Artisti shqiptar, Skënder Beck publikoi këngën e parë në gjuhën shqipe
2022-10-16 10:27:45

foto/facebook

foto/facebook

Artisti shqiptar Skënder Beck, i cili jeton në Los Anxhelos të Kalifornisë, ka publikuar këngën e tij të parë në gjuhën shqipe  me titullin “Sa Larg…”. Kënga është kompozuar nga vetë artisti, e shoqëruar në bateri nga Brian Petry, bateristi zyrtar i GMS Drums, në kitarë interpreton Andrevv Timothy, muzikant nga Nashville, Tennessee, ndërsa inxhinier zëri është legjenda e miksit Chris Wonzer i cili ka bashkëpunuar me yjet botërore si (Pink, Stone Temple Pilots, Phil Collins, Sting, R.E.M., Deep Purple). Kënga është incizuar në Melrose Studios, në Los Anxheles dhe vjen e shoqëruar edhe me një videoklip, ku Skender Beck shfaqet i shoqëruar me kitarën e tij.

Skënder Beck përveçse këngëtar është edhe një aktor me përvojë. Aktualisht ai jeton në Los Angelos, por dashuria e tij për muzikën u kultivua në Kosovë. Që në fëmijëri është angazhuar me muzikë dhe aktrim. U rrit duke dëgjuar muzikë rock dhe nisi të performonte me disa grupe muzikore. Ai studioi teatër dhe ka marrë dy çmime nga Teatri Kombëtar i Kosovës për aktrimin e tij. Në vitin 1997, Skënder Beck shkoi në New York për të vazhduar shkollimin në Institutin e Teatrit Lee Strasberg dhe që prej asaj kohe ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Këngët e tij janë një kulm i karrierës së shqiptarit Beck, të cilat pas shumë viteve  vendosi t’i mbledhë në një album. Për disa nga këngët e këtij albumi, Beck ka punuar me Marc DeSisto, nominuar nga Grammy, eksperiencat e të cilit përfshijnë punë të ndryshme me gjigantët klasikë të rokut si Pink Floyd dhe U2, ku ka punuar për disa këngë për albumin e tij. Përvojat e jetës, puna e madhe dhe përkushtimi i tij janë faktorët kryesorët që krijuan albumin e shqiptarit Skënder Beck,i  cili tashmë sjell edhe këngën në gjuhën shqipe “Sa Larg…”.