“Mirënjohje” titullohet koncerti recital i kantautorit Gjergj Leka, në 60 vjetorin e lindjes së tij dhe 45 vjetorin në skenë.
Ky ishte një koncert, i cili bëri bashkë nostalgjinë dhe të ardhmen, ku pjesëmarrës ishin këngëtarët më në zë të para viteve ’90, por edhe shumë talentë të rinj, të cilët i sollën mjaft bukur këngët ndër vite. Kantautori Gjergj Leka ideimin e këtij recitali e përcolli shumë bukur dhe me mjaft emocion, por edhe moderimin e gjithë koncertit, duke rrëfyer fillimet e karrierës, sukseset e tij të para, jetën në Itali, rikthimin në skenë, por edhe misionin që ai ka për të mbajtur gjallë vlerat e muzikës shqiptare. Ai nuk është dakord me shprehjen e famshme se jeta nis 40 vjeç, sepse këtë e patën thënë autorë amerikanë me libra motivues që në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar, madje e bënë film me të njëjtin titull.
Sot gjen me qindra artikuj psikologjikë me argumente se përse jeta e vërtetë nis në këtë moshë. Por jo për Gjergj Lekën, jeta e të cilit nis pas të të gjashtëdhjetave. Nuk ka argument më bindës sesa kremtimi i ditëlindjes së gjashtëdhjetë me ketë koncert recital, që nuk ndalet vetëm te nostalgjia e së shkuarës, por materialet muzikore erdhën mjaft bukur, madje janë këngë që i kanë rezistuar kohërave, duke ardhur edhe më të freskëta, të interpretuara nga brezat e rinj. Ky koncert u transmetua në televition, në ditën e lindjes së kantautorit Gjergj Leka më 8 tetor.
Gjergj Leka u shpall fitues në Festivalin e Pranverës në vitin 1985, me këngën e tij “Në duart e nënës”, të cilën ai e veçon si ndër krijimet më të mira, që ia dedikoi nënës, mexosopranos dhe dirigjentes së parë grua në Opera, Rozmari Jorganxhi. Gjergji ka treguar për publikun se këngën e shkroi në repartin ku kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ishte një ndjesë nga shpirti për gabimet. Këngëtari i njohur Bashkim Alibali u kthye në bashkëpunëtor të pandarë i Gjergjit, me disa këngë të përjetësuara tashmë në repertorin e muzikës së lehtë shqiptare. Bashkim Alibali ndër të tjera është shprehur përpara interpretimit të tij:
“Unë pata fatin që të këndoja dy këngë të Gjergjit, me tekst të së madhes Zhuljana Jorganxhi “Në duart e nënës” dhe “Për ty baba” . Mua më kujtohet në këto momente kur e kam njohur shumë afër babain e Gjergjit, një njeri me një diapazon shumë të pasur të inteligjencës, një njeri që e njihte mirë edhe muzikën klasike, një njeri që kishe dëshirë që ta dëgjoje kur fliste, buronte vetëm dituri, gjithashtu edhe nënën e Gjergjit, artisten Rozmari Jorganxhi” ka thënë Alibali.
Me një gjyshe triestine nga ana e të atit, Kostandinit, muzika italiane e përkundi dhe e rriti këngëtarin shqiptar Gjergj Leka. Falë gjyshes, ai fliste rrjedhshëm italishten. Fat i madh ishte edhe fonoteka e bollshme që kishte familja e tij me operat, operetat e këngët italiane që i dëgjonin familjarisht. Kjo fonotekë po e ndihmon edhe sot kantautorin Leka për të realizuar programin e tij “Na ishte njëherë muzika”.
Gjergj Leka është një nga ata kantautorë që e dinte rëndësinë e madhe të lirikave. Ndaj bashkëpunimi me tezen e tij, poeten Zhuliana Jorganxhi, një yll i shumëkërkuar nga kompozitorët e kohës për tekste këngësh, u bë përtej gjakut edhe një lidhje arti.
Prindërit e Gjergjit, Kostandin Leka, ishte me profesion fizikan, por pasioni nuk e mbajti larg artit, duke iu dedikuar letërsisë, veçanërisht asaj fantastiko-shkencore. Ndërsa e ëma, Rozmari Jorganxhi do të mbahet mend si gruaja e parë dirigjente e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Me ndryshimin e sistemeve Gjergj Leka vendosi të largohej drejt Italisë, i ndjekur më vonë nga e gjithë familja, e cila ndante rrënjët italiane. I ndruajtur fillimisht se nuk do ia dilte dot me nivelin e muzikës në shtetin e dashur përtej detit, me kohë kuptoi se formimi akademik dhe veprimtaria muzikore që kishte kryer në Shqipëri, njohja e muzikës ndërkombëtare dhe e gjuhëve të huaja, ishte në fakt një armë e fortë. Por Gjerrgji u rikthye sërish në Shqipëri në skenat e festivaleve.
