“Humori e ka shtëpinë në Shkodër”. Ky konstatim nuk i shkon për shtat veç banorëve të këtij qyteti, por mbështetet në të vërteta jetësore. Situata humori, aftësia për të thurur bejte, imitues të shumë karaktereve, batuta të gjetura me thumb të mprehtë, kanë qenë gjithmonë në shpirtin autentik të këtij qyteti. Tradita ka filluar qysh me trashëgiminë teatrore folklorike të periudhës së Rilindjes Kombëtare, deri tek trashëgimia e periudhës së monarkisë në vitet `20-`30 me shoqëritë kulturore artistike të njohura si “Bogdani”, “Vllaznia”, “Rozafat”, si dhe me zhvillimin masiv që pësoi ky lloj teatri në vitet e para pas çlirimit të vendit, falë grupimeve të shumta amatore të ngritura në qendrat e ndryshme të prodhimit.
Një traditë që u trashëgua brez pas brezi, me oborret ku shfaqej humor dhe njerëzit qeshnin plot hare. Me shtojzovalle dhe valle të kënduara, pantonima e inskenime skeçesh. Të gjitha këto që renditëm më sipër, përbëjnë burimet natyrore të Estradës së Shkodrës, që sipas të dhënave ka marrë jetë nga vitet 1950 dhe sidomos në vitin 1954 me skeçin “Estrada në Penxhere”, përgatitur nga regjisori Andrea Skanjeti. Shfaqja e parë e saj u luajt te ish kinema verore. Talentet e humorit në vitet e para erdhi nga zanatçinjtë dhe dugajxhinjtë. Çdo situatë reale, kthehej në humor. Ndërkaq viti 1958 konsiderohet si nisja e një rrugëtimi profesionist, pasi në krye u vu regjisori Paulin Sekuj! Prandaj edhe premiera e parë e Estradës së Shkodrës, që konsiderohet edhe si data e themelimit të saj është “Në repartin e operacionit të zemres”, e cila u dha me 14 nentor të po këtij viti, me regjisor Paulin Sekuj.
Në këtë kohë u krijuan Estrada Profesioniste, jo vetëm në Shkodër, por dhe Tiranë, Fier, Vlorë, Korçë, Durrës, Lushnje dhe Sarandë, por humori i Shkodrës ishte tepër origjinal dhe i pakrahasueshëm me të tjerët. Në dhjetëvjeçarin e parë, në qendër të satirës dhe humorit u vunë posaçërisht dukuritë patriarkale dhe konservatore që karakterizonin shoqërinë dhe familjen shqiptare, me apelin për emancipimin e gruas, vendin e saj në shoqëri, sikundër edhe një gamë e gjerë tematike nga jeta ekonomike dhe politike.
Nisi kështu një rrugë e gjatë, me argëtim, humor, barsoleta, skeçe, këngë, një shou që nisi atëherë dhe nuk ka të reshtur, pavarësisht periudhave, herë të ndritura e herë më në hije të Estradës. Si aktorë, shërbyen talentet që dilnin nga ndërmarrjet që kishin mijëra talente shkodrane në estradat e tyre amatore! Prej tyre u prezantuan qindra e qindra shfaqje, por dhe shumë premiera janë frut i një pune kolosale, i shkodranëve të Shkodrës plot humor. Të paharruar mbeten emrat e aktorëve Hasan Smaja, Tano Banushi, Paulin Preka, Adem Kastrati, Tinka Kurti, Prekë Lëkunda, Lec Ndreka, Pistol Soja etj. Pas tyre, estrada pasohet me emrat e Zyli Milotit, Katerina Bigën, Drande Xhain, Besnik Çinarin, Zef Dedën, etj. Trupës profesioniste, iu bashkangjiten edhe aktorë jo profesionistë, por me një reputacion shumë të mirë, si Gjosho Vasia, Gëzim Kruja dhe Sandër Ruçi.
Kjo trupë gjatë viteve u karakterizua nga larmia e individualiteteve artistike sikundër edhe nga trajtimi më i shpenguar i argumenteve, karaktereve dhe fenomeneve komike, një gjuhë humoristike që dallonte për befasimet komike, mprehtësitë, kulturën, shijen e hollë si dhe sensin kritik. Estrada e Shkodrës ka fituar Çmimin e Parë në Takimin Kombëtar të Estradave “Ditët e humorit dhe të satirës”, në vitin 1983, me premierën “Ditët e buzëqeshjes `83”. Në këtë veprimtari të pervitshme të organizuar në Shkodër, ajo është nderuar disa here me çmimin “Çajupi”.
Në vitet `80-të vërehet një rritje cilësore në konceptimin tërësor të shfaqjeve, në strukturat e reja artistike, ku bëhen të pranishme materialet e gjata letrare humoristike, sikurse qenë komeditë e shkurtëra dhe skeçet e plota, që arrijnë të trajtojnë më në gjerësi një dukuri të caktuar. Ndërkohë në repertorin e saj u aplikuan më shpesh forma teatrore origjinale si shfaqjet me bosht, të organizuara rreth një ideje, rreth një personazhi, autori, one man shoë. Nga shfaqjet e sukseseshme të atyre viteve, vlen të përmendim shfaqjet “Rreth e qark Shkodrës” (I980), “Me një gomë fshirëse” (I984), shfaqja me poezi satirike dhe humoristike të përzgjedhura nga krijimtaria e shkrimtarit Dritëro Agolli e vitit 1985, shfaqja “Kush është i kulturuar”(I988), etj.
Pas vitit 1991, nga pikëpamja e vërtetësisë së trajtimit të dukurive komike, si dhe e forcës goditëse të satirës dhe të humorit, Estrada e Shkodrës shënoi një rritje të dukshme. Sado që numri i aktorëve dhe i premierave u zvogëlua, në shfaqjet e saj u vu re prania e një problematike sociale të mprehtë, më së shumti e drejtuar ndaj fenomeneve të uIëta e të shëmtuara të tranzicionit, shoqëruar kjo me një kritikë të fortë dhe tone përqeshëse. Nga shfaqjet më të spikatura të viteve ’90 përmenden: “Portrete pa makjazh” (I99I), “Me pronat e humorit”, “A ka, a s’ka keqkuptim”? (I995), “Pa pikë serioziteti” dhe “Fokus komik” (I996).
Pas vitit 2000, Estrada e Shkodrës ka vënë në syrin e humorit, satirës dhe kritikës sociale deformimet e hasura në shoqërinë shqiptare, zotërimin e interesit vetjak, veset dhe mangësitë në marrëdhëniet e reja të tregut, plagët morale në shoqëri e familje, problemet e emigracionit etj. Ndër premierat e suksesshme të pasvitit 2000 janë: “Pas skene, në skenë” (2000), “Thumbi, thumbon” (2003), premiera me komeditë e Kristo Floqit, disa recitale nga krijimtaria e aktorëve të shquar të saj, si: Zef Deda, Zyliha Miloti, Gëzim Kruja etj.
Tipar i kësaj estrade që vazhdon traditën e saj edhe sot, është begatia dhe larmia e profileve artistike, përfshi aktorët, regjisorët, këngëtarët dhe muzikantë të njohur, të cilët me përkushtimin, talentin, dashurinë e tyre për humorin dhe respektin për traditën e trashëguar, kanë ditur t’í dhurojnë qytetit dhe të gjithë Shqiëpërisë nota humori dhe gëzimi, në çdo kohë e rrathanë.
Përgatiti: N.Kraja