Foto: VCG
Xi Jinping-u i bëri thirrje të hënën të gjithë popullit kinez që të qëndrojë i bashkuar si "një copë e fortë çeliku" nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe të bashkohet në një mendje për ta bërë anijen gjigante të përtëritjes kombëtare të arrijë në destinacionin e saj duke kaluar përmes erës dhe dallgëve.
Gjatë pjesëmarrjes në diskutimin në grup me delegatët nga Rajoni Autonom Guangxi-Zhuang i Kinës Jugore, të cilët marrin pjesë në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së, Xi theksoi se ky Kongres përcakton më tej drejtimin për zhvillimin e kauzës së Partisë e të vendit dhe shërben si një deklaratë politike dhe program veprimi për Partinë që ta bashkojë popullin kinez për të mbështetur dhe zhvilluar socializmin me karakteristika kineze.
Liu Ning, Lan Tianli, Zhou Jiabin, Zhu Xuelan dhe Zheng Zhiming, pesë delegatë nga Rajoni Autonom Guangxi-Zhuang, shprehën mendimet e tyre mbi raportin e mbajtur në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së. Ata u shprehën se raporti planifikon në mënyrë shkencore qëllimet, detyrat dhe politikat për zhvillimin e kauzës së Partisë e të vendit në pesë vjetët e ardhshëm ose një periudhë kohe edhe më të gjatë, dhe paraqit një varg idesh, strategjish e masash të reja. "Raporti është një dokument programatik që na udhëzon të ndërtojmë një vend socialist modern në mënyrë të gjithanshme dhe të marshojmë drejt Objektivit të Njëqindvjetorit të Dytë," thanë ata.
Gjatë fazës së diskutimeve, Xi shkëmbeu thellësisht mendime me delegatë. Pasi dëgjoi fjalët e tyre, Xi shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në diskutimet e delegacionit të Guangxi-së. Ai gjithashtu përshëndeti delegatët dhe më shumë se 2.5 milionë anëtarët e partisë dhe 57 milionë kuadrot dhe banorët e të gjitha kombësive në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang.
Xi vuri në dukje se, pas Kongresit të 18-të, komitetet e Partisë dhe organet e pushtetit vendor të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang, duke zbatuar vendimet dhe planet e Komitetit Qendror të Partisë, arritën fitore në luftën kundër varfërisë. Guangxi ka ndërtuar një shoqëri relativisht të begatë në të gjitha aspektet në të njëjtën kohë me të gjithë vendin dhe e ka ngritur në një nivel të ri forcën e vet të gjithanshme. Reforma dhe Hapja është thelluar në mënyrë gjithëpërfshirëse, mjedisi ekologjik është përmirësuar më tej, niveli i jetesës së popullit është ngritur shumë dhe pamja e qyteteve dhe e qytezave të Guangxi-së ka ndryshuar mjaft. Këto arritje pasqyrojnë praktikën e suksesshme të politikës së kombësive të Partisë dhe të sistemit të autonomisë rajonale të kombësive, dhe janë një mishërim i gjallë i ndryshimeve të mëdha në epokën e re të Kinës në dhjetë vjetët e fundit.
Xi theksoi se bashkimi sjell fitoren dhe përpjekjet sjellin suksesin. "Që prej Kongresit të 18-të, jemi mbështetur te populli për të stabilizuar ekonominë, për të nxitur zhvillimin, për të luftuar varfërinë, për të ndërtuar shoqërinë e begatë, për të kontrolluar epideminë, për të përballuar ndryshimet e mëdha e për të zgjidhur krizat, duke dalë nga vështirësitë e duke krijuar mrekulli njëra pas tjetrës. Tani detyra më e rëndësishme është që të bëjmë përpjekje për të realizuar me efektivitet planet që do të hartohen në Kongresin e 20-të," u shpreh Xi Jinping-u. (Çang Çuo)