së modernizimit e të zhvillimit paqësor dhe se Partia Komuniste e Kinës do të vazhdojë të japë ndihmesë më të madhe për paqen, përparimin dhe lulëzimin botëror.

Nis kontigjenti i ri paqeruajtësve kinezë(Foto:VCG)
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, që prej krijimit në vitin 1949 Republika Popullore e Kinës nuk ka nisur e para asnjë luftë apo konflikt dhe nuk ka pushtuar asnjë centimetër të territorit të ndonjë vendi tjetër. Tani Kina është vendi që ka dërguar më shumë ushtarë paqeruajtës ndër pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe kontribuuesja e dytë më e madhe e fondeve paqeruajtëse. “Para sfidave si pandemia, acarimi i konflikteve gjeopolitike dhe rigjallërimi i dobët i ekonomisë globale, paqja dhe zhvillimi duken edhe më të çmuara në këtë moment,” vihet në dukje në koment, duke shtuar se, në këtë sfond, Kina me strategjinë e hapjes me leverdi të ndërsjellë, po krijon pandërprerë raste të reja zhvillimi për botën.

Pekin(Foto:VCG)
“Të marrim nismën ‘Një brez, një rrugë’ si shembull. Ky është një produkt i rëndësishëm publik që Kina i ofron botës. Që prej fillimit të saj në vitin 2013, 149 vende e 32 organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar marrëveshje me Kinën në kuadër të kësaj kornize bashkëpunimi. Deri në fund të gushtit të sivjetshëm, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Kinës me vendet pjesëmarrëse në ‘Një brez, një rrugë’ arriti në rreth 12 trilionë dollarë amerikanë dhe Kina ka investuar mbi 140 miliardë dollarë amerikanë në këto vende. Shumë projekte të mëdha infrastrukturore kanë sjellë përfitime konkrete për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së popujve të këtyre vendeve. Një raport i Bankës Botërore parashikon se, deri në vitin 2030, nisma ‘Një brez, një rrugë’ pritet të nxjerrë 7.6 milionë banorë të vendeve pjesëmarrëse nga varfëria absolute dhe 32 milionë të tjerë nga niveli i mesëm i varfërisë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Gutterres vlerësoi se Kina është bërë ‘një forcë e domosdoshme dhe e besueshme e nxitjes së paqes dhe zhvillimit botëror’,” thuhet në koment.

Pekin(Foto:VCG)
Zhvillimi i vetvetes duke mbrojtur në të njëjtën kohë paqen botërore dhe kontributi për paqen dhe zhvillimin e përbashkët të botës nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të vetes, kjo është rruga e zhvillimit paqësor që po ndjek Kina. “Bota do të vazhdojë të dëshmojë se PKK-ja është një parti që jo vetëm punon për lumturinë e popullit kinez, por edhe përpiqet për përparimin e gjithë njerëzimit”, përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)
