Kina moderne kontribuon për paqen globale dhe zhvillimin e botës
2022-10-19 16:23:10

Kina kontribuon për paqen globale dhe zhvillimin e botës. Presidenti kinez dhe udhëheqësi i Partisë Komuniste Kineze, Xi Jinping, në Kongresin XX të Partisë Komuniste Kineze, që ka filluar në 16 tetor 2022 dhe vazhdon punimet, në fjalimin e tij theksoi se PKK zotohet për rivitalizimin e kombit kinez, duke synuar paqen globale dhe zhvillimin e mëtejshëm në botë.

Xinhua

Xinhua

Deri më sot Kina ka ecur në një rrugë unike zhvillimi dhe ka patur arritje të mëdha në të tëra fushat. Nën drejtimin e PKK, vendi hyri në një epokë të re socializmi me karakteristika kineze, zhduku varfërinë absolute dhe përfundoi ndërtimin e një shoqërie mesatarisht të begatë në të gjitha aspektet, që ishte edhe Qëllimi i Parë i  Njëqindvjetorit. GDP e Kinës tashmë përbën 18.5 % të ekonomisë botërore. Kina, që synon të jetë ekonomia më e madhe në botë është partner i madh tregtar për më shumë se 140 vende dhe rajone, duke qenë në vendin e parë për volumin e përgjithshëm tregtar. Kina është një ndër vendet më novatore në botë dhe ka ecuri shumë të mirë për indeksin e krijueshmërisë, inovacionit, inxhinierisë, sofistikimit të tregjeve dhe sofistikimit të biznesit dhe kjo pasi filozofia e zhvillimit mbështetet në parimin e zhvillimit të përqendruar të njerëzit. Për këtë në Kinë janë ndërtuar sisteme të mëdha arsimore, të sigurimeve shoqërore dhe kujdesit shëndetësor. Projekti i madh “Një Brez, një Rrugë” është mirëpritur nga komuniteti ndërkombëtar si e mirë publike dhe platformë e padiskutueshme bashkëpunimi. Paralelisht, Kina është bërë pjesë e rëndësishme e nismave globale për mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e emetimit të dioksidit të karbonit.

nga VCG

nga VCG

Duke afirmuar arritjet madhore të popullit kinez nën drejtimin e PKK, Xi Jinping theksoi se nuk duhet të harrohen mangësitë, vështirësitë dhe problemet, që pengojnë zhvillimin me cilësi të lartë dhe boshllëqet e gjera në zhvillimin dhe shpërndarjen e të ardhurave midis zonave urbane dhe rurale e midis rajoneve.

Ai tha: “Që nga kjo ditë, detyra kryesore e PKK-së do të jetë që të udhëheqë popullin kinez të të gjitha kombësive në përpjekjet e përbashkëta për të realizuar Objektivin e Njëqindvjetorit të Dytë të kthimit të Kinës në një vend të madh socialist modern në të gjitha aspektet dhe për të nxitur rivitalizimin e kombit kinez në të gjitha frontet nëpërmjet rrugës kineze të modernizimit”.

Për një periudhë 15 vjeçare, Kina synon të shndërrohet në një vend të madh, modern, i begatë, i fortë, demokratik, i përparuar nga ana kulturore, harmonik dhe i bukur, por mbi të gjitha vend socialist, duke ushtruar qeverisjen bazuar në ligj.

Arritja e objektivit për modernizimin e vendit do të arrihet me anë të zhvillimit të forcave të punës dhe fuqizimit të shkencës dhe arsimit. “Arsimi, shkenca, teknologjia dhe burimet njerëzore janë shtyllat themelore dhe strategjike për ndërtimin e një vendi socialist modern në të gjitha aspektet”, tha Xi, që shtoi se “ne duhet t’i konsiderojmë shkencën dhe teknologjinë si forcën tonë prodhuese parësore, talentet si burimin tonë parësor dhe inovacionin si nxitësin parësor të rritjes, duke krijuar zona e fusha të reja zhvillimi dhe duke promovuar në mënyrë të qëndrueshme nxitësit e rinj dhe pikat e forta të reja të rritjes, dhe kjo, me anë të barazisë në arsim dhe përmirësimit të sistemeve për risitë shkencore e teknologjike, që do mbeten në qendër të modernizimit të Kinës, duke krijuar një ekosistem inovacioni të hapur dhe konkurrues në shkallë globale, duke ndërtuar qendra botërore për talentet dhe inovacionin me një ritëm më të shpejtë.

