foto: Xinhua
Pesë vjetët që nga Kongresi i 19 -të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) kanë qenë vërtet të rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm, tha Xi Jinping-u të dielën.
Në raportin e mbajtur në sesionin e hapjes të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, Xi vuri në dukje se Komiteti Qendror i PKK-së ka ndjekur strategjinë e përtëritjes kombëtare në sfondin e ndryshimeve globale të papara në një shekull, duke hartuar plane madhore strategjike për të çuar përpara kauzën e Partisë e të vendit.
"Ne i kemi kushtuar energji të mëdha ndërtimit të një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet, jemi përqendruar në promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë dhe kemi punuar për të krijuar një model të ri zhvillimi.
Ne kemi zbatuar reformën me një ritëm të shpejtë e të qëndrueshëm, kemi bërë përparim të madh në zhvillimin e demokracisë popullore në të gjithë procesin dhe kemi nxitur qeverisjen e bazuar në ligj në të gjitha fushat,” tha Xi.
Më tej ai shtoi: “Ne kemi siguruar e përmirësuar mirëqenien publike dhe kemi përqendruar burimet për të zhvilluar një betejë kritike kundër varfërisë, si edhe kemi bërë shumë përpjekje për të përmirësuar mbrojtjen ekologjike. Ne kemi punuar me vendosmëri për të mbrojtur sigurinë kombëtare, për të zbutur rreziqet kryesore dhe për të siguruar stabilitetin shoqëror, duke i kushtuar një energji të madhe modernizimit të mbrojtjes kombëtare dhe të forcave të armatosura.”
Në vijim Xi tha: “Për t'iu përgjigjur sulmit të papritur të COVID-19, ne kemi mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e njerëzve në masën më të madhe të mundshme dhe kemi pasur arritje të jashtëzakonshme si në përgjigjen ndaj epidemisë, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik e shoqëror.”
Duke folur lidhur me Hong-Kongun, ai u shpreh: “Përballë situatës së turbullt në Hong-Kong, qeveria qendrore ushtroi juridiksionin e përgjithshëm mbi rajonin e posaçëm administrativ siç përshkruhet në Kushtetutën e Republikës Popullore të Kinës dhe Ligjin Themelor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, duke siguruar që Hong-Kongu të qeveriset nga patriotët dhe duke kthyer rendin në këtë rajon”.
"Në përgjigje të aktiviteteve separatiste që synojnë ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe provokimeve të ndërhyrjes së jashtme në çështjen e Tajvanit, ne kemi luftuar me vendosmëri kundër separatizmit dhe ndërhyrjes, duke demonstruar vendosmërinë dhe aftësinë tonë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e territorit të Kinës," u shpreh më tej ai.
"Gjatë pesë vjetëve të fundit, Partia Komuniste e Kinës e ka bashkuar popullin dhe e ka udhëhequr atë në zgjidhjen e një numri të madh problemesh që kishin mbetur për një kohë të gjatë të pazgjidhura, duke pasur shumë suksese që kanë rëndësi të madhe për të ardhmen dhe duke arritur përparime mbresëlënëse në kauzën e PKK-së dhe të vendit," vuri në pah Xi Jinping-u.(Zhan Dian/Artan)