Sara Bajraktari rikthehet te “Kënga Magjike”
2022-10-16 10:25:30

Sara Bajraktari është këngëtare e re në moshë, por me pjesëmarrje të shumta në aktivitete, talent show dhe në festivale. Sara Bajraktari që në moshën 7-vjeçare ka performuar në festivale fëmijësh, duke u vlerësuar edhe me çmime si,  “Vokali më i mirë" për grup-moshën e saj. Prej disa vitesh Sara ka studiuar privatisht pianon, merr  leksione për kanto, ndërsa të hënën nis edhe studimet e larta për kanto. Ajo ka disa zhanre muzikore të preferuara si,muzika pop, blues dhe jazz. Sara ka marrë pjesë në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, Festivali i 50-të i Fëmijëve në Tiranë, si dhe Perform Fest 2011 & 2012.

Sara Bajraktari në intervistë për  CMG

Sara Bajraktari në intervistë për  CMG

Në vitin 2016, Sara Bajraktari mori pjesë në talent shown për fëmijë “Gjeniu i Vogël 7”, ku u shpall finaliste, në shtator të vitit 2017 mori pjesë në JESC 2017, ku me këngën "Flas me ëndrrën" fitoi çmimin e dytë. Në vitin 2018, ajo u bë pjesë e Talent Show-t “Voice Kids of Albania”, duke arritur deri në fazën gjysmëfinale. Dëshira e madhe e Sarës është që emri i saj të bëhet shumë i njohur në vendin tonë, por edhe në skenat ndërkombëtare. Ajo ka marrë pjesë në Festivalin e 58-të të këngës në Rtsh, duke u vlerësuar me çmimin e tretë me këngën me titull “Ajër”, ndërsa ka edhe dy pjesëmarrje në Festivalin “Kënga Magjike”, ku këtë vit konkuron me këngën me titull “Ça m’bone”. Sara nuk këndon shumë bukur vetëm baladat, por edhe këngët operistike, ndër të cilat dhe “Carmen”.

Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ajo rrëfen për këngën e saj të re, rrugëtimin artistik, por edhe planet e saj për të ardhmen.

CMG: Ti ke marr pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar dhe të gjithëve ju ka mbetur në mendje kënga jote “Ajër”, por këtë vit ti vjen në edicionin e ri të Festivalit “Kënga Magjike” me këngën me titull “Ça m’bone”. Sipas portaleve dhe prezantimit tënd në edicionin më të ri të festivalit “Kënga magjike” thuhet se kjo këngë është një dedikim. Por për çfarë dedikimi bëhet fjalë?

Sara Bajraktari: Kënga “Ça m’bone” është një dedikim ndaj tradhtisë, nuk është diçka personale, por mendoj se kushdo mund ta përshtasë sipas situatës së vet.

CMG: A është e vështirë për ty që  fabulën e këngës ta bësh tënden e ta transmetosh më pas në publik?

Sara Bajraktari: Sigurisht që e bëj timen fabulën e këngës dhe mendoj se çdo këngëtar e ka të  domosdoshme ta bëj të vetën këngën përpara se ta interpretojë sepse kështu  është e vetmja mënyrë për ta sjellë sa më afër publikut.

Sara Bajraktari në Kenga Magjike 2022

Sara Bajraktari në Kenga Magjike 2022

CMG: Si e sheh konkurencën këtë vit në “Kënga Magjike” aq më tepër që je në kategorinë e artistëve “Big”?

Sara Bajraktari: Me thënë të drejtën nuk e kam idenë sesi

 do jet konkurenca sepse është akoma java e dytë dhe sapo kanë dalë këngëtarët e kësaj jave, kështu që të shoh në vazhdim se si do jetë, pres t’i ndjekim.

CMG: Ardian Hila është kompozitori yt i preferuar besoj se duhet të jetë parderisa i ke nisur bashkëpunimet me të si në Festivalin e RTSh-së, por edhe në Këngën Magjike. Do vazhdoni ende projekte të tjera së bashku?

