Satelitët shqiptarë gati për t'u lëshuar nga “Kennedy Space Center”
2022-10-17 11:58:15

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka njoftuar në rrjetet sociale se satelitët ALBANIA 1 dhe ALBANIA 2 janë gati për t'u lëshuar nga “Kennedy Space Center” në Florida të SHBA.

“Dy sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2”, shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Sipas kryeministrit Rama, Shqipëria do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj, e një sërë institucioneve e subjekteve, publike ose private, puna e të cilave lidhet me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane, prodhimin bujqësor, zhvillimin urban, titujt e pronësisë, e me radhë. (Fatosi)