Ulja e barrës së energjisë nga qeveria
2022-10-19 09:58:06

Qeveria shqiptare, përveç konsumatorit familjar dhe biznesit të vogël po analizon mundësinë e mbrojtjes nga rritja e çmimit të energjisë edhe për ato biznese të mëdha të cilat tashmë, sipas direktivës së BE-së, kanë dalë në treg të lirë. Sipas një analize të kryer nga një grup pune, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë si dhe të biznesit, kostoja në buxhet do të ishte rreth 3.5 milionë euro. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një takim me përfaqësuesit e organizatave të biznesit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë tha se  do t’i mbrojnë me çdo çmim edhe sipërmarrjet nga stuhia financiare e kësaj lufte. Sipas  ministres bizneset që prodhojnë vetë energjinë elektrike nga burime alternative do kenë mundësi t’ja kalojnë atë Operatori i Shpërndarjes së Energjië Elektrike (OSHEE). Bëhet fjalë për biznese që kanë vendosur panele diellore apo shfrytëzojnë erën. Sipas ministres së energjitikës, në fund të vitit OSHEE do bëjë balancën e energjisë se shpenzuar dhe asaj të kthyer në rrjet. Kjo është pritur pozitivisht nga bizneset, të cilat e shohin si një mbështetje në kohë të vështirë.

Energji (Foto Alert.al)

Energji (Foto Alert.al)

“Nse ti prodhon më tepër sot me rregullimin që është sot, nëse ti prodhon më tepër në muajt qershor, korrik, gusht që janë muajt e prodhimtarisë më të lartë, në fund të muajit e gjithë ajo që ke prodhuar më tepër i shkon shtetit falas dhe ty koha e amortizimit të investimit, pra koha e rikthimit të parave të investimit që ke bërë të zgjatet nga tre në katër, në pesë apo në gjashtë vite, duke e bërë biznesin jo interesant. Ndërsa në këtë formë duke bërë që atë që ti prodhon tepër në gusht, ta marrësh në shtator ose në tetor, kur prodhimtaria bie, kjo bën që asgjë të mos humbasë nga investimi dhe i bën bizneset që të investojnë akoma më shumë në këtë lloj fushe”- shprehet Kreu i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, Alban Zusi.

Sipas Zusit,  mbështetja e qeverisë bën që bizneset të lehtësohen nga kjo lëvizje.

“Pse është mirë që bizneset të investojnë akoma më shumë në këtë lloj fushe? E para, do të ulet barra e qeverisë për të blerë energji me çmime shumë të larta jashtë shtetit. E dyta, bizneset vetë fillojnë dhe bëhen më konkuruese dhe këto para të cilët ato do të fillojnë të kursejnë nga pagesa e energjisë elektrike, me shumë gjasa sfida e dytë që ne kemi si biznes është rritja e pagave të punonjësve. Pra, sfida e parë është lëndët e para me çmime të larta, si ta menaxhojmë këtë situatë, sfida e dytë është si të rrisim rrogat e punonjësve për të mos ju larguar punonjësit. Prodhimi i energjisë, vetëprodhimi i energjisë elektrike është padiskutim një nga ato burime që ka për të shërbyer shumë shpejt për të qenë bazeni i fondeve për të rritur pagat e punonjësve dhe për të mbajtur punonjësit. Këto para që do të dalin nga vetëprodhimi i energjisë elektrike bizneset nuk kanë për t’i mbajtur për vete apo kanë për t’i përdorur për gjëra të tjera, automatikisht ato kanë për të kaluar pikërisht për konsolidimin dhe mbajtjen e fuqisë punëtore sepse kjo është sfida kryesore që ne kemi.”-shprehet Zusi.

Takim bizneset dhe ministrja Balluku (Foto Belinda Balluku fb )

Takim bizneset dhe ministrja Balluku (Foto Belinda Balluku fb )

Mes propozimeve është ajo e përjashtimit nga TVSh-ja për makineritë dhe pajisjet e importuara për ndërtimin e parqeve të energjisë diellore, apo atyre me erë.

“Pika e parë u tha nga Ministrja që e quajmë të arsyeshmë, do ta konsiderojmë por nuk u angazhua për ta zgjidhur 100% por tha “Ok, do të merremi me këtë cështje.” Nuk themi që nuk ka racionalitet por nuk mori një angazhim. Angazhimi ishte për balancën vjetore, për heqjen e TVSH-së për këto lloj investimesh. Pra, vërtetë qeveria nuk ka mundësi ta nxisë me fonde këtë proces sic e bëjnë qeveritë evropiane, por të paktën të mos e rëndojë me TVSH e cila është një pagesë që ti e paguan sot dhe e merr pas 2, 3  apo 4 muajsh, por biznesit i krijon një kosto, sepse edhe vetë paratë për investimin biznesi në 90% të rasteve po i merr kredi. Ateherë le të marri 100’000 euro kredi, mos të marrë 120’000 kjo është ideja. Nga ana tjetër ishte angazhimi për të lehtësuar procedurat administrative sepse shpeshherë populli ka një shprehje: “Del bishti më i rëndë se sqepari.” Qeveria po përpiqet në të gjitha format për ta lehtësuar investimin në panelet diellore dhe vetëprodhimin, por nga ana tjetër ne kemi një situatë që organet e pushtetit lokal e kanë të paqartë situatën, e kanë të paqartë mënyrën sesi duhet vepruar dhe i konsiderojnë instalimet e paneleve diellore, gati-gati si investime ndërtimore, kërkojnë një mal me dokumenta, procedura administrative dhe ndonjëri kërkon edhe 3% mbi vlerën e investimit e cila nuk bën sens.”- tha  Zusi.

Ministrja Belinda Balluku (Foto Ministria e Energjise)

Ministrja Belinda Balluku (Foto Ministria e Energjise)

Gjithësesi sipas bizneseve politikat lehtësuese duhet të jenë në harmoni me zbatimin nga të gjitha institucionet.

“ Qeveria nga njëra thotë do t’i japë 70% qytetarit që do të vendosin panele do t’jua financojë unë mjafton që ju të rrisni ëficencën e energjisë elektrike, ndërkohë që pushteti lokal kërkon ta bëjë 3% më të shtrenjtë këtë lloja investimi. Pra, është një lloj konsensi që duhet harmonizuar. Po kështu ne ngritëm edhe disa problematika që janë paraqitur nga investitorët nga implementuesit e këtyre lidhur me aparatet matëse, me procedurat pranë OSHEE-së. Përsëri do të doja ta vlerësoja sensibilitetin e menjëhershëm, e para transparencën e Ministrisë, sepse ato çfarë ne i thamë atje në dyer të mbyllura me kamerat e Ministrisë u bë publike dhe kjo ishte një gjë e mirë dhe pati një sensibilitet të menjëhershëm nga OSHEE-ja. Unë kam pasur takime edhe sot me drejtues shumë të lartë të OSHEE-së, të cilët u treguan menjëherë të gatshëm për ta zgjidhur dhe për ta eliminuar. Madje ata thanë që në letra, në dokumentacion, në procedura fenomeni nuk ekziston, por meqenëse mund të ketë probleme në praktikë padiskutim që ne do të ulemi dhe jemi të gatshëm që të komunikojmë.”- thotë Zusi.

Përjashtimi synon nxitjen e investimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme për të zbutur krizën e energjisë elektrike.