Sara Bajraktari: Po patjetër. E kam menduar gjatë dhe tani jemi akoma duke punuar së bashku për disa projekte të tjera, që do të vijnë në vazhdimësi.

CMG: Na trego pak më tepër se si erdhi kënga “Ça m’bone”?

Sara Bajraktari: Më është dashur diku 3-4 ditë për ta mësuar, por që kjo këngë erdhi shumë shpejt tek Adi Hila. Çdo gjë rrodhi shumë mirë dhe kënga më ka pëlqyer që në momentin e parë që e dëgjova dhe ishte një sukses. Kjo këngë lindi kur ishim duke punuar për një projekt tjetër, por pastaj rrugës vendosëm të marrim pjesë te “Kënga magjike” me këtë këngë.

CMG: Është bukur të interpretosh në një festival, në këtë garë muzikore si ty në javët e para apo më mirë në javën e fundit?

Sara Bajraktari: Unë mendoj se të marrësh pjesë në javët e para është një plus sepse kënga ka më shumë kohë që të dëgjohet dhe të pritet nga publiku sesa këngët e javës së fundit, të cilat dalin direkt në finale. Mendoj se është më mirë kështu.

foto/youtube

foto/youtube

CMG: Si ka nisur muzika tek ty?

Sara  Bajraktari: Muzika tek unë  ka nisur shumë natyrshëm që kur isha  e vogël në kopësht. Në moshën 7 vjeçare nisa kursin e kantos dhe të pianos.

CMG: Çfarë këngësh dëgjoje më shumë në atë kohë dhe çfarë këngësh këndon më tepër tani?

Sara  Bajraktari: Kur isha e vogël dëgjoja këngë të Armend Rexhepagiq, Soni Malaj, etj. Ndërsa për të kënduar interpretoja këngë për fëmijë që krijoheshin për mua.

CMG: Të kanë pëlqyer që e vogël baladat?

Sara Bajraktari: Baladat i këndoja që e vogël nëpër shtëpi sepse me thënë të drejtën i ndjej më shumë pasi jam tip melankolik dhe aty e gjej veten më shumë. Por në të ardhmen do eksperimentoj më shumë në stilin tim.

CMG: Si ka qenë rrugëtimi yt muzikor, pasi ti ke marë pjesë në shumë kompeticione përpara pjesëmarrjeve në festivale.

Sara  Bajraktari: Ka patur shumë ulje-ngritje, shumë emocione. Si natyrë i përjetoj shumë gjërat, kur nuk ecin ashtu siç dua unë. Por asnjëherë nuk heq dorë nga diçka, prandaj jam edhe këtu ku jam sot.

CMG: Si në Voice apo Gjeniu ti ke dalë në finale, si ndjehesh?

Sara  Bajraktari: Jam shumë krenare për çfarë kam arritur, patjetër që kërkoj më shumë, por herë pas herë i shoh videot dhe pjesëmarrjet e mia.

CMG: Dhe sukseset e tua kanë ardhur falë punës së..

Sara Bajraktari:  Falë punës sime, por edhe mësueses Ema Kançi, e cila më ka dhënë gjithë jetën leksion e deri më sot. I jam shumë mirënjohëse.

CMG: Pa shumë viteve pune me muzikën, ti tashmë je regjistruar në Akademinë e Arteve. Na trego më tepër për këtë?

Sara  Bajraktari: Unë tani në tetor nis studimet e larta në Unviversitetin Europian të Tiranës, dega e kantos.

CMG: Të pëlqen muzika klasike?

Sara  Bajraktari: Më pëlqen,  nuk  e ushtroj, por do mësoj diçka të re.

CMG: Cili është zhanri yt më  i preferuar?

Sara  Bajraktari: Më të preferuara kam R&B, Jazz dhe Blues, pastaj vjen edhe muzika pop, etj.

CMG: Ti ke marë pjesë në Festivalin e Këngës së Rtsh-së dhe që në daljen e parë kënga jote "Ajër" u përqafua shumë nga publiku. Si ishte për ty ai prezantim dhe a e prisje çmimin e tretë?

