Kongresi i 20-të në Kinë: hartohet e ardhmja e modernitetit socialist
2022-10-19 16:44:37

Më 16 Tetor 2022 u hap zyrtarisht Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste Kineze (PKK). Kongresi është data më e rëndësishme në kalendarin politik të Kinës që mblidhet në Pekin një herë në pesë vjet. Ai jo vetëm që zgjedh ekipin drejtues, por vepron si një tregues për drejtimin që vendi do të marrë në të ardhmen e afërt, me efekte për dekadat në vijim. Në këtë event partia politike më e madhe në botë, me 96 milion anëtarë numëron 101 vjet ekzistencë dhe 73 vjet në drejtim të vendit. Përgjegjësia historike dhe praktike është kolosale.

Xinhua

Xinhua

Kongresin e hapi Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping  në  një fjalim gati dy orësh duke paraqitur  raportin e punës me përmbledhjet e arritjeve, sfidave dhe vizionit të PKK-së. Xi ravijëzoi aspektet e politikave të brendshme dhe ndërkombëtare të vendit si dhe kursin që PKK-ja ka planifikuar për të ardhmen e afërt dhe të largët. Raporti i dorëzohet Kongresit Kombëtar çdo pesë vjet dhe  konsiderohet si dokumenti më i rëndësishëm i politikës së Kinës. Është një përmbledhje që mbulon punën e bërë në të gjitha fushat me ndikim në vend, duke parashtruar plane për vazhdimin e kësaj pune dhe duke vendosur axhendën në termat e një vizioni gjithëpërfshirës për kombin.

Në fjalimin e Xi u duk qartë kthjelltësia që vjen si rrjedhojë e dedikimit të gjithanshëm të lidershipit kundrejt 1.4 miliardë njerëzve, nevojave dhe aspiratave të tyre. Përgjegjësia historike është e tejskajshme, po ashtu sikur nevoja për të ruajtur dhe mbrojtur çfarë me shumë mund është arritur deri tani.

nga VCG

nga VCG

Sensi i misionit në drejtim dhe në aksion

Detyra kryesore e PKK-së do të jetë ta udhëheqë popullin kinez për të realizuar transformimin e Kinës në një vend të madh socialist modern në të gjitha aspektet dhe për të nxitur përtëritjen e kombit kinez në të gjitha frontet nëpërmjet rrugës kineze të modernizimit – u shpreh Presidenti i Kinës.

Në fakt, PKK-ja synon të realizojë në thelb modernizimin socialist në periudhën e viteve nga 2022 deri më 2035. Më tej është detyra madhore e shndërrimit të Kinës në një vend modern të begatë, të fortë, demokratik, të përparuar nga ana kulturore, harmonik dhe të bukur me afate paraprake duke nisur viti 2035 deri në mes të këtij shekulli. Kur Republika Popullore e Kinës do të festojë 100-vjetorin e saj në vitin 2049 të gjitha më sipër duhet të jenë realizuar, dhe ky kongres është pika kulminante e konfigurimit të kësaj rruge dhe projektimit në dekada.

“Detyra qendrore” e PKK-së është të ndërtojë një vend modern socialist - tha Xi - dhe pesë vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për fillimin e mbarë të përpjekjeve. Lidershipi i Kinës zotohet kështu të avancojë në mënyrë gjithëpërfshirëse përtëritjen kombëtare përmes një rruge kineze drejt modernizimit. Në raport u përmendën një gamë e gjerë fushash në të cilat Kina do të përpiqet për përparim të mëtejshëm, duke përfshirë rritjen ekonomike me cilësi të lartë, zhvillimin e ekuilibruar, ruajtjen ekologjike, mirëqenien e njerëzve, forcimin e Partisë, qeverisjen e bazuar në ligj, hapjen e nivelit të lartë, inovacion i pavarur teknologjik dhe përpjekje diplomatike për të promovuar paqen dhe zhvillimin botëror.

nga VCG

nga VCG

Modernizimi i Kinës në fakt ka dy karakteristika specifike – është gjithëpërfshirës dhe paqësor – dhe këto karakteristika janë pa dyshim një element krenarie kombëtare.

Një modernizim gjithëpërfshirës do të thotë një ndërthurje thelbësore e progresit material dhe kulturor-etik, duke shpalosur një filozofi të re zhvillimi që nxjerr në pah zhvillimin ekonomik, politik, kulturor, social dhe ekologjik, etj.