Një nga sipërmarrjet më të mëdha ka qenë ajo e ruajtjes së vlerave të muzikës së mirë dhe përpjekjes për të mos lënë në harresë këngëtarët që shkruan historinë e muzikës shqiptare, por edhe kthimi në një shkollë të vërtetë për të rinjtë e talentuar. Puna e tij e përhershme me koncerte, programe televizive dhe përgatitjen e talenteve të rinj, i është kthyer në të vetmin mision që ai ka në jetë.
Gjergj Leka u shpreh gjatë recitalit:
“Tek ky vend që po shikoni nga kjo datë dhe deri në tetorin e vitit tjetër, unë do bëj një qytezë të artit shqiptar, rreth 4-5 evente në javë. Një ditë do ketë opereta dhe arie nga operat, një ditë do ketë piano-bar klasik me këngë italiane për të cilën më ka marë malli, një ditë tjetër do bëhet kënga qytetare shqiptare, një ditë do u dedikohet recitalit të këngëtarëve që ne nuk i thërrasim më. Unë e provova këtë vit dhe ka patur shumë sukses në ekran, madje kam fatin t’i kem miq dhe mikesha, Alida Hisku është sot këtu, Rajmonda Kamberi e shumë të tjerë, të cilët do i përmend në vazhdim. Ju flas si profesionisht, këta artistë këndojnë sot edhe më mirë se më parë. Gjithashtu në po të njëjtin vend, ditën e premte do jetë dita e promovimit të talentit shqiptar. Nuk dua të lë pa përmendur atë që bashkë me nënën time u bë shkak që të jemi sot këtu, apo që kemi kaq vjet që jemi së bashku. Një nga artistet shqiptare me vlera shumë të mëdha, dhe dua ti shprehim të gjithë mirënjohjen dhe respektin. Unë kam pasur fatin ta kem edhe gjak. Faleminderit Zhuljana” ka theksuar kantautori Leka.
Ndër projektet e afërta, përveç programit çdo të shtunë në ekranin e televizionit News 24, Gjergji zbulon se nga mesi i tetorit dhe deri më 26 nëntor i duhet të përgatitë disa evente muzikore si, “Ti Shqipëri më jep nder”, me këngët që bënë historinë shqiptare, “Festa e Këngës Shqiptare-Edicioni rinor” dhe “Këndojmë së bashku”, një ngjarje kushtuar këngës popullore-qytetare fierake me artistët e mirënjohur Bruna e Rik Hoxha në bashkëpunim me Bashkinë Fier, si dhe spektaklin e madh të vitit të ri, premierë kombëtare “Erdhi Estrada”.
Ishin të shumtë miqtë, kolegët dhe dashamirësit e artit të tij pjesë e këtij koncerti special, të cilët sollën ndër mend kujtime, nostalgji, emocione pafund, duke u larguar me një buzëqeshje dhe një vlerësim për muzikën e vërtetë, e cila ka ende artistë të cilët e duan vërtetë dhe nuk po e lënë në harresë.
Kompozitorja e njohur shqiptare Diana Ziu ndau një kujtim me Gjergjin:
“Na mbytëm emocionet! Dua të them diçka që nuk e kam thënë asnjëherë. Një ditë isha duke shpjeguar temën; Kthesa frigjane në harmoni dhe Gjergjin për pak e kishte zënë gjumi sepse gjithë natën kishe orkestruar pjesët e shumë njerëzve për dekadën e Majit. Në ato momente, kur po shihja afër bankës së tij, jo vetëm që e kishte bërë kthesën frigjanë, por kishte bërë edhe katër ushtrime për shokët e tjerë. U habita se si një njeri mund të shkruajë edhe në gjumë. E them me plot gojë se ju jeni një “gjen”, është shprehur kompozitorja Diana Ziu.
Në kohët e sotme janë të radhë artistët të cilët e duan vërtetë muzikën shqiptare, pa e transformuar atë, por duke e sjellë përherë edhe më të bukur e më të freskët për publikun dhe sidomos për brezat e rinj, duke u lënë një pasuri muzikore. I tillë është edhe kantautori Gjergj Leka i cili jetën ja dedikon muzikës së vërtetë, përgatitjes së taleneve të rinj, duke i vendosur vetes të vetmin qëllim që ka në jetë. Ne i urojmë edhe 100 vite të tjera, shëndet dhe plot ide të bukura për projektet në vazhdim.
Përgatiti: Sava Lena