Herjola Spahiu: Kush përpiqet pa reshtur, është i shpëtuar
2022-10-14 09:27:31

Herjola Spahiu, është Drejtore ekzekutive e Institucionit Financiar jo- bankar NOA. Ajo është një grua, e cila për vite me radhë i është dedikuar profesionit. Eksperienca e saj mbi 20-vjeçare ndahet mes 11 viteve eksperiencë në Bankë dhe 9 vite në sektorin financiar.


Fillesat e saj në tregun e punës kanë nisur që në universitet. Herjola mori një ofertë pune në atë kohë për të qenë arkëtare në një bankë të nivelit të dytë. Ka qenë ky hap që e bëri atë të përmbushë ëndrrat  e saj.

Ajo shprehet se e do një treg dinamik dhe të larmishëm ndaj edhe u bë pjesë e NOA.

 

Pas pandemisë së COVID 19, digjitalizimi i bizneseve dhe ekonomisë është kthyer në një domosdoshmëri. NOA është kompania e vetme në mikrofinancë që ofron një proces tërësisht të digjitalizuar, përsa i përket dhënies së huave dhe ndihmës ndaj klientëve. Këtë eksperiencë të kompanisë, drejtorja ekzkekutive e NOA-s, Herjola Spahiu e ndau me të pranishmit në aktivitetin e organizuar nga USAID, që mblodhi në Tiranë aktorë të ndryshëm të ekosistemit Fintech (financial technology- teknologjia financiare) me pjesmarrës nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

 

Herjola Spahiu (Burimi personal)

Herjola Spahiu (Burimi personal)

Herjola Spahiu është shprehur se:

 

“Tregova për rrugëtimin tonë drejt ofrimit të të gjithë proceseve financiare në mënyrë teknologjike, përvojën me klientët, sfidat me rregullatorët, mungesën e njohurive financiare dhe mundësitë për të përmirësuar më tej aksesin e SME-ve në produktet financiare. Ishte bukur të flisje për tregtinë elektronike,  faktorizimin digjital, huadhënien digjitale, platformat e referimit digjital, etj, si e ardhmja e afërt dhe mënyra më e mirë për t’i shërbyer konsumatorëve dhe ekonomisë së vendit”.
Drejtorja ekzekutive e NOA-s flet për eksperiencën e saj në intervistën për Grupin Mediatik të Kinës

 

CMG : A jeni ju një produkt i një pune të palodhur?


Herjola Spahiu : Patjetër që po, nuk mund të ndodhë ndryshe. Në fillesat e mia, sapo isha bërë edhe mami i një vazje të vogël dhe më ështe dashur që ta rris e vetme për një periudhë të gjatë kohore. Ka pasur një periudhe 1- vjeçare në fillimet e mia kur bëja dy punë në të njëjtën kohë 08.00-16.00 në bankë  dhe 17.00 – 22.00 në një kompani private. Kjo për arsye financiare dhe për të siguruar më të mirën për vajzën time. Më tej, përfshirja në aktivitetet e bankës vinte në rritje dhe sigurisht që u shtuan orët e punës atje. Unë jam nga ata persona që nuk kam parë kurrë orarin apo nëse është ditë jave ose fundjavë. Nëse gjen pasionin tek ajo që bën, mund të punosh papushim dhe pa orar. Nëse llogaris në këto 20 vjet  orët e punës ju siguroj që duhet të jenë dyfishi i atyre që duhet të ishin. Kjo vazhdon edhe sot, pavarësisht pozicionit.


 

Herjola Spahiu (Burimi personal)

Herjola Spahiu (Burimi personal)

CMG: Na rrëfeni rreth jetës tuaj në përditshmëri. Si është rutina juaj?