Një pjesë thelbësore e angazhimit të PKK do jetë puna për mirëqenien e popullit, me anë të ushtrimit të detyrës së qeverisjes. “Aspiratat për një jetë më të mirë do realizohen duke punuar më shumë së bashku”, tha Jinping, që duket se është tërësisht i bindur se mundësitë e barabarta, shtimi i të ardhurave, zgjerimi i shtresës së mesme, zhvillimi bujqësor dhe rural, konsolidimi i arritjeve, zhdukja e varfërisë dhe forcimi i themeleve të sigurisë ushqimore, janë objektiva që mund të realizohen me njerëzit dhe vetëm për njerëzit.

nga VCG

nga VCG

Një nga aspektet e rëndësishme ku Kina synon të jetë në pararojë është edhe mjedisi dhe mbrojtja e tij. Kina angazhohet që t’i japë përparësi mbrojtjes ekologjike, ruajtjes së burimeve dhe përdorimit të tyre në mënyrë të efektshme, duke synuar zhvillimin e gjelbër, reduktimin e mëtejshëm të emetimit të dioksidit të karbonit dhe nxitjen e konsumit të gjelbër, angazhime të kahershme këto të Kinës modern, që synon përfshirje edhe më të gjerë në mënyrë aktive në qeverisjen globale, si një përgjigje serioze ndaj ndryshimeve klimatike.

Një aspekt tjetër madhor për Kinën mbetet modernizimi i sistemit dhe kapacitetit të sigurisë kombëtare të vendit dhe ruajtja e sigurisë kombëtare dhe e qëndrueshmërisë së sistemit shoqëror. Kombi i madh kinez, me përvojën e tij mijëra vjeçare, ka arritur të ndërtojë një sistem shoqëror të mbështetur fort në traditën e jetës sociale, mbështetur në zhvillimet moderne shoqërore, të cilat kanë prekur mbarë globin. Por, kjo jetë sociale me synim zhvillimin dhe modernizimin kërkojnë intensifikimin e trajnimit të trupave dhe rritjen e gatishmërisë së përgjithshme luftarake, forcimin e qeverisjen e gjithanshme ushtarake dhe konsolidimin e përmirësimin e strategjive të integruara kombëtare dhe aftësive strategjike.

Jeta në Kinë dhe zhvillimet e saj nuk shikohen nga PKK si të veçuara nga pjesa tjetër e botës. Ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit kërkon përkushtimin e Kinës dhe Kina do e bëjë këtë përkushtim me synim zhvillimin e përbashkët të botës, duke bërë thirrje për të tëra vendet që të çmojnë vlerat e përbashkëta të njerëzimit për paqe, zhvillim, barazi, drejtësi, demokraci dhe liri, duke nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe shkëmbimet midis popujve të ndryshëm, duke “bashkëpunuar për të përballuar të gjitha llojet e sfidave globale”, tha Xi, që shtoi se qëndrimet dhe politikat e Kinës do jenë gjithmonë mbështetur në fakte dhe në drejtësi në arenën ndërkombëtare, duke qenë kundër të gjitha formave të hegjemonizmit dhe politikës së forcës, të mendësisë së Luftës së Ftohtë dhe të ndërhyrjeve në punët e brendshme të vendeve të tjera, pasi “Kina, kurrë, nuk do të synojë hegjemoni ose ekspansion”, theksoi ai, që më tej shtoi se Kina përpiqet të krijojë raste të reja zhvillimi për botën nëpërmjet zhvillimit të saj, duke ndërtuar një ekonomi të hapur globale në të mirë të popujve të ndryshëm, duke ju përmbajtur multilateralizmit të vërtetë dhe nxitjes së demokratizimin të marrëdhënieve ndërkombëtare, me synimin për ta bërë qeverisjen globale më të barabartë dhe më të drejtë, nën një sistem ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në qendër, me një rend ndërkombëtar bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare,  të mbështetura në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së.

