Projekt-buxheti 2023:ekonomia shqiptare rritje 2.6 %
2022-10-17 10:04:06

Gjatë këtij viti parashikohet që ekonomia shqiptare të rritet me një normë prej 2.6 % në terma realë dhe 5.7% në terma nominalë. Nga ana tjetër gjatë vitit të ardhshëm parashikohet që inflacioni të fillojë të ngadalësohet duke arritur në një nivel mesatar prej 3.6%. Këto janë parashikimet e bëra nga Ministria e Financave, e cila tashmë ka miratuar edhe projektbuxhetin për vitin 2023.  Kjo është bërë e ditur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj e cila tha se gjatë viti të ardhshëm parashikohet që inflacioni të fillojë të ngadalësohet duke arritur në një nivel mesatar prej 3.6%.

Delina Ibrahimaj (Foto Ministria e financave)

Delina Ibrahimaj (Foto Ministria e financave)

“Kjo është dhe arsyeja pse ne kemi ulur parashikimet për vitin 2023 nga mbi 3% që e kishim në fillim të këtij viti në 2.6%. Megjithatë ne marrim parasysh rreziqet që lidhen me parashikimet për vitin e ardhshëm janë në krahun rënës dhe ky projekt-buxhet do të bëjë të mundur që të gjitha ato rreziqet të krijojnë hapësirat e duhura me qëllim që ekonomia shqiptare të përballojë të gjitha rreziqet që lidhen pra me këtë parashikim në një formë të duhur dhe solide duke krijuar hapësira për cdo goditje që mund të vijë në të ardhmen. Projekt-buxheti do të prezantohet në detaje në javët në vijim qoftë nëpër komisione parlamentare, qoftë nga Ministritë e linjës për cfarë parashikon ky projekt-buxhet si zëra kryesorë. Ajo që unë mund të them sot është që ky buxhet do të vijojë të mbështesë energjinë elektrike, pra mosrritjen e cmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe për bizneset e vogla dhe gjithashtu do të vijojë të mbështesë ato kategori të shtresave në nevojë në bazë të vendimeve që ne tashmë kemi marrë për të ruajtur të pandryshuar apo për të afektuar sa më pak buxhetet e familjeve shqiptare apo buxhetet e bizneseve shqiptare”- u shpreh Ibrahimaj.

Për sa i përket amnistisë fiskale, Ibrahimaj bëri me dije se ende nuk ka një datë për miratimin e këtij ligji, i cili është në diskutim e sipër edhe me faktorin vendas dhe atë ndërkombëtar dhe për të cilin ka aq shumë debate.

“Amnistia fiskale është një ligj krejtësisht i vecantë, i cili nuk është parashikuar në projekt buxhetin që ne sapo miratuam. Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur që ky është një ligj, i cili është ende në konsultim publik me partnerët tanë ndërkombëtarë, me të gjithë palët e interesit dhe nuk kemi ende një dartë për miratimin e këtij ligji. Ne sigurisht që po punojmë në mënyrë që paralelisht me ligjin dhe projekt ligjin e amnistisë fiskale të hartojmë të gjithë bazën nënligjore, pra të gjitha aktet nënligjore me qëllim që kurdo të arrijmë në një produkt final, në një ligj final të kemi gati dhe gjithë infrastrukturën jo vetëm për miratimin e ligjit por dhe për procedurat e kërkuara nga administrata shtetërore për zbatimin e këtij ligji” -shprehet  Ibrahimaj.

Ndërkohë  pas vizitës në  Shqipëri, një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi  se vendi nuk i përmbush kushtet për realizimin e aministisë fiskale të propozuar nga qeveria. Sipas Fondit, amnistia favorizon shmangësit e mëdhenj të taksave duke iu ofruar dhe imunitet nga ndjekja penale. Nga ana tjetër, administrata tatimore vlerësohet të jetë ende e dobët, ndërsa vendi me mangësi strategjike sa i takon luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Shefja e FMN Sun (Foto Gazeta tema)

Shefja e FMN Sun (Foto Gazeta tema)

“Ne shqyrtuam ligjin e propozuar për amnistinë fiskale të nxjerrë për konsultim publik në qershor. Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor.  Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë "dalje nga burgu" për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar (PDV), i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore.”-  deklaroi shefja e misionit të FMN-së Yan Sun.

 

Drejtues të fondit  lanë të nënkuptohet se në formën aktuale, propozimi është i papranueshëm për ta.

 

“ Një PDV ( program deklarimi vullnetar ) duhet të zbatohet vetëm kur plotësohen disa kushte.  (i) Një administratë tatimore moderne, kompetente dhe e mirëinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit, dhe kjo aftësi i është demonstruar publikut për të siguruar që ka një rrezik të besueshem zbulimi.  Kjo duhet të ekzistojë për të krijuar besimin se shmangësit e taksave që nuk deklarojnë do të ndiqen dhe ndëshkohen dhe se nuk do të ketë një PDV( program deklarimi vullnetar )  të mëtejshme;  (ii) një kornizë efektive per luften kunder pastrimit te parave dhe luften kunder financimit te terrorizmit LPP/LFT që është në gjendje të zbusë rreziqet e  programit të deklarimit vullnetar .”

 

Takimi Sun Sejko dhe Ibrahimaj (Foto Ministria e financave )

Takimi Sun Sejko dhe Ibrahimaj (Foto Ministria e financave )

Sipas Sun  në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulëta, parakushtet për një program te deklarimit të suksesshme nuk përmbushen.

 

“ Në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulta, parakushtet për një PDV të suksesshme nuk përmbushen. Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare.  Shqipëria ende ka mangësi strategjike për  Luftën për Pastrimin e Parave dhe Luftën për Financimin e Terrorizimit.”- shprehet shefja e misionit te FMN-së në Shqipëri.

 

Në deklaratën përmbyllëse, FMN është ndalur edhe tek situata ekonomike, inflacioni, borxhi publik, kriza energjetike dhe monitorimi i koncesioneve. Këtë vit rritja ekonomike pritet të jetë 3.7 për qind ndërsa për 2023 projeksionet janë pesimiste.FMN vijon t’i qëndrojë skenarit për një rritje me vetëm 2 për qind. Sakaq, norma e inflacionit pritet të arrijë kulmin në muajt në vijim, duke filluar uljen vetëm në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin prej 3 për qind e Bankës së Shqipërisë nga mesi i 2024. Në këtë situatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ripërsëritur thirrjen ndaj qeverisë për të mbështetur familjet në nevojë.

“Inkurajojmë autoritetet të shfrytëzojnë të gjithë kuadrin ekzistues të mbrojtjes sociale për të shënjestruar më mirë dhe për të përmirësuar mbulimin, si dhe për të siguruar qasje për ata që kanë më shumë nevojë. Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme dhe e shënjestruar tek shtresat në nevojë. Rritja e eficiencës dhe e besueshmërisë tek financat publike mbetet jetike për të ruajtur besimin e tregut dhe për të zbutur kostot e më të larta të huamarrjes”, thuhet në deklaratën përmbyllëse.