Kongresi XX i Partisë Komuniste Kineze - Kina drejt fazës së re të zhvillimit
2022-10-14 10:22:15

Në Pekin, në datën 16 tetor 2022 do të hapet Kongresi i XX Kombëtar i Partisë Komuniste Kineze, (që në gjuhën kineze njihet si Èrshí Dà -二十大). Në këtë kongres, që do zgjasë rreth një javë dhe që përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme politike në rang botëror, do marrin pjesë 2,296 delegatë, të cilët përfaqësojnë rreth 90 milionë anëtarë të Partisë Komuniste Kineze (PKK).

Zgjedhjet për delegatët në këtë kongres kanë filluar në vitin 2021 dhe kanë vazhduar përgjatë tërë kësaj periudhe. Paralelisht, organizatat e partisë në të tëra nivelet morën në shqyrtim ndryshimet e mundshme të disa prej dokumentave politike të PKK.

nga VCG

nga VCG

Në aspektin teknik, Kongresi XX PKK-së do të miratojë listën e anëtarëve të Komisionit Qendror të Inspektimit Disiplinor dhe do të zgjedhë Komitetin Qendror. Një ditë pas mbylljes së Kongresit do të mbahet seanca e parë plenare në të cilën Komiteti Qendror do të miratojë anëtarësimin e Byrosë Politike dhe Komitetit të Përhershëm të saj, organi më i fuqishëm vendimmarrës i kësaj partie. Për Kinën, duket se është koha e artë për të kaluar drejt një faze të re zhvillimit nën drejtimin e brezi të ri udhëheqësish, të cilët karakterizohen nga tipari modern i pasjes së aftësive, njohurive dhe kompetencave teknike. 

Është fakt se Kina nuk e ka problem teknik apo çështje kostosh ekonomike dhe sociale zëvendësimin dhe tranzicionin e elitave, sidomos kur bëhet fjalë për kryeministra, ministra, kryetarë bashkish, etj, pasi nga gjiri i popullit kinez dalin çdo ditë me dhjetëra mijëra kuadro të pajisura me aftësi, njohuri dhe kompetenca politike dhe teknike, që i bëjnë ballë të tëra situatave që dalin përpara në rrugën e zhvillimit të vendit.

nga VCG

nga VCG

Është e padiskutueshme që në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Kinës është shtuar në mënyrë progresive numri i politikanëve që kanë aftësi, njohuri dhe kompetenca teknike dhe kjo do bëjë që Kina të ecë me sukses në rrugën e reformave të tregut, pasi kjo është pikërisht klasa e politikanëve që sjellin risi dhe standard, dhe risija dhe standardizimi ka qenë një nga prirjet më të spikatura të Kinës nën direktimin e PKK-së, gjë e mirë kjo për jetën politike, ekonomike dhe sociale brenda vendit dhe patjetër edhe për marrëdhëniet me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian, etj.

Por, përveç kësaj, populli kinez i qëndron fort pikëpamjes se udhëheqja e PKK është e nevojshme, e domosdoshme dhe e padiskutueshme dhe nga kjo rrjedh edhe forca e mendimit politik të PKK, që ka sjellë transformimin dhe rivitalizimin e madh rrënjësor të jetës politike, ekonomike dhe sociale në vend, duke transformuar dhe rivitalizuar edhe vetveten si forcë politike, gjë që ka ndikuar edhe në zhvillimet pozitive në rajon dhe në botë.   

Nën drejtimin e PKK, që transformon dhe rivitalizon vetveten, Kina ka arritur zhvillim të qëndrueshëm me ritme të larta, ekzistencën e dy sferave të qarkullimit brenda ekonomisë së madhe kineze dhe qëndrueshmëri në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke ndikuar në reduktimin e tensioneve në shkallë globale, duke përballuar me shumë sukses pandeminë dhe duke garantuar zinxhirin e furnizimit me mallra dhe shërbime për mbarë botën. Kjo është arritur duke bërë të mundur që Kina të ketë vendin e saj të respektuar në arenën ndërkombëtare në përgjithësi, dhe në përfaqësimin dinjitoz në organizatat ndërkombëtare.

nga VCG

nga VCG

Në dekadën e kaluar, PKK-ja ka ndryshuar edhe në mënyrë kuptimplotë dhe moderne peisazhin politik të Kinës.

Liderët partiakë udhëhoqën (1) luftën kundër korrupsionit, (2) luftën si kundër stilit të varfër të jetesës dhe luftën kundër stilit ekstravagant të jetesës në Kinë dhe (3) propozuan prosperitetin e përbashkët dhe (4) iniciativën “Një brez një rrugë”, një iniciativa që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare.

Kudo në botë po bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin, për të përmirësuar stilin e jetesës, për një të ardhme të përbashkët përballë sfidave globale dhe përpjekje për projekte të përbashkëta investimesh, por ka një ndryshim shumë të madh midis Kinës dhe botës në këto katër beteja. Kina udhëhiqet nga një parti politike e vetëdijshme, me synime dhe objektiva gjithëpërfshirëse, reale dhe të arritshme.

Parë në këtë këndvështrim, PKK-ja është garant i unitetit territorial dhe integritetit politiko-ekonomik të Kinës moderne.

Në këtë botë të trazuar dhe me shumë probleme madhore, kombet dhe popujt shkojnë dhe vijnë, por Kina dhe populli i saj kanë ardhur nga shekujt dhe do mbeten kështu.

Në Kongresin XX do zgjidhen edhe shtatë anëtarët e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike (KPBP), komitet ku merren vendimet më të rëndësishme në lidhje me direktivat e drejtimit të vendit dhe orientimet kryesore të vendit. Fakti që KPBP e re duhet të sjellë një ose dy anëtarë më të rinj që mund të vazhdojnë të ulen në KPS në 2027, jo vetëm që hedh poshtë pretendimin për diktaturë personale, por në mënyrë të drejtpërdrejtë lejon një lidership të shkallëzuar dhe tranzicion të garantuar.

Duket se në Kinë gjërat kanë filluar të bëhen pozitivisht më të sofistikuara. Tregu, bankat, prona, investimet, zhvillimi rural, ekonomia qarkulluese, financat dixhitale, veprimtaria e përditshme e brezit të ri, etj, duket se janë përditë e më shumë më afër qasjes moderne të përditëshmërisë, gjë që, parë në aspektin pozitiv, është një tipar kryesor në vendet më të zhvilluara të botës, pasi tashmë populli kinez ka kërkesa shumë më të mëdha për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së jetës dhe pritshmëritë që ka populli kinez nga udhëheqja janë në rritje dhe kjo është sfida e vërtetë e udhëheqjes kineze për pesë vitet e ardhshme dhe përtej.  

nga VCG

nga VCG

Për këtë arsye, kongresi do të marrë në shqyrtim situatën brenda vendit dhe ata ndërkombëtare, për të kuptuar më mirë nevojat, kërkesat dhe dëshirat e popullit kinez, të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me objektivat për zhvillimin e kauzës së partisë dhe vendit në këtë rrugëtim drejt një epoke të re.

Duket se, për të ardhmen e afërt dhe të largët, nuk do të mund të shfaqet dikush individualisht apo edhe ndonjë fuqi kolektive, që do të mund të sfidojë PKK, dhe për këtë shkak, ngjarje të paparashikuara nuk kanë për të ndodhur.

Kongresi XXI do mbahet në tetor të vitit 2027.

Nga: Dr. Enriko Ceko