Turizmi kulturor nxit rigjallërimin rural në fshatrat malore
2022-10-17 11:47:57

foto nga VCG

Fshati Qingxi/ foto nga VCG

Fushat e gjera, lulet e çelura të zambakut të ujit dhe shtëpitë e pastra me çati gri dhe mure të bardha të shpërndara në mes të pemëve të harlisura, tërheqin vizitorët e shumtë që hyjnë në fshatin Qingxi me këtë pamje idilike.

I vendosur pranë qytetin Yiyang në provincën Hunan të Kinës Qendrore, fshati Qingxi është vendlindja e Zhou Libo, një shkrimtar i famshëm kinez. Duke marrë si sfond fshatin Qingxi, Zhou krijoi disa vepra letrare, të cilat e kanë bënë të njohur Qingxi-në si "vendlindja e letërsisë".

foto nga VCG

Busti i shkrimtarit Zhou Libo në fshatin Qingxi / foto nga VCG

Ky fshat rural nisi të krijojë markën e tij të turizmit kulturor në vitin 2008, duke i shndërruar burimet kulturore në pasuri. Aty u zhvilluan një sërë pikash turistike, si restaurimi i ish-rezidencës së shkrimtarit, ndërtimi i një parku të përvojës së kulturës së agroturizmit dhe një sallë ekspozite për demonstrimin e ndryshimeve të fshatit gjatë viteve të mëparshme. Turizmi u ka sjellë fermerëve të fshatit përfitime të prekshme. Të ardhurat vjetore për frymë të anëtarëve të fshatit u shtuan nga rreth 4.600 juanë (afro 678 dollarë amerikanë) para vitit 2005, në 8.800 juanë në vitin 2010, sipas He Zhiang, kreut të Partisë në fshatin Qingxi.

Në vitin 2018, në përputhje me strategjinë e rigjallërimit rural të vendit, fshati Qingxi nisi një projekt për përmirësimin cilësor në pikat e tij turistike. Në bashkëpunim me një kompani shtetërore të turizmit, në vitin 2018, fshati Qingxi riplanifikoi strukturën e tij hapësinore dhe përmirësoi objektet turistike për zhvillimin e përgjithshëm. Duke filluar nga libraria dhe teatri me temën e shkrimtarit Zhou Libo, deri te bujtinat e ndyshme fshatare, fshati Qingxi ka zhvilluar mbi 20 pika piktoreske natyrore e kulturore, duke krijuar një zinxhir relativisht të plotë të industrisë së shërbimeve kulturore e turistike. Gjatë sezonit të pikut turistik, shumë klube librash dhe institucione kërkimore organizojnë aktivitete kulturore atje, duke nxitur zhvillimin e vrullshëm të shtëpive me qira, shfaqjeve artistike si dhe shitjes së produkteve karakteristike bujqësore.

foto nga VCG

Shtëpi libri në fshatin Qingxi/ foto nga VCG

Fshati priti afro 1 milion vizitorë në vitin 2021, ndërsa të ardhurat e disponueshme për frymë i kaluan 50 mijë juanë më 2021-in. Fermerja Liu Shengnan drejton një çajtore jo shumë larg nga ish-rezidenca e shkrimtarit Zhou për mbi gjashtë vjet, duke shitur çaj dhe gatime karakteristike lokale. Me shtimin e numrit të turistëve vit pas viti, dyqani i saj i vogël tani ka një fitim prej mbi 100 mijë juanë në vit. "Hapja e kësaj çajtoreje më ka sjellë shumë ndryshime në jetën time. Dikur nuk kisha pothuajse asnjë të ardhur, por tani kam fitime të qëndrueshme dhe një jetë më të mirë," - thotë Liu. Zhvillimi i fshatit ka inkurajuar më shumë njerëz të kthehen në vendlindje për të nisur biznesin. Gjatë tre viteve të shkuara mbi 200 persona janë kthyer në Qingxi. 

Deng Xudong është njëri prej tyre. Ai u largua në vitin 2019 nga metropoli Shenzhen, nyja ekonomike e Kinës Jugore për në fshatin Qingxi. Aktualisht ai merret kryesisht me industrinë bujqësore e riprodhuese si dhe atë të tregtisë elektronike me transmetim të drejtpërdrejtë. "Qingxi ka ndryshuar në mënyrë kolosale gjatë viteve të fundit dhe unë dua të jem pjesë e rigjallërimit të vendlindjes sime. Perspektiva e ndritshme në zhvillimin rural u ofron të rinjve shumë mundësi suksesi," përfundon Deng. (Wang Lei/ Laçi)

foto nga VCG

Fshati Qingxi / foto nga VCG