Sara  Bajraktari: Ishte mjaft emocionuese ajo pjesëmarrje dhe kisha pak përgjegjësi mbi shpatulla se pati bujë të madhe ai festival. Unë isha më e vogla, më e reja dhe njihesha më pak nga të gjithë. Kur u dëgjua kënga, pati një pritshmëti për interpretimin tim live dhe kur dola në skenë ndjeja një presion shumë të madh, por ja dola me sukses dhe jam e kënaqur me paraqitjen time aty.

foto/facebook

foto/facebook

CMG: Kënga "Ajër" ishte një dedikim?

Sara  Bajraktari: Kënga i dedikohet babait tim edhe pse në fillim e mbajta të fshehtë, por kur mora çmimin e tregova se për kë bëhej fjalë. Mund të them se është një nga këngët e mia që do vazhdojë të qëndrojë shumë gjatë.

CMG: Ti Sara ke interpretuar përveç këngës edhe në disa instrumenta si piano e kitarë. Na trego  se si po ecën tani?

Sara Bajraktari: Unë kam marë mësime privatisht në piano për disa vite dhe kam luajtur pjesë të Shopen,Bethoven, etj.  Ndërsa në kitarë nuk vazhdova dot gjatë për shkak se kam dorën e vogël, kisha probleme me akordet, dhe hoqa dorë sepse ishte diçka që nuk mund ta bëja dot.

CMG: Dëshiron në të ardhmen të shoqërosh veten në piano duke kënduar?

Sara Bajraktari: Po, ky ka qenë qëllimi im që kur nisa ta mësoja pianon, pra që të shoqëroja veten time sepse në fund të ditës është një plus. Gjithashtu kam edhe një violinë në shtëpi, që ma ka blerë babi që kur isha e vogël, por nuk e kam vënë asnjëherë në punë se për mua është një instrument i vështirë.

foto/facebook

foto/facebook

CMG: A merret dikush nga rrethi yt familjar me muzikë?

Sara Bajraktari: Mami im kur ishte e vogël këndonte në korin e shkollës, por asnjë profesionalisht, unë jam e para. Me mbështetjen e mamit kam ecur shumë sepse  në të kundërt do kishte mbetur një ëndërr në sirtar.

CMG: Cili është komplimenti më i bukur që ke marrë?

Sara Bajraktari: Një nga komplimentat më të bukur që kam marë është kur njerëzit  dëgjojnë zërin tim dhe " u ngjethet mishi". Aty e kuptoj se unë ja kam dalë dhe e kam transmetuar këngën ashtu siç duhet.

CMG: Eshtë e vështirë që të futesh brenda rolit të këngës, fabulën?

Sara Bajraktari:  Varet se për çfarë flet dhe sa afër është me situatën në jetën reale. Kjo ndodh me ndonjë cover se me këngët e mia nuk kam probleme. Me këngët e huaja duhet pak kohë sa të futem në karakter e të krijoj botën emocionale të këngës, dhe në momentin që unë e arrij këtë, çdo gjë shkon vaj.

CMG: Cilat janë planet dhe projektet në vazhdim Sara?

Sara Bajraktari: Pas disa viteve pauzë gjatë kohës së pandemisë dhe rrethanave të tjera të jetës, unë do vazhdoj të jem aktive sa më shumë. Të paktën do mundohem dhe shpresoj që të më ecin gjërat sa më mirë. Kam disa projekte për të cilat po punoj, por për momentin nuk mund të flas deri sa të konkretizohet.  Fokusi im në këto momente është “Kënga Magjike”, ku shpresoj që të dalë mire, më pas të shohim.

foto/facebook

foto/facebook

CMG: Ke ndonjë synimi të cilin ja ke vënë vetes?

Sara Bajraktari: Synimi im është që emri im si këngëtare, të bëhet shumë  i dëgjuar në Shqipëri, por edhe në një rang ndërkombëtar .

CMG: Të uroj shumë suksese në “Kënga Magjike”, por edhe në çdo projekt që t’i do realizosh.

Sara Bajraktari: Faleminderit!

Intervistoi: Sava Lena