Zhvillimi i suksesshëm i Kinës nën udhëheqjen e Partisë Komuniste (PKK) thekson rëndësinë e vënies në qendër të njeriut për krijimin e një shoqërie më të begatë, duke përbërë një shembull të mirë për vendet anembanë globit, theksojnë vëzhguesit e huaj

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë Damian Gjiknuri(Foto:CMG)
Duke shprehur urimet më të mira për Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë Damian Gjiknuri vlerësoi arritjet e Kinës në zhvillimin ekonomik-shoqëror, si edhe kontributin e saj për paqen dhe zhvillimin botëror.
"Do të doja që ju të kishit sukses të madh në këtë kongres. Po shpreh mbështetjen edhe në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe do të doja që ju të merrnit vendime të mençura për të mirën e popullit tuaj. Ne - si Parti Socialiste dhe si shqiptarë - urojmë gjithë të mirat për popullin kinez, për përparimin shoqëror. Unë mendoj se roli i Kinës në botë është i madh, dhe përparimi i Kinës do të jetë përparimi i botës, përparim për paqen," tha Gjiknuri.

Ish-ministri i Jashtëm i Bolivisë Fernando Huanacuni(Foto:CMG)
Pasi pa sesionin e hapjes të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, ish-ministri i Jashtëm i Bolivisë Fernando Huanacuni tha se suksesi i Kinës në zhvillimin që vë në qendër njeriun mund të merret si model nga partitë e tjera qeverisëse anembanë botës, pasi thekson se qeverisja e mirë duhet të mbajë parasysh mirëqenien e njerëzve.
"Parimi bazë [gjatë gjithë zhvillimit të Partisë Komuniste të Kinës] është shërbimi për popullin. Të gjitha betejat e Revolucionit kinez ishin për interesat e popullit, që është gjithashtu edhe baza për ndërtimin e socializmit me karakteristika kineze në epokën e re. [Filozofia e vënies së popullit në qendër ] - shërben si një pikë e rëndësishme referimi për t'u kujtuar qeverive anembanë botës, duke përfshirë ato në Amerikën Latine, se qeveritë e mira duhet t'u shërbejnë gjithmonë popullit dhe mirëqenies së njerëzve," theksoi Huanacuni.

Ish-ministrit italian të Drejtësisë Oliviero Diliberto(Foto:CMG)
Sipas ish-ministrit italian të Drejtësisë Oliviero Diliberto, arritjet e Kinës kanë dëshmuar se nga zhvillimi paqësor përfiton jo vetëm populli kinez, por edhe njerëzit anembanë botës.
"Kina ka pasur arritje të spikatura gjatë dekadës së fundit. Kina luan rolin e mbrojtjes së paqes dhe bashkëpunimit në arenën ndërkombëtare. Ajo ndërton ura - e jo mure - ndërmjet popujve të mbarë botës. Kina ka arritur gjithashtu suksese të jashtëzakonshme në zhvillimin e saj politik dhe ekonomik-shoqëror, me rezultate të dukshme në betejat për zbutjen e varfërisë. Kina bën gjithashtu përpjekje të pakrahasueshme për të mbështetur talentet e reja të vendit, arsimin dhe kërkimin shkencor, kështu që Kina sigurisht do të vazhdojë të arrijë zhvillim dhe përparim," tha Oliviero Diliberto.(Artan)