Herjola Spahiu: Këto vitet e fundit sfida është tek balanca familje – punë, e cila në opinionin tim nuk gjendet kurrë. Shumë herë peshorja rëndon nga familja dhe shumë të tjera nga puna, në varësi të situatës dhe ngarkesës. Aq më tepër, tashmë me 3 femijë bëhet edhe më e vështirë. Gjithsesi, shumë shkurt rutina ime është: zgjimi në 6.30 dhe përgatitja e fëmijeve për shkollë , në 8.15 – 8.30 fillon rutina në zyrë ku pjesa e parë e ditës i kushtohet organizmit të ditës, pastaj vazhdon me e-mailet e ditës së mëparshme që mund të kenë mbetur pa përgjigje; një lexim i shpejtë i aktualiteteve dhe ngjarjeve të ndryshme; mbledhje të ndryshme apo telefonata ditore; gjatë kohës së drekës i kushtohem leximit të ndonjë libri apo studime të ndryshme për sektorin; pasditja kalon me takime në deparatmenmete apo njësi të ndryshme.


Ndërsa pasditja i dedikohet fëmijëve qoftë duke dalë  ose me detyrat në shtepi dhe  darka mbyllet përsëri me laptopin përpara ose shënime për ditën tjetër.
Në përgjithësi jam person që nuk fle shumë, sepse më duket sikur gjumi është kohë e shkuar dëm. Sikur të kisha mundësi të mos e bëja, do kisha zgjedhur që jo.
 

Herjola Spahiu (Burimi personal)

Herjola Spahiu (Burimi personal)

CMG: Si ka ndikuar arsimi në rritjen tuaj profesionale?


Herjola Spahiu :Patjetër pozitivisht, unë kam pasur mundësinë të studioj gjatë kohës që kam punuar. Duhet të them që ditën e parë që kam filluar punë, kuptova që universiteti nuk më ndihmonte dot aq shumë dhe më dukej vetja si peshku pa ujë. Për këtë arsye, disa vjet pasi kisha filluar punë fillova të kërkoja për studime shtesë dhe kam kryer on-line në vitin 2006 masterin “Shërbimet bankare dhe promovimi i tyre” nga Universiteti i Athinës. Më pas, me mbështetjen financiare të Bankës ku punoja kam kryer Master në Administrim Biznesi në Universitetin e Selanikut, por përsëri në paralel me punën. Për 2 vjet, shkonim një fundjavë në muaj për të marrë leksionet dhe kryer seminaret. Një ekperiencë e lodhshme, por më e mira profesionalisht.

Mbaj mend në kohën që përgatitesha për diplomën, kisha në paralel edhe një projekt të ndryshimit të sistemit IT në Bankë dhe për një periudhë 1 mujore, punoja në zyrë për diplomën deri në orën 5 të mëngjesit, më tej shkoja në shtëpi për të fjetur vetëm 2 orë dhe në oren 8.00 isha përsëri në zyrë. Në  vitin 2018 kam kryer gjithashtu një master në Universitetin e Harvardit për “ Përfshirjen finaciare” përsëri një experiencë e bukur dhe me vlerë. Në të ardhmen mendoj që përsëri do të ndjek diçka tjetër, duke e menduar arsimin dhe marrjen e dijeve shumë të nevojshme për çdo profesionist ne çdo aspekt të karrierës.


 CMG: Cilat janë librat që ju kanë ndryshuar jetën?


Herjola Spahiu: Unë kam lexuar libra të ndryshëm të shkruar për biznesin, artistike, por sidomos studime të ndryshme. Nuk do doja të promovoja asnjë liber në veçanti sepse më duket sikur do të le shumë të tjerë dhe për më tepër që besoj fort që libri është një shije personale. Këshilla ime është çdo libër është një dritare tjetër, një këndveshtrim tjetër që ndikon në formimin e këndvështrimit tonë individual, librat nuk janë guidë, nuk duhen ndjekur apo lexuar sepse duhet. Unë mendoj se duhen shijuar dhe marrë në konsideratë vetëm çfarë vlen për individin në një moment të caktuar në kohë.


Herjola Spahiu (Burimi personal)

Herjola Spahiu (Burimi personal)

 CMG: Kur vendosët të themeloni “NOA”?


