7400 aplikime për subvencion, 20 mijë ha më shumë me grurë
2022-10-14 16:27:45

Fushe me grure (Foto Atsh)

Fushe me grure (Foto Atsh)

Në mesin e muajit tetor deri nga fundi i nëntorit, nis sezoni i mbjelljes së grurit.

Qeveria shqiptare mbështet këtë vit me subvencione fermerët, në vlerën e 30.000 lekëve për jo më pak se 1 ha sipërfaqe të mbjellë grurë, për shkak edhe të krizës së grurit prej konfliktit Rusi-Ukrainë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se skema synon rritjen e të mbjellave me grurë, por edhe lehtëson kostot e fermerëve nga shtrenjtimi i çmimeve të inputeve bujqësore, bën të ditur “ATSH”.

Sipas MBZHR, në këtë skemë aplikuan 7400 fermerë, për 40% të sipërfaqes së tokës bujqësore që mbillet me grurë (ose 20.000 ha). Për vitin 2021, sipërfaqja e mbjellë me grurë në vend ishte 54.514 ha me një prodhim prej 225.171 tonë.

Numri aktual i aplikimeve, sipas Ministrisë së Bujqësisë, tregon se interesi është i lartë, pasi edhe skema krijon avantazh.

“Nuk përfiton kush aplikon i pari, por ai që mbjell sipërfaqe të lartë (jo më pak se 1 ha) pasi aplikon dhe dorëzon dokumentacionin për blerjen e farës dhe inputeve bujqësore, ndihma financiare prej 30.000 lekë do t’i disbursohet brenda 31 dhjetorit 2022”,- njofton MBZHR.

Aplikimet për subvencion nisën më 1 shtator dhe vijuan deri më 23 shtator 2022.

Të dhënat e MBZHR tregojnë se, sipërfaqja totale bujqësore e shfrytëzuar në Shqipëri është 1.174.081 hektarë, e strukturuar 611.346 ha tokë are (50.7%), kullota dhe livadhe janë 478.081 ha (40.7%), dhe 84.654 ha (7.2%) janë kulturat shumëvjeçare. (Irma)