Foto:VCG
Udhëheqës dhe personalitete botërorë kanë shprehur urime për hapjen e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) të dielën.
Në mesazhet drejtuar Xi Jinping-ut ose Komitetit Qendror të PKK-së, ata vlerësojnë lart zhvillimin dhe përparimin që ka arritur Kina në kauzat e saj të ndryshme nën udhëheqjen e PKK-së.
Cyril Ramaphosa, president i Afrikës së Jugut dhe kryetari i Kongresit Kombëtar Afrikan (KKA), tha se KKA-ja vlerëson miqësinë vëllazërore me PKK-në, duke shtuar se solidariteti dhe vlerat e përbashkëta janë themeli i fortë i lidhjeve mes tyre.
Alberto Fernández, president i Argjentinës dhe kryetar i Partisë së Drejtësisë, theksoi se çelësi i arritjeve të mëdha të Kinës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror është udhëheqja e fortë e PKK-së.
Ranil Wickremesinghe, president i Sri-Lankës dhe kryetar i Partisë Kombëtare të Bashkuar (PKB), vuri në dukje se PKB-ja ka një miqësi të gjatë me PKK-në dhe ka kryer shkëmbime miqësore me të përpara se të dy vendet të vendosnin marrëdhënie diplomatike.
Marrëdhëniet ndërmjet të dy partive janë të sinqerta e miqësore, gjë që ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e lidhjeve dypalëshe dhe të mirëqenies për popujt e të dy vendeve, theksoi Wickremesinghe.
Nën udhëheqjen e aftë të PKK-së, arritjet e popullit kinez në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe modernizimin kombëtar kanë mahnitur botën, tha Emomali Rahmon, president i Taxhikistanit dhe udhëheqës i Partisë Demokratike Popullore.
Presidenti palestinez Mahmud Abbas, gjithashtu kryetar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, u shpreh se Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së është një ngjarje e madhe politike në sfondin e arritjeve të brendshme dhe të jashtme të PKK-së.
Presidenti i Kirgizistanit Sadyr Japarov shprehu besimin se vendimet e Kongresit do të nxisin më tej zhvillimin dhe përparimin e Kinës.
Nën udhëheqjen e Xi Jinping-ut dhe me unitetin e përpjekjet e të gjithë anëtarëve të PKK-së, Kina ka pasur arritje të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme, duke shkuar drejt ndërtimit të një vendi socialist modern në të gjitha aspektet, vuri në dukje kryetari i partisë “Rusia e Bashkuar” dhe zv.kryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë Dmitry Medvedev. (Çang Çuo)