Zyrtari: Kina do të zgjerojë me vendosmëri hapjen e gjithanshme
2022-10-17 17:41:59

Foto: VCG

Kina do të zgjerojë në mënyrë të vendosur hapjen e gjithanshme dhe do të nxisë një globalizim ekonomik më të hapur, përfshirës, të ekuilibruar dhe me përfitime për të gjithë, tha të hënën një zyrtar i organit më të lartë të planifikimit ekonomik të vendit.

Ka pasur një keqkuptim rreth modelit të ri të zhvillimit, të përqendruar në ekonominë e brendshme dhe në ndërveprimin pozitiv ndërmjet qarkullimit ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm, u shpreh në një konferencë shtypi në kuadër të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës Zhao Chenxin.

Sipas tij, është e gabuar të mendohet se, duke u fokusuar në ekonominë e brendshme, Kina do të dobësojë përpjekjet për hapjen e saj ose madje edhe se do të kthehet në një "ekonomi të vetëmjaftueshme".

Globalizimi ekonomik është bërë një prirje e pakthyeshme, tha Zhao Chenxin, duke shtuar se Kina është tashmë thellësisht e integruar në ekonominë globale e sistemin ndërkombëtar dhe se industritë kineze e ato të shumë vendeve të tjera janë mjaft të ndërlidhura e të ndërvarura.

Ai u shpreh se nxitja e një modeli të ri zhvillimi është shumë e rëndësishme për Kinën për të arritur zhvillimin me cilësi më të lartë, më të efektshëm, më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. (Artan)