Kina do të përshpejtojë krijimin e një modeli të ri zhvillimi dhe do të ndjekë zhvillimin me cilësi të lartë, tha Xi Jinping-u në një raport në sesionin e hapjes së Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës.
Foto: VCG
Kina do të shpejtojë ndërtimin e një ekonomie të modernizuar dhe do të bëjë përpjekje për të forcuar gjallërinë dhe besueshmërinë e ekonomisë së vet të brendshme, duke u angazhuar në një nivel më të lartë në ekonominë globale, tha Xi.
Kina do të rritë produktivitetin e përgjithshëm të faktorëve, do t'i bëjë zinxhirët industrialë dhe të furnizimit më elastikë e më të sigurt dhe do të promovojë zhvillimin e integruar urban-rural dhe zhvillimin e bashkërenduar rajonal, për të përmirësuar dhe zgjeruar prodhimin ekonomik në mënyrë efektive.
“Ne do të punojmë që tregu të luajë rolin vendimtar në ndarjen e burimeve dhe që qeveria të luajë më mirë rolin e saj," theksoi Xi.
Ai shtoi më tej se sistemi industrial do të modernizohet, me marrjen e masave për të nxitur industrializimin e ri, dhe do të rritet aftësia e Kinës në sektorin e prodhimit, cilësinë e produkteve, hapësirën ajrore, transport, hapësirën kibernetike dhe zhvillimin digjital.
Foto: VCG
Kina do të vijojë të vendosë në plan të parë zhvillimin bujqësor e rural, të konsolidojë e zgjerojë arritjet në zhdukjen e varfërisë dhe të forcojë themelet e sigurisë ushqimore në të gjitha aspektet.
Gjithashtu, do të promovohet hapja me standarde të larta. Kina do të zgjerojë në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale lidhur me rregullat, rregulloret, menaxhimin dhe standardet, do të përshpejtojë transformimin në një vend tregtues të produkteve e shërbimeve cilësore dhe do të promovojë zhvillimin me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”, tha Xi. (Li Huailiang/Artan)