Skënder Doda: IPA prezanton vlerat më të mira të policisë së shtetit në çdo vend
2022-10-14 13:34:53

IPA është një organizatë e krijuar në vitin 1950 dhe është një shoqatë miqësore e policisë. Kjo shoqatë ndërkombëtare e miqësise së policisë perçon vlerat e miqësisë dhe jo vetëm në komunitetin e policisë në vend, por edhe në marrëdhënie ndërkombëtare. Aktivitetet që zhvillohen me IPA-n janë të llojit kulturor, sportiv, historik si dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. Skënder Doda, President i IPA Albania në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) tregon për krijimin e kësaj shoqate në Shqipëri, funksionimin e saj si dhe aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara deri tani.

Skender Doda (Foto personale)

Skender Doda (Foto personale)

CMG: Ju jeni President i shoqatës ndërkombëtare të policisë (IPA). Flasim për krijimin e seksionit të kësaj shoqate në Shqipëri.

Skënder Doda: Kjo shoqatë ka një traditë shumë të vjetër në raport me të gjitha shoqatat e tjera sepse është krijuar më 1 janar 1950. Që nga dita e krijimit kjo shoqatë është zgjeruar me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe sot janë 62 vende anëtare dhe tre janë kandidatë, ku ndër to është edhe Shqipëria. IPA ka në gjirin e saj rreth 600 mijë anëtarë, që janë punonjës policie në detyrë në funksionet nga më të lartat e deri te roli bazë, punonjës policie të dalë në pension ose të liruar për arsye të ndryshme. Kjo shoqatë është një urë komunikimi midis brezave në seksionet kombëtare, por dhe një urë komunikimi dhe lidhje midis shoqatave të tjera të seksioneve kombëtare në të gjitha vendet e botës. Gjithashtu shoqata ka një bord ndërkombëtar ekzekutiv dhe në varësi të saj janë direkt seksionet kombëtare. Shqipëria është përfshirë që në vitin 2002 në përpjekjet e shumë vendeve të Europës, siç është Greqia, Hungaria, Çekia, Polonia, Italia e me radhë për të krijuar shoqatën e seksionit të Shqipërisë. Si rezultat i kësaj në vitin 2017 kolegu dhe miku im Bilbil Mema në atë kohë drejtor i Akademisë së Sigurisë mori masat bashkë me stafin dhe përgatitëm dokumentacionin të cilin e dërguam në gjykatë dhe në vitin 2017 u themelua IPA e seksionit të Shqipërisë. Mbas një viti Z.Bilbil për shkak dhe të angazhimit që kishte dha dorëheqjen, dhe kongresi më zgjodhi mua. Nga kjo kohë dhe deri në këto momente ne e filluam me 52 anëtarë këtë shoqatë, dhe aktualisht ne kemi 530 anëtarë.

Skender Doda gjate nje aktiviteti (Foto peronale)

Skender Doda gjate nje aktiviteti (Foto peronale)

CMG: Cilat kanë qenë sfidat në këto pesë vite të krijimit të seksionit të Shqipërisë, dhe çfarë aktivitetesh keni organizuar?

Skënder Doda: Po është e vërtetë sepse procedura për pranimin me anëtarësi të plotë kalojnë përmes një rruge që është e mbushur plot me përpjekje dhe përkushtim sepse kërkohet që kjo të jetë një shoqatë e pjekur me përmbajtje cilësore, jo vetëm thjesht anëtar që paguajmë kuotat, por dhe anëtar që japim kontribut për projekte të ndryshme në interes të komunitetit dhe të policisë. Vetë IPA është një lloj ministrie e jashtme e policisë dhe ajo prezanton të gjitha vlerat më të mira të policisë së shtetit në çdo vend. Në vitin 2019 ne morëm statusin në krijim dhe me aktivitete të ndryshme, që janë zhvilluar brenda dhe jashtë vendit në tetor të vitit 2021 me unanimitet të plotë, pra me 60 vota pro dhe dy abstenime ne morëm statusin e kandidati. Ne po punojmë përsëri në aktivitete të ndryshme që në kongresin e ardhshëm që do të zhvillohet nga data 4 deri më 9 tetor në Barcelonë, të marrim statusin e anëtarit me të drejta të plota. Ne si IPA nuk kemi shumë hallka burokratike, veprojmë në kuadrin e miqësisë, por kemi marrëdhënie të mira me pushtetin lokal, me lidershipin e policisë sepse ne kemi pasur vazhdimisht përkrahjen e ministrit të brendshëm dhe të drejtorit të përgjithshëm të policisë për të zhvilluar aktivitete në gjithë vendin. Përveç kongreseve dua të përmend dhe disa aktivitete.

