Klea Barameta; Dua të jem një filantrope
2022-10-21 10:46:32

Pas ceremonisë së diplomimit vjen një rrugëtim i ri për këdo që do vazhdojë punën dhe karrierën. Gjithçka nis që fëmijë me ëndrra të vogla dhe synime të mëdha. E tillë është edhe jeta e Klea Barametës e cila sapo është diplomuar dhe po punon fort që të arrijë ëndrrat e saj. E diplomuar në nivelin Master për degën "Marëdhënie Ndërkombëtare", ajo shprehet se do të punojë fort për Shqipërinë dhe se kurrë nuk ka menduar që mund të largohet nga vendi. Përkundrazi Klea dëshiron që gjithçka ta japë si kontribut për vendin e saj. Jeta është një rrugëtim i gjatë që me hapa shumë të vegjël mund të arrihet në majat e suksesit. Për Grupin Mediatik të Kinës, Klea ndan detaje nga jeta e saj.

Klea Barameta 

CMG: Klea, kush jeni ju për ata njerëz që nuk të njohin ?

Klea Baramerta: Unë jam një vajzë e thjeshtë, që nuk pretendoj të më njohin të gjithë,  por unë vetë dua të njoh shumë. Kam nevojë të njoh botën e cila më rrethon dhe gjithçka që në dukje është e paekspozuar. Si një fëmijë çapkën e kam përcjellë këtë tipar që nga fëmijëria, por mendoj se tiparet e mia origjinale ma bëjnë jetën më të bukur. Po flas për jetën të cilën e dua shumë

CMG: A është e bukur jeta në Tiranë?

Klea Barameta: Unë e ndjek jetën, nuk më ndjek jeta mua . Ndaj, edhe nëse nuk më pëlqen jeta këtu mund ta ndjek atë diku tjetër . Jam shumë realiste për atë që më pret në të ardhmen. E di që gjërat nuk do të shkojnë ashtu sikundër unë dua madje, e di edhe që do të lodhem, por në fund do t'ia dal.

CMG: Cila ka qenë puna juaj e parë dhe çfarë të ka mësuar ?

Klea Barameta: Unë jam një njeri serioz kur bëhet fjalë për jetën në tërësi dhe çdo gjë e marr seriozisht, aq më tepër kur bëhet fjalë për përgjegjësi  pune.
E kam nisur në një agjenci, e cila ofronte bileta udhëtimi dhe pikërisht në punën time të parë unë mësova rregullat e arta të punës. Çdo gjë që një njeri bën në jetë qoftë kjo punë e thjeshtë apo e rëndësishme, duhet të japë maksimumin dhe vlerësimin për punën .

Klea Barameta 

CMG: Çfarë ju shtyn të realizoni ëndrrat?

Klea Barameta: Ëndrrat e mia nuk janë pabazë, sepse në fund të ditës unë kam sens të fortë kritike dhe arrij të shoh deri ku kam shkuar apo deri ku mund të shkoj Asgjë nga ato që unë ëndërroj nuk është e parealizueshme. Të gjitha gjërat që dua janë të menduara mirë dhe më këmbë në tokë . Është e rendersishme per njerezit që të mendojnë duke parë edhe mundësitë e për të punuar që t'i ndryshojmë ato .
CMG: Nëse ju jepet mundësia të punoni jashtë Shqipërisë, do iknit?

Klea Barameta: Jo, nuk do ta bëja dhe ka një arsye shumë të fortë. Të gjithë të rinjtë po ikin. Nëse të gjithë ne zgjedhim të ikim, çfarë kuptimi ka ?
Kush do ta bëjë vendin tonë, cilët do jenë të rinjtë që do ta ndërtojne. Ndaj dhe unë nuk iki, të paktën deri tani kam këtë mendim se ndoshta më vonë edhe ndryshoj. Jam një e re me shumë energji që në një formë apo një një tjetër kjo energji përkthehet në punë. A i ka vendi ynë mundësi profesionale? Unë dua të them dhe besoj që po . Kam punuar që e vogël dhe nuk shoh të jetë ky problemi që të rinjtë ikin. Ata ikin pa menduar për vendin e tyre.

CMG: Çfarë ju pëlqen më tepër në përditshmërinë tuaj ?

Klea Barameta: Më pëlqen çdo gjë që është e bukur . Kjo për faktin se unë dua ta dua jetën të gjithën. Më pëlqen të rri në vende ku nuk ka asnjë njeri, por më pëlqen që edhe të kaloj kohën në ambiente ku ndizet edhe debati. Ne jemi qenie sociale dhe si të tilla duhet të ndalojmë së ankuari dhe të përshtatemi me botën.
Përditshmëria ime është e zakonshme por e bukur

Klea Barameta 

CMG:Me çfarë e lidhnu fëmijërinë tuaj ?

Klea Barameta: (Qesh) Unë kam qenë një fëmijë që sa herë luaja vritesha. Aq shumë e doja lojën sa unë e shijija në maksimum. Madje në familje për guximin që kisha më shihnin si djalë dhe jo si vajzë. Dilja , vrapoja, këndoja etj . Sot jeta e fëmijëve është mbyllur shumë ndërsa dikur kishte më shumë gjallëri.
CMG: Cili është njeriu që nuk ju ka lënë  kurrë pa mbështetje?

Klea Barameta : Mikja ime, motra apo shoqja e zemrës që është mami im .
Babi im për shkak të punës që ka pasur,  i është dashur të lëvizë nga shtëpia. Ndaj , shoqja ime më e mirë ka qenë mami im, e cila më ka qëndruar pranë, ka mbështetur çdo vendim timin dhe shoqëruar në çdo vend . Kafja e mëngjesit ka nisur dhe është mbyllur me të dhe shkëlqimin e syve të saj . Jemi binom i pandarë. Ajo është njeriu i parë që ka lënë edukatën tek unë.

Klea Barameta 

CMG: Çfarë do të donit të bënit në shoqëri?

Klea Barameta: Dua të jem një filantrope. Jeta është shumë e shkurtër për të pasur rrotull kaq shumë njerëz që vuajnë. Dua te mbaj fjalime jetësore dhe të kem mundësi t'ua ndryshoj jetën të paktën disa njerëzve. E di çfarë ? Dikur edhe mua më kanë ndryshuar jetën . Ashtu ngadalë duke pritur dhe dëgjuar një zë të butë dhe dashamirës. Ndaj e di shumë mirë se çfarë ndikimi ka një fjalë tek njerëzit. Do doja shumë që nëpërmjet fjalës t'iu jepja forcë .

CMG: Klea, ju keni  dhe një pasion për gatimin ?

Klea Barameta: Po. Gatimi për mua do të thotë shumë . Nëse nuk jam në zyrën e punës, jam duke gatuar. Këtë gjë nuk e bëj vetëm për vete, por kur më jepet mundësia edhe për miq dhe familjarë sepse ushqimi i bashkon njerëzit në një tryezë dhe tryeza më e ëmbël për mua është ajo me shumë miq.

CMG : A keni një mesazh për të gjithë të rinjtë si ju ?

Klea Barameta: Do t'ju lutesha te mos ndalonit përballë asgjëje. Rrini këtu dhe jepini mundësi vendit tuaj t'iu njohë dhe vlerësojë. Puna e mirë të nxjerr në dritë.

Intervistoi: Megi Latifi