Në raportin e Kongresit të 20-të shfaqet shumë herë fjala "hapje". Sipas raportit, do të nxitet hapja ndaj botës në nivel të lartë, do të përshpejtohet kthimi i Kinës në një vend të fuqishëm tregtar, do të nxitet ndërtimi i përbashkët me cilësi të lartë i "Një brez, një rrugë" dhe do të ruhen një model i larmishëm e i qëndrueshëm ekonomik ndërkombëtar dhe marrëdhëniet ekonomiko-tregtare. Në konferencën e shtypit të organizuar të mërkurën nga Qendra e Lajmeve e Kongresit të 20-të, zëdhënësit nga shumë krahina të ndryshme të Kinës u shprehën se këto krahina do të bëjnë përpjekje më të mëdha për hapje, që t'i shërbejnë më mirë dhe të integrohen në modelin e ri të zhvillimit të vendit.
Foto: VCG
Sipas raportit të Kongresit të 20-të, gjatë 10 vjetëve është zhvilluar në mënyrë aktive strategjia e hapjes dhe ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" është bërë një produkt publik dhe një platformë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Kina është bërë partnere kryesore tregtare e mbi 140 vendeve dhe rajoneve, duke zënë vendin e parë në botë për vëllimin e përgjithshëm të tregtisë së mallrave, për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për investimet jashtë vendit, duke formuar një model hapjeje me sferë më të gjerë, fusha më të shumta dhe nivel më të thellë.
Lidhur me këtë, zv.guvernatori i provincës Hainan, Shen Danyang, tha:
"Në tre vjetët e fundit, shfrytëzimi i investimeve të huaja dhe tregtia e jashtme e provincës Hainan janë rritur shumë. Norma mesatare vjetore e shfrytëzimit të investimeve të huaja në tre vjetët e fundit është rritur me 80 %, ndërsa norma mesatare vjetore e tregtisë së jashtme 50 %. Shumë prej treguesve ekonomikë janë renditur historikisht në krye në shkallë kombëtare."
Më 1 qershor 2020 u publikua Plani i Përgjithshëm i Ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainanit, që shënon fillimin e ndërtimit të këtij porti të tregtisë së lirë. Tani politikat e hershme kanë hyrë në fuqi e janë përmirësuar dhe zhvillimi ekonomik ka hyrë në një situatë të re ... Përparimi i përgjithshëm i ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it është promovuar fuqimisht dhe në një mënyrë të rregullt.
Zv.guvernatori Shen Danyang u shpreh se Hainan-i do të shpejtojë ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë dhe në fundin e vitit 2025 do të fillojë mbylljen doganore.
"Ky është një projekt madhor, dhe është gjithashtu një projekt kyç i Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, aktualisht i renditur si 'Projekti nr. 1'. Ne propozuam hartimin e tre listave dhe organizimin e zbatimit të planit të punës. Njëra është një listë projektesh, tjetra është një listë detyrash, dhe e treta është lista e testeve të stresit. Nga ana tjetër, do të vazhdojmë të fokusohemi në liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe të investimeve, do të forcojmë integrimin e risive institucionale dhe do të promovojmë thellimin gjithëpërfshirës të reformës e të hapjes për të arritur përparim të ri dhe rezultate të reja,”vuri në dukje ai.
Foto: VCG
Rajoni Autonom Guangxi-Zhuang po ashtu ka epërsi të mëdha dhe mision historik në procesin e krijimit të modelit të ri të zhvillimit. Gjatë 10 vjetëve, Guangxi ka vijuar të nxitë thellimin e hapjes dhe të bashkëpunimit ndërmjet Kinës e ASEAN-it, duke arritur rezultate të mira. Sun Daguang, drejtori i Zyrës së Lajmeve të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang, tha:
"Deri më tani janë mbajtur me sukses 19 herë Ekspozita Kinë-ASEAN dhe Samiti i Biznesit dhe Investimeve Kinë-ASEAN , dhe fushëveprimi i shërbimeve është zgjeruar. ASEAN-i është partneri më i madh tregtar i Guangxi-së për 22 vjet radhazi. Kemi ndërtuar bashkërisht një korridor të ri tokësor-detar në perëndim, me 800 kilometra hekurudha të shpejtësisë së lartë dhe 5 000 kilometra autostrada në ndërtim. Në Portin e Gjirit Beibu mund të përpunohen anije me tonazh 300 mijë tonë, me një qarkullim vjetor prej 6 milionë kontejnerësh standardë, ndërsa numri i trenave ndërmodalë detarë-hekurudhorë arrin mbi 6 000.”
Foto: VCG
Si një provincë e rëndësishme e hapjes në pjesën lindore të Kinës, Shandong-u është përplotësues me vendet anëtare të Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) dhe ka një hapësirë të madhe të bashkëpunimit industrial me këto vende. Shandong-u ndodhet sidomos afër me Japoninë dhe Korenë e Jugut, gjë që ofron kushte të mira për zhvillimin me cilësi të lartë të RCEP-it. Drejtori i Zyrës së Lajmeve i kësaj province Bai Yugang tha se Shandong-u do të shfrytëzojë plotësisht epërsitë e veta gjeografike, do të bëjë përpjekje më të mëdha për hapje e integrim dhe do t'i shërbejë modelit të ri të zhvillimit të vendit.
"Ne do të bëjmë përpjekje për të zhvilluar një bashkëpunim më të gjerë me Japoninë, Korenë e Jugut, vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe vendet e nismës 'Një brez, një rrugë', si edhe do t'i shërbejmë modelit të ri të zhvillimit e do të integrohemi në të nëpërmjet hapjes e bashkëpunimit më të madh," u shpreh Bai. (Çang Çuo)