PKK-ja mban kontakte me mbi 600 parti të botës
2022-10-20 19:34:57

“Partia Komuniste e Kinës mban tani kontakte me mbi 600 parti dhe organizata politike të botës, duke zhvilluar shkëmbime e dialog, duke ndarë përvojat e drejtimit partiak dhe të qeverisjes”, bëri të ditur znj. Shen Beili, zv.ministre e Departamentit të Lidhjeve me Jashtë të PKK-së në një konferencë shtypi të organizuar të enjten në Pekin në kuadrin e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë.

Konferencë shtypi, 20 tetor 2022, Pekin(Foto:VCG)

Konferencë shtypi, 20 tetor 2022, Pekin(Foto:Xinhua)

Konferencë shtypi, 20 tetor 2022, Pekin(Foto:VCG)

Sipas saj, vitet e fundit PKK-ja ka thelluar marrëdhëniet me parti në pushtet në vendet socialiste, vendet fqinje, vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, duke ndërtuar platforma të ndryshme dialogu në rang rajonal e global në të mirë të zgjerimit të partneritetit të barabartë, të hapur dhe bashkëpunues të Kinës me vende të ndryshme.

Në përgjigje të pyetjes se si i menaxhon PKK-ja marrëdhëniet midis “mosndërhyrjes në punët e brendshme” dhe “mësimit të ndërsjellë”, znj. Shen theksoi se këto dy parime kanë pasqyruar qëndrimin konsekuent të PKK-së për respektimin e shumëllojshmërisë së qytetërimeve politike të njerëzimit dhe nxitjen e përparimit të mëtejshëm të këtyre qytetërimeve.

“Mosndërhyrja në punët e brendshme” është një parim bazë i njohur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare e nga parti të ndryshme, dhe përbën kushtin paraprak të ruajtjes së pavarësisë së një partie, shtoi znj. Shen.

“Ne kundërshtojmë hegjemonizmin dhe politikën e forcës të çdo forme, mendësinë e Luftës së Ftohtë, ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe standardet e dyfishta. Partia Komuniste e Kinës nuk do të ‘eksportojë’ modelin e saj, as nuk do t’u kërkojë vendeve e partive të tjera të ‘kopjojnë’ veprimet e saj. Ndërkohë, ne nuk do të pranojmë kurrë predikimet arrogante dhe kurrë nuk do të kopjojmë sistemin politik të vendeve të tjera”, tha zv.ministrja e Departamentit të Lidhjeve me Jashtë të PKK-së.(Zhang Yan/Artan)