Në kohën e Covid 19 ne zhvilluam një aktivitet masiv, rreth çiklistik i cili filloi në Shkodër dhe përfundoi në Tiranë dhe për këtë patëm ndihmën e OSBE-së, e cila na dha një sasi të konsiderueshme bluzash me mbishkrimin “Stop Covid, pusho në Shqipëri”, pra ne promovuam turizmin në Shqipëri. Aktiviteti i dytë ka qenë një tur me motorra me punonjës policie të ardhur nga Serbia, të cilët zhvilluan një tur në veri, dhe ka qenë një nga aktivitetet më të bukura të cilin ata e vlerësuan shumë. Gjithashtu shpeshherë kemi marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare sepse janë reciproke dhe kemi pritur mjaft miq. Një nga objektivat e IPA-s është dhe promovimi i turizmit, secili në vendin e tij, në rastin konkret ne punojmë për Shqipërinë. Kemi miq dhe shokë biznesmenë të cilët na kanë pritur me shumë kujdes dhe respekt, dhe të huajt që vijnë kuptohet që mbesin shumë të kënaqur.

Skender Doda me kolege te shoqates IPA (Foto personale)

Skender Doda me kolege te shoqates IPA (Foto personale)

CMG: Për t’u bërë anëtar i shoqatës ndërkombëtare të policisë (IPA), ka një kufi moshe?

Skënder Doda: Për t’u pranuar në IPA nuk ka kufi moshe, ne shikojmë te IPA një strehë për të gjithë punonjësit e policisë, pavarësisht se janë në detyrë apo jo sepse të gjithë vijnë nga një edukim ligjor, kanë punuar për sigurinë dhe rendin në vend dhe i bashkon kjo shoqatë. Ne kemi marrëdhënie të mira me të gjitha bashkitë, duke filluar që me Znj.Voltana Ademi kur ka qenë kryetare bashkie e cila ishte shumë përkrahëse, po ashtu me Z.Pjerin Ndreun, Safet Gjici, Agron Malajn, pra me të gjithë kryetarët e bashkive. Disa nga kryetarët e bashkive i kemi anëtarë, që kanë punuar në polici siç është Z.Ndreu, Agron Malaj, Safet Gjici e të tjerë.

CMG: Çfarë mbështetje përfitojnë nga kjo shoqatë ata që janë bërë anëtarë të IPA-s?

Skënder Doda: Normalaisht çdo njeri kur anëtarësohet në një shoqatë, gjithmonë do të pyesi se cili është interesi tij, pra a është interes material apo shpirtëror. Ne në kuadrin e takimeve dhe masave që i ofrojmë anëtarëve të IPA-s facilitete, kemi një marrëveshje me grupin e spitaleve Hygeja për trajtime të diferencuara në çmime për anëtarët e IPA-s, të cilët shkojnë dhe vizitohen. Po ashtu jemi në negocim me biznese të ndryshme dhe kjo është nga pikëpamja materiale. Ndërsa nga pikëpamja shpirtërore mund të them që anëtarët e IPA-s kur shkojnë jashtë shtetit, ndeshen qoftë dhe me dëmtim të makinës ose duan të gjejnë një hotel, duan të takojnë një mik për t’ju krijuar lehtësira dhe është gjëja më e thjeshtë që mjafton të lidhen me mua ose shoqatën këtu dhe menjëherë zgjidhet problemi. Duhet pranuar që në vende të ndryshme të botës policët kanë një nivel kohezioni më të madh sesa ne, që të jemi realist, dhe ato gjinden shumë shpejt. Mua mesazhet më vijnë saqë ka raste kur udhëtojnë policët tanë me familjarët e tyre dhe kanë nevojë për ndihmë, IPA ju gjendet shumë shpejt dhe ato habiten nga ky reagim i shpejtë. Ndjehesh mirë sepse mjaft turistë thonë se ata e dinë që çdo vend ka policë që garantojnë rendin dhe sigurinë, por kur takojmë miq të IPA-s ndjehemi më të familjarizuar dhe më të kënaqur në atë vend ku shkojmë.

Skender Doda gjate vizites se tij ne Kine (Foto personale)

Skender Doda gjate vizites se tij ne Kine (Foto personale)

CMG: Ju keni një jetë në policinë  e shtetit, duke mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese. Si ndjeheni tani që drejtoni një shoqatë ndërkombëtare të policisë?

Skënder Doda: Është e vërtetë, jam në një lloj metamorfoze sa i përket të qenurit drejtues i lartë policie për shumë vite dhe tani që nuk jam në strukturat e policisë sepse unë prapë me policë kam të bëj, po jam në një lloj transformimimi. Dikur unë për shkak të detyrës nuk kisha nevojë të negocioja me struktura, me OJQ dhe struktura homologe, por tani unë jam në kontakte të përditëshme me to dhe kam një qasje që po i afrohet OJQ-së tani. Megjithatë prapë unë mbetem oficer policie, mbroj interest e policisë së shtetit dhe në këtë kontekst në të gjitha aktivitetet e IPA-s ne nuk ktheheni në kritizerë, por kemi një objektiv që IPA do të udhëheqë krijimin e një këshilli të urtësh me drejtues të lartë të policisë së shtetit të cilët janë në pension dhe nuk kanë ambicje më për t’u rikthyer në policinë e shtetit.