Në kontrast me fuqitë koloniale Kina ka marrshuar drejt modernizimit përmes punës së palodhur dhe është rritur në një fuqi ekonomike globale. Për më tepër zhvillimi i brendshëm është pasuar me avantazhe edhe për vendet e tjera pasi Kina ka kontribuar me formate dhe ide të reja për zhvillimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar (si nisma “Një brez, një rrugë”, Iniciativa për Zhvillim Global,etj).

Retrospektivë, analizë aktualiteti dhe perspektivë

Në këtë raport u analizua në detaje situata dhe sfidat brenda dhe jashtë vendit duke theksuar se pesë vitet e ardhshme (2022-2027) janë vendimtare për nxitjen e modernizimit të Kinës.

nga VCG

nga VCG

Shumë është arritur që nga Kongresi i fundit në vitin 2017, kur detyra të vështira u vendosen për realizim kombëtar, më e rëndësishmja çrrënjosja e varfërisë absolute, rritja e të ardhurave për frymë, stabiliteti i brendshëm, etj. Detyrat e mëparshme shërbyen si preambulë e punës së vështirë që duhet bërë ende për të ndërtuar mbi këto përfitime dhe për të siguruar që ato përbëjnë një themel të përhershëm.

Por, çfarë pritet të ndërtohet në këtë themel? - Më shumë progres në kuadrin e  zhvillimit me cilësi të lartë, zhvillimi ekonomik i bazuar në inovacionin e rritjes së PBB-së totale, punësimin, arritjet arsimore, tekonologjike etj. Në këtë logjikë, modernizimi dhe zhvillimi ishin fjalët më të përsëritura në raport. Pavarësisht dekadave të avancimit, Kina e ka nisur përparimin e saj nga një bazë e paktë, si një vend kryesisht agrar gjysmë i industrializuar. Kjo ka qenë një periudhë e stërzgjatur që kërkonte shumë punë, madje dhe shumë sakrifica nga populli kinez për të arritur ekonomitë e përparuara në botë. Por rezultatet dhe statistikat tregojnë në mënyrë të qartë se Kina është në të vërtetë në rrugën e duhur. Mjafton të kujtojmë se ka krijuar sistemin më të madh arsimor, sigurimi social më të madh, sistemin më të madh shëndetësor në botë, dhe ende shumë ka për të bërë. Dhe mbi çfarë është arritur tashmë do të ndërtohet dhe do të përparohet më tej.

nga VCG

nga VCG

Një fazë e re me ingranazhe të pandalshme

Raporti i shpalosur nga Presidenti Xi, ka të bëjë me përcaktimin e axhendës politike të Kinës, me vendosjen e tonit, dhe përcaktimin e këndvështrimit filozofik dhe ideologjik që do të karakterizojë qasjen e vendit në përballimin e sfidave në të ardhmen. Teksa hyn në një fazë të re të modernizimit, përsëri me një theks në cilësinë mbi sasinë, Kina duhet të jetë e qëndrueshme në kursin e saj duke vazhduar  përpjekjet në të gjithë sektorët. Sigurisht, kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe për këtë Xi u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të PPK-së që të mos harrojnë kurrë aspiratën fillestare dhe misionin themelues, të kenë guximin dhe aftësinë për të vazhduar betejën. Populli kinez dhe aktualiteti lipsin prioritete të reja, vigjilencë politike dhe mbi të gjitha unitet. Këto arrihen mbi bazën e ndërtimit të një  konsensusi praktik dhe kornizimi të qartë ideologjik. Duke konsoliduar qasjen teorike në drejtimin e vendit, synimet zhvillimore bëhen të palëkundura. Në fjalët e Presidentit Xi “Vetëm duke ecur përpara me përkushtim dhe këmbëngulje të palëkundur do të jemi në gjendje t'i përgjigjemi thirrjes së kohës sonë dhe të përmbushim pritshmëritë e popullit.”

Me kongresin e 20-të, socializmi me karakteristika kineze ka hyrë në një epokë të re. Një epokë ku thelbi është përmirësimi i vazhdueshëm i çdo aspekti të jetës së njerëzve dhe kombi është në duar të sigurta, pasi drejtimi i vendit bëhet më prioritete të qarta, plane të mirëpeshuara, skema politike të analizuara kthjellët, dhe bindja se e ardhmja do të jetë më e mirë.  Kjo bindje vjen nga konfidenca që të japin rezultatet e deritanishme dhe ideja e konsoliduar se lidershipi i vendit ka një mision dhe një vizion, arritje të mëtejshme dhe zhvillim  për kombin.

Dr. Marsela Musabelliu