Në aspektin ekonomik, Kina do të përshpejtojë krijimin e një modeli të ri zhvillimi, me synim zhvillimin me cilësi të lartë, duke përshpejtuar ndërtimin e një ekonomie të modernizuar dhe duke bërë përpjekje për të forcuar gjallërinë dhe besueshmërinë e ekonomisë së brendshme dhe duke u angazhuar në një nivel më të lartë në ekonominë globale. Kjo do arrihet me anë të shtimit të produktivitetit të përgjithshëm të faktorëve të prodhimit, duke vënë në funksionim dhe kapacitet të plotë dhe duke i bërë edhe më shumë elastikë zinxhirët industrialë dhe zinxhirët e furnizimit, duke promovuar zhvillimin e integruar urban-rural dhe zhvillimin e bashkërenduar rajonal, për të përmirësuar dhe zgjeruar në mënyrë eficiente dhe efektive prodhimin ekonomik, duke synuar “që tregu nga ana e tij të luajë rolin vendimtar në ndarjen e burimeve dhe qeveria nga ana e saj të luajë më mirë rolin e vet”, theksoi Xi.

nga VCG

nga VCG

Kina e pesë viteve që vijnë synon modernizimin e sistemit industrial, duke marrë masa për të nxitur industrializimin e ri dhe rritjen e aftësive të Kinës në sektorin e prodhimit, cilësinë e produkteve, hapësirën ajrore, transport, hapësirën kibernetike dhe zhvillimin dixhital, duke vendosur në plan të parë zhvillimin bujqësor e rural, zhdukjen e varfërisë, forcimin e themeleve të sigurisë ushqimore në të gjitha aspektet dhe promovimin e hapjes së vendit duke ofruar produkte dhe shërbime me standarde të larta dhe zgjerimin e qëndrueshëm me anë të hapjes institucionale lidhur me rregullat, rregulloret, menaxhimin dhe standardet, duke përshpejtuar transformimin për t’u kthyer sa më shpejt në një vend tregtues të produkteve e shërbimeve cilësore dhe duke promovuar edhe më tej nismën “Një brez, një rrugë”.

Për të tëra sa më lart, në themel qëndron edhe lufta kundër korrupsionit. Është një fakt i pamohueshëm se lufta kundër korrupsionit në Kinë tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare. Ku ka korrupsion nuk ka zhvillim dhe lufta kundër tij përbën një reformë më vehte. “Për sa kohë të ekzistojnë bazat dhe kushtet për korrupsion, asnjëherë nuk duhet të rreshtim së luftuari kundër korrupsionit”, u theksua në Kongres, dhe për këtë PKK, duhet të jetë gati të “përballojë erërat e forta, ujërat e rrëmbyeshëm dhe madje edhe stuhitë e rrezikshme”, tha Xi Jinping, që shtoi se “marksizmi funksionon, veçanërisht kur ai përshtatet me kontekstin kinez dhe nevojat e kohës sonë” dhe meqë jetojmë në një botë që “ka arritur edhe një herë një udhëkryq në histori, Kina angazhohet të promovojë zhvillimin e përbashkët dhe një komunitet njerëzor me një të ardhme të përbashkët”, pasi “vetëm kur të gjitha vendet të ndjekin kauzën e të mirës së përbashkët, të jetojnë në harmoni dhe të angazhohen në bashkëpunim për përfitime reciproke, do të ketë prosperitet të qëndrueshëm dhe siguri të garantuar.

Filozofia e të ardhmes do ketë në themel parimin se ndërtimi i së resë nuk mund të ndodhë përpara se të hidhet poshtë e vjetra dhe parimin se Kina është një vend ku themeli i saj janë njerëzit dhe se kinezët janë një popull që në thelb të zemrës së tyre kanë Kinën, një Republikë Popullore, për të cilën PKK ka luftuar shumë dhe për këtë ka mbështetjen e plotë të popullit kinez. Këto bëjnë që Kina moderne të kontribuojë maksimalisht për paqen globale dhe zhvillimin e botës së ditëve tona dhe botës së të ardhmes.
Nga: Dr. Enriko Ceko