Ky ekip do t’i ofrojë këshilla miqësore dhe lideshipit të policisë, pra është ndryshe të takoi një koleg, dhe ndryshe është të takoi një qytetar që nuk ka ambicje për ti zënë vendin. Ne e kemi këtë plan i cili është mirëpritur, dhe kemi zhvilluar një takim vjet në Lezhë me drejtorët e përgjithshëm të policisë, ku ishte me të vërtetë një aktivitet që u vlerësua mjaft dhe nuk e kishte bërë njeri deri më sot.

Skender Doda ne Kine. (Foto personale)

Skender Doda ne Kine. (Foto personale)

CMG: Keni udhëtuar në shumë vende të botës edhe për shkak të detyrës, por dhe udhëtime private. Flasim për udhëtimin që keni bërë në Kinë dhe si ka qenë ajo eksperiencë për ju?

Skënder Doda: Është e vërtetë që unë kam sindromën e Odisesë që udhëtoj shumë dhe një nga këto ka qenë edhe Kina. Para se të shkoja në Kinë unë kisha lexuar, jo vetëm thjesht për faktin që ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me Kinën sepse unë jam një moshë që i mbaj mend dhe kam punuar me specialistët kinezë edhe në Elbasan, madje kam botuar në vitin 2003 për marrëdhëniet që kishim me specialistët në kombinatin e madh të Elbasanit. Gjitashtu unë kam karrierë të gjatë ushtarake dhe kam lexuar mjaft për kulturën kineze të ushtrisë dhe mbetet lapidar Sun Tzu i famshëm me librin e tij “Arti i luftës”. Ai libër është me të vëretë arti i luftës, por ai sot punohet dhe studiohet edhe nga bizneset, sepse parimet e këtij libri aplikohen në të gjitha bizneset. Tjetër edhe përsa i përket edukimit, ku kam parasyesh mësimet e Konfucit dhe shprehja dëgjoj, harroj, shikoj, mbaj mend, mësoj i përket Konfucit. Kina ka një kulturë të lashtë dhe me këto njohuri unë shkova në Kinë. Të them të vërtetën fillimisht isha pak i ndrojtur sepse duke pasur në atë kohë gradën kolonel dhe duke vajtur në një vend të lindjes me një eksperiencë që e kemi pasur edhe ne, shikoja me shumë kujdes mos të kem ndonjë keqkuptim, por pashë që ishte ndryshe. Nuk ishte ajo Kina që mendoja unë, por ishte me njerëz të çiltër, të hapur dhe të gatshëm për të ndihmuar.

Unë kam vizituar edhe mauzeloumin e Mao Ce Dunit, kam qenë në Qytetin e Ndaluar, në sheshin Tiananmen, kam takuar biznesmenë kinezë, që i shikoja me shumë interes sepse kishin mundësi të hapura. Madje kur bisedoja me to i pyesja, ishin shumë praktikë dhe të fokusuar tek biznesi. Më dhanë shumë eksperiencë për mënyrën sesi funsiononte, plus pastaj bukurisë të Pekinit. Një miku im që shkon vazhdimisht në Kinë më thotë që kur kemi qenë bashkë ka ndryshuar vendi, janë bërë ndërtesa të bukura. Kjo ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe Kina për mua ishte model që duhet parë.

Skender Doda ne interviste per CMG

Skender Doda ne interviste per CMG

CMG: Në Kinë gjithashtu kanë shkuar për vizitë dhe funksionarë të ndryshëm të policisë së shtetit për trajnime dhe seminare të ndryshme, duke shkëmbyer eksperienca.

Skënder Doda: Kjo është e vërtetë që në Kinë kanë vajtur për trajnime të ndryshme, për menaxhim krizash dhe punonjës policie të niveleve të ndryshme. Madje kur kthehen më tregojnë mjaft kujtime të bukura saqë drejtori i akademisë atje, kur pa që ishin shqiptarë u ngrit dhe këndoi melodinë e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” dhe krijoi një atmosferë shumë të mirë. 

CMG: Së fundi një mesazh për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani

Skënder Doda: Unë ndjehem mirë kur dëgjoj që njerëzit janë të përfshirë në punë, dhe uroj që të kenë sa më pak dëme sepse Covid ju solli shumë dëme. Kina e menaxhoi mirë që të jemi të sinqertë dhe u tregua mjaft dashamirëse qoftë dhe me Europën dhe gjithë vendet e tjera që ju ofroi mbështetje. Uroj që në të ardhmen edhe Kina të jetë anëtare e IPA, pse jo të jetë dhe me protagonizëm tek IPA botërore.

Intervistoi: Gazmend Agaj