Me motin gjithmonë e më ekstrem të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, “laboratori i Tokës” në Miyun të Kinës, pritet të ofrojë informacion të rëndësishëm për të ndihmuar politikëbërësit të hartojnë masa për zbutjen e efekteve të fatkeqësive të lidhura me klimën.
"Laboratori i Tokës", i pari i këtij lloji në Kinë, i mbështetur nga kapaciteti superkompjuterik i vendit, simulon qarkullimin e karbonit të planetit dhe do të ndihmojë në parashikimin e situatave klimatike globale dhe rritjen e temperaturës në dekadat e ardhshme.
"Laborator i Tokës" i Kinës me emrin "Huan"/ foto nga VCG
Në distriktin periferik të Pekinit, Miyun, një "laborator i ri i Tokës", që simulon qarkullimin e karbonit të planetit, pritet të bëhet një mjet i ri në luftën e Kinës kundër ndryshimeve klimatike. Laboratori, i pari i këtij lloji në Kinë, do t'i ndihmojë shkencëtarët të studiojnë atmosferën e Tokës, hidrosferën, kriosferën, biosferën dhe litosferën, si dhe ndërveprimet e tyre.
Duke simuluar ndryshimet dhe ndërveprimet e sferave të shumta të planetit, "laboratori i Tokës" mund të llogarisë emetimet e gazeve serrë dhe të parashikojë situatat klimatike globale dhe rritjen e temperaturës në dekadat e ardhshme.
Që kur Kina njoftoi dy vjet më parë se do të arrijë kulmin e emetimeve të karbonit përpara vitit 2030 dhe do të përpiqet për neutralitetin e karbonit përpara vitit 2060, vendi e ka bërë realizimin e qëllimeve një prioritet të agjendës së tij afatgjatë. Ky kërkim i një të ardhmeje me pak karbon u theksua në raportin e prezantuar nga Xi Jinping në Kongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës të dielën në Pekin.
“Kina do të promovojë përpjekjet e bashkërenduara për të ulur emetimet e karbonit, për të zvogëluar ndotjen, për të zgjeruar zhvillimin e gjelbër dhe për të ndjekur rritjen ekonomike", - thuhet në raport.
Kombi ka bërë përpjekje të pandërprera për të nxitur zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët gjatë dekadës së fundit. "Laboratori i Tokës", i mbështetur nga kapaciteti superkompjuterik i vendit, është ndër disa sisteme në botë që janë në gjendje të simulojnë evolucionin e sistemit klimatik të Tokës në një shkallë globale, sipas Zhang He,(Xhan Hë) studiues në Institutin e Fizikës Atmosferike të Akademisë Kineze të Shkencave.
"Me motin gjithmonë e më ekstrem të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, “laboratori i Tokës” mund të ofrojë informacion të rëndësishëm për të ndihmuar politikëbërësit të hartojnë masa për zbutjen e efekteve të fatkeqësive të lidhura me klimën",- tha ai.
"Laboratori i Tokës" i Kinës/ foto nga VCG
Rrethi Miyun, ku ndodhet "laboratori i Tokës", është një zonë demonstrimi kombëtar për ndërtimin e një qytetërimi ekologjik.
Vitet e fundit, Miyun ka udhëhequr tranzicionin e gjelbër të qytetit. Të gjithë autobusët dhe taksitë janë bërë elektrike dhe ka nisur një projekt pilot për strehimin me emetim zero.
Miyun është një simbol i përpjekjeve të jashtëzakonshme të vendit në reagimin ndaj klimës, i cili konsiderohet si vendimtar për suksesin e fushatës globale për të luftuar ndryshimet klimatike.
Si vendi më i madh në zhvillim në botë, me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, Kina përballet me detyrën e frikshme për të rritur më tej ekonominë e saj duke reduktuar emetimet e karbonit.
“Me gjithë emetimet e saj relativisht të ulëta kumulative historike, Kina ka mbajtur një qëndrim të vendosur ndaj reduktimit të emetimeve të karbonit, gjë që tregon ndjenjën e saj të përgjegjësisë si një vend kryesor në botë”, - tha Li Yanping, studiues në Akademinë Kërkimore Kineze të Shkencave Mjedisore.
Sipas “Carbon Brief”, një organizatë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, që është e specializuar në shkencën dhe politikën e ndryshimeve klimatike, emetimet kumulative historike të CO2 të Kinës janë vetëm sa gjysma e atyre të Shteteve të Bashkuara.
Në të gjithë Kinën, qeveritë në të gjitha nivelet po eksperimentojnë për të gjetur mënyrat e tyre për të reduktuar emetimet.
Në Quzhou, provinca Zhejiang, qeveria lokale ka nisur një sistem "llogarie karboni" për të monitoruar emetimet e karbonit të ndërmarrjeve dhe individëve.
Bazuar në nivelet e emetimit të karbonit, qyteti i klasifikon ndërmarrjet në katër kategori: jeshile e errët, jeshile e lehtë, e verdhë dhe e kuqe, me jeshilen e errët që tregon nivelin më të ulët të emetimeve. Ndërmarrjeve me emetim të ulët o ofrohen stimuj të ndryshëm.
"Laboratori i Tokës" i Kinës, që u nis më 23 qershor 2021/ foto nga VCG
Një nga përfituesit e nismës është “Tianpeng Group”, një operator i fermës së derrave. Grupi ka një ndërtesë nëntëkatëshe për rritjen e derrave. Falë dizajnit me karbon të ulët të ndërtesës, grupi ka marrë një hua të pasiguruar prej 20 milionë juanësh (2.8 milionë dollarë) me norma të ulëta interesi, që është kredia e parë e vendit për neutralitetin e karbonit në fushën bujqësore.
Grupi ka reduktuar në mënyrë dramatike hapësirën e përdorur për rritjen e derrave.
"Kjo do të thotë se ne kemi më shumë tokë për t'u përdorur për pyllëzimin për të reduktuar emetimet e karbonit",- tha Wang Litong, menaxher i përgjithshëm i “Tianpeng Group”.
Që nga fillimi i sistemit të llogarisë së karbonit në vitin 2021, qyteti ka dhënë 42.9 miliardë juanë kredi për ndërmarrjet me emetim të ulët, duke ulur emetimet totale të karbonit me 13.8 për qind.
Jorgen Randers, bashkautor i raportit historik të vitit 1972 “Kufijtë e rritjes”, tha: "Në zonën klimatike, problemi ende mund të zgjidhet. Por ai kërkon veprim të fortë dhe aktiv qeveritar. Kjo nuk do të zgjidhet nga tregu ose me veprime vullnetare të individëve”.
Kina zbuloi sistemin e saj "1+N" vitin e kaluar, i cili është dizajni i nivelit të lartë të vendit për t'iu përgjigjur ndryshimeve klimatike, me "1" që përfaqëson një udhëzues kryesor të lëshuar nga autoritetet qendrore dhe "N" që qëndron për plane specifike veprimi ose politikat për sektorë të ndryshëm industrialë.
“Ambicia aktuale e Kinës, nëse ndiqet nga e gjithë bota, është e mjaftueshme për të zgjidhur në thelb problemin klimatik”,- tha Randers.