Herjola Spahiu :Unë nuk jam themeluese e NOA-s, pasi ato janë dy fonde investimi të huaja, por jam CEO i saj. Gjithsesi më vjen mirë që është ky perceptim në treg pasi vërtet e mendoj punën time sikurse të jetë e imja dhe kjo ndodh natyralisht nëse e bën me pasion diçka. Unë i jam bashkangjitur NOA-s në 2014, por me krenari them që në këto vite unë dhe skuadra ime kemi bërë një punë të shkëlqyer në zbatim të misionit tonë social, duke ndryshuar imazhin e kompanisë në treg, shërbimin ndaj klientit por edhe duke rinovuar mënyren sesi i shërbejmë atij, nëpërmjet ofrimit të  sherbimeve financiare nëpërmjet rrugeve digjitale.
 
CMG: Çfarë ka si qëllim ky rrugëtim?


Herjola Spahiu: Ne jemi një institucion i themeluar 24 vite më parë nga USAID, me qëllim zhvillimin e zonave rurale, duke rritur aksesin në financë të banoreve / bizneseve në atë zonë dhe duke krijuar vende të reja pune që rrisin pavarësinë financiare të bizneseve dhe familjeve. Sot  ne jemi prezent në çdo zonë urbane apo rurale me shërbimet tona financiare, këshilluese dhe ndërmjetesuese nën të njëjtin qëllim – rritjen e aksesit në financë të bizneseve apo familjeve që e kanë të veshtire t’i aksesojnë këto shërbime nga një bankë.


 
CMG: Si ndikon ky biznes në shoqëri?


Herjola Spahiu: Impakti është gjithmonë shumë pozitiv, pikërisht për arsyet e mësipërme. Ne ndihmojmë përfshirjen financiare të klientëve që nuk kanë akses financiar, edukimin e tyre financiar, këshillimin për projekte të ndryshme, ndërmjetesojmë shitjen e produkteve të tyre dhe u vëmë në dispozicion informacion mbi tregje të ndryshme. Kemi fokus të veçantë në tematika të rëndësishme: përfshirja e femrave, sot 31% e klienteve tanë janë femra;  mbrojtjen e ambjentit nëpërmjet produkteve të gjelbra – eco; mbështetjen e sektoreve të rëndësishëm si bujqësia apo turizmi që nuk financohen nga sektori bankar; mbështetja e sektorëve që kanë normë të lartë punësimi të grave, si veshmbathjet, etj.
 
 CMG: Ju mbajtët një takim së fundmi në Tiranë, çfarë pati në fokus?


Herjola Spahiu : Mora pjesë në takimin e organizuar nga USAID me tematika : Aksesi në Financë.  Një takim për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ne si NOA në kuadër të ofrimit të shërbimeve financiare në mënyrë të digjitalikzuar dhe me fokus financimin e grave sipërmarrëse ndamë eksperiencën tonë, problematikat dhe sugjerime të ndryshme për të rritur më tepër përfshirjen e grave në sipërmarrje si dhe aksesin e tyre në produkte financiare.


Herjola Spahiu (Burimi personal)

Herjola Spahiu (Burimi personal)

 CMG: A keni një mesazh për të gjitha gratë që bëjnë biznes?


Herjola Spahiu: Rruga për të bërë biznes nga një grua mund të jetë më e vështirë sesa për burrat, por ja vlen të behet kjo përpjekje maksimale dhe të mos tërhiqesh. Sepse ndihmon shumë në pavarësinë e saj dhe të qenit krenare me çfarë arrin. Në opinionin tim, nëse ndihesh e plotësuar profesionalisht, mund të jesh edhe një bashkëshorte shumë e mirë dhe një mama shembull për brezin që vjen. Tashmë komuniteti që e ndihmon këtë politikë  përfshirëse të gruas është më i madh, më i rëndësishëm dhe me shumë zë në politikëberje, kështu që vështirësitë janë pak më të ulëta sesa vite më parë.

 

 

Intervistoi:Megi Latifi