Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin vuri në dukje në një konferencë të rregullt shtypi të martën se nisma "Një brez, një rrugë" i tejkalon konceptet e vjetra të lojërave gjeopolitike dhe krijon një model të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Foto: VCG
Gjatë nëntë vjetëve që prej propozimit të saj, "Një brez, një rrugë" ka gjetur jehonë të madhe në mbarë botën, por njëkohësisht ka mendime që nxitja e ndërtimit të "Një brez, një rrugë" nga Kina bëhet për qëllime gjeopolitike. Në përgjigje të pyetjeve përkatëse, Wang Wenbin theksoi:
"'Një brez, një rrugë’nuk është një rreth i vogël dhe i mbyllur, por është një platformë e madhe e hapjes dhe gjithëpërfshirjes. Kjo nismë nuk është një ‘koncert solo' i Kinës, por një 'simfoni' ku marrin pjesë të gjithë partnerët. Tani janë paraqitur shumë nisma të ndryshme globale të ndërtimit të infrastrukturës, gjë që tregon se 'Një brez, një rrugë' ka gjallëri të madhe dhe luan rolin e modelit. Ne jemi të hapur që të gjitha palët të marrin pjesë në ndërtimin e përbashkët të 'Një brez, një rrugë' dhe jemi të gatshëm për ndërlidhjen e kësaj nisme me planet e ndërtimit të infrastrukturës të vendeve të ndryshme dhe për të ofruar më shumë produkte publike me cilësi të lartë për botën."
Foto:VCG
Përballë epidemisë së koronavirusit të ri, bashkëpunimi në kuadër të "Një brez, një rrugë" nuk ka ndaluar, por ka treguar qëndrueshmëri dhe gjallëri, shtoi më tej Wang Wenbin-i.
"Funksionimi i trenit të mallrave Kinë-Europë po përshpejtohet, hekurudha Kinë-Laos dhe ura e Peljeshacit në Kroaci kanë përfunduar e janë hapur për trafikun dhe hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung, hekurudhat Hungari-Serbi e Kinë-Tajlandë etj. po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Deri në fund të gushtit 2022, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave ndërmjet Kinës e vendeve përgjatë 'Një brez, një rrugë' arriti në rreth 12 trilionë dollarë amerikanë dhe investimet e drejtpërdrejta jofinanciare në këto vende i kaluan 140 miliardë dollarët. Deri në fund të vitit 2021, ndërmarrjet kineze investuan më shumë se 43 miliardë dollarë në parqet e bashkëpunimit ekonomik e tregtar jashtë vendit të ndërtuara bashkërisht, duke krijuar më shumë se 340 000 vende pune për banorët vendorë," bëri të ditur zëdhënësi i diplomacisë kineze.
Foto: VCG
Ai vuri në dukje se Kina ka nënshkruar me mbi 30 vende dhe rajone marrëveshje të "Operatorit ekonomik të autorizuar" dhe niveli i lehtësisë dhe i lirisë të tregtisë e të investimeve në Kinë është rritur më tej. Rruga e Mëndafshit e Shëndetit, Rruga e Gjelbër e Mëndafshit dhe Rruga Digjitale e Mëndafshit po zhvillohen më tej. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres tha se "Një brez, një rrugë" është e njëjtë të thelb me Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm dhe mund të shpejtojë realizimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm të OKB-së 2030, duke sjellë përfitime për të gjithë botën.
"Rezultatet e frytshme gjatë nëntë vjetëve tregojnë se ndërtimi i përbashkët i 'Një brez, një rrugë' ka krijuar një hapësirë të re për nxitjen e zhvillimit të ekonomisë botërore dhe ka dhënë kontribut për rritjen e mirëqenies së jetës së njerëzve në vende të ndryshme. Pala kineze dëshiron që të nxitë me të gjithë partnerët ndërtimin e përbashkët dhe zhvillimin me cilësi të lartë të ‘Një brez, një rrugë', me qëllim që bota të lidhet e jo të ndahet, të hapet e jo të mbyllet, të integrohet e jo të veçohet. Ndërtimi i përbashkët i‘Një brez, një rrugë' do të japë kontribut më të madh për realizimin e zhvillimit të përbashkët të vendeve të ndryshme," theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Wang Wenbin. (Çang Çuo)