Aurora Lushej Koka është Logopede-Specialiste metoda ABA. Ajo ka mbaruar studimet e larta në degën Logopedi, përkatësisht Bachelor në vitin 2015 dhe Master Shkencor në vitin 2017. Në 2016 është licensuar në ushtrim të profesionit Logoped.
Aurora Lushej
Ajo ka një përvojë mbi 9 vjeçare në fushën e logopedisë. Në periudhën 2013-2020 ka punuar në institucione të ndryshme, me diagnoza si: Vonesa në të folur, Belbëzim, Çrregullim Artikulimi, Sindroma Down, ADHD, Çrregullimet e Spektrit të Autizmit, Çrregullime Gjuhësore, Afazi, Çrregullimi Miofunksional, Vështirësi në të Nxënë, Çrregullime të sjelljes, Vonesa Intelektuale dhe Dizartri.
Prej 6 vitesh Aurora është çertifikuar në metodën ABA. Përgjatë punës në institucionet e ndryshme ajo ka qenë pjesë e Ekipit Multidisiplinar në vlerësimin dhe diagnostikimin e çrregullimeve gjuhësore dhe të neurozhvillimit si dhe lektore në trajnime/leksione të ndryshme në fushën e logopedisë dhe metodës ABA.
Në Qeshor 2020 Aurora bashkëthemeloi Qendrën TEMPUS, ku ofrohen shërbimet:
Vlerësim dhe diagnostikim i çrregullimeve gjuhësore dhe të neurozhvillimit. Vlerësime me ekip multidisiplinar (mjek psikiatër për fëmijë e adoleshentë, logoped, specialist ABA, psikolog). Terapi Logopedike/Terapi me metodën ABA/Terapi Zhvillimi/ Terapi në grup/Terapi arti. Trajnime për prindër dhe profesionistë.
Në po atë vit ajo krijoi Tik Tak, një brand shqiptar me materiale didaktike, të parat në shqip. Sot numërojnë 18 produkte unike që u vijnë në ndihmë prindërve e profesionistëve të fushës së zhvillimit të fëmijëve.
CMG :Aurora çfarë sheh tek vetja kur del para një pasqyre?
Aurora Lushej : Kur unë dal para një pasqyre shoh të gjithë ata prindër të cilët më kanë besuar fëmijët e tyre dhe këtu nxitem të punoj edhe më tepër.
Shoh të gjithë njerëzit që në një formë apo në një tjetër patën një ndikim pozitiv tek unë. Ata që më mbështeten më bën të eci përpara, ndërsa ata të cilët nuk e bënë këtë gjë ma shtuan dyfish dëshirën për të ngjitur shkallët e karrierës.
CMG: Për çfarë reflektoni ju si njeri më tepër?
Aurora Lushej: Preferoj të reflektoj mbi gjërat që më kanë gdhendur mua si njeri. Fokusin kryesor e kam tek e tashmja dhe e ardhmja. Së kaluarës as i kthehem as e përmend sepse është diçka që ka kaluar tashmë.
CMG: Si ka qenë për ju fëmijëria juaj?
Aurora Lushej: Kam pasur një fëmijëri sa të veçantë aq edhe të vështirë. Më është dashur të përballoj shumë vështirësi të cilat me kohën ndryshuan. Isha një fëmije që më plotësohej çdo gjë, por edhe me limitohej. E rritur mes vëllezërve unë jam ndierë një fëmijë i privilegjuar që isha e vetmja vajzë.
Aurora Lushej
CMG: A i keni përmbushur ëndrrat tuaja?
Aurora Lushej: Unë jam njeri ëndërrimtar dhe çdo gjë për të cilën kam synuar kam punuar për ta realizuar. Qëkur isha e vogël merrja pozicion moderues dhe preferoja të zgjidhja situata të ndryshme. Në këtë kontekst merrja rolin e një njeriu që mund të zgjidhja situata në shoqëri apo të ndihmoja njerëz të cilët kishin nevojë.
Tashmë i kam vendosur vetes një synim që lidhet me artin dhe besoj që do t'ia dal që ta përmbyll në vitet e ardhshme.
CMG: A është Shqiperia vendi i mundësive?
Aurora Lushej: Shqipëria është një vend ku njerëzit të gjithë të japin dorën dhe të ndihmojnë, por gjithashtu për mua mbetet edhe vendi i mundësive. Pavarësisht se ka probleme me meritokracinë e shumë probleme të tjera por këtu ka njerëz të mirë, që të mirën e përbashkët e vlerësojnë.
CMG: Si ka nisur eksperienca juaj me Logopedinë ?
Aurora Lushej : Unë kam nisur si vullnetare çdo punë timen dhe gradualisht kalova në nivel profesional deri në momentin që hapa qendrën time bashkë me partnerin tim. Ai është mbështetja ime më e madhe dhe mund të them që një ndër njerezit që besoi tek unë që në fillimet tona. Bashkë ëndërruam dhe bashkë po realizojmë çdo gjë.
CMG: A është Logopedia një profesion i vështirë?
Aurora Lushej: Po është i vështire sepse nëse flasim për punën që ne bëjmë çdo ditë na duhet që të japim plotësisht nga vetja jonë. Një pacienti ne i japim përveç , por edhe kohën edhe nga natyra jonë. Një logoped për një fëmije apo të rritur me vështirësi në të nxënë bën një punë të dyfishtë, duke i ndërtuar atij idealin e një figure të cilën e ndjekin në vijim. Ne na duhet një kohë shumë e gjatë që të ndërtojmë marrëdhëniet me fëmijën dhe prindin dhe më pas nuk mund të mësohen fëmijët menjëherë me një tjetër figurë. Ndaj bëjmë shumë kujdes që gjithçka të shkojë mirë në përditshmëri.
CMG: Si ka qenë dita juaj e parë e punës?
Aurora Lushej: Çdo gjë duket që në fillim dhe unë që ditën e parë të kontaktit me këtë punë pata një ndjesi të mirë. Gjithçka shkoi mirë dhe patëm një bashkëpunim të ndërsjellë me të gjithë grupin e punës. Fitorja më e madhe është të të duan fëmijët apo prindërit dhe këta të fundit për mua ndërtuan një respekt të ndërsjellë, kjo ishte ajo që më gëzoi dhe më ndërtoi karrierën time.
Gjithçka filloi dhe vazhdoi në bazë të besimit.
Aurora Lushej
CMG: Cilat janë dilemat më të mrdha të prindërve kur vijnë tek ti dhe të besojnë fëmijën?
Aurora Lushej: Prindërit kanë përherë të drejtë dhe unë përpiqem me të gjitha format ti mirëkuptoj. Ata besojnë tek unë fëmijën, gjithçka që kanë. Ndaj, me të drejtë pyesin dhe strehohen. Përpiqem t'iu tregoj në të gjitha mënyrat që unë jam aty posaçërisht për ta dhe nëse ka diçka që zgjidhet do të bëhet me kohën.
CMG: Cili është mesazhi i që do doje të ndaje për prindërit që kanë fëmijët me autizëm?
Aurora Lushej: Do doja të bëja një thirrje për të gjithë prindërit " Mos humbisni kohë me paragjykime, por luftoni për të gjetur zgjidhje! ".
Intervistoi:Megi Latifi