Mjekët në alarm: 1 në 7 fëmijë me probleme në shikim
2022-10-15 15:31:16

foto/VCG

foto/VCG

Mjekët japin alarmin për shtimin e problemeve në shikim te fëmijët, që ndikon edhe në lodhje gjatë mësimit. Sipas tyre, 1 në 7 fëmijë shkon për vizitë të specializuar te okulisti.

Programi Kombëtar i Depistimit ka zbuluar se mprehtësia e shikimit të tyre ka rënë dhe në shumë raste konstatohen nxënës me sy dembel dhe probleme të forta në shikim, probleme këto të mbartura në kohë që u kanë shpëtuar edhe vetë prindërve, shkruan “RTSH”.

Mjekja Eliverta Kanina shprehet se fatkeqësisht syri dembel nuk korrigjohet pas moshës 7-8 vjeç. Ajo konstaton me keqardhje se shikimi i fëmijëve është gjatë gjithë kohës nën presionin dritës së fortë të ekraneve.

Që nga fillimi i vitit të ri shkollor e deri në mes të tetorit janë referuar tek specialistë 1163 fëmijë nga 4 qytete të Shqipërisë ku shtrihet programi i depistimit, ndërsa që nga koha e fillimit të tij numri i fëmijëve të referuar me probleme është mbi 12.100. (Irma)