Demir Rusi: Librat nuk i shes, por ia dhuroj shkollave
2022-10-12 09:41:58

Bulqiza priti këto ditë artistë dhe intelektualë të ardhur nga gjithë trojet shqiptare për të marrë pjesë në promovimin e 10 botimeve të autorit Demir Rusi. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin shumë emra të njohur të artit dhe kulturës shqiptare. Një vlerë e shtuar ishte edhe artistja e madhe Margarita Xhepa, e cila vinte për herë të parë në Bulqizë.

Demir Rusi ka kryer studimet në Shkollën e Bashkuar Ushtarake dhe për disa vite ka punuar si ushtarak, gazetar dhe redaktor në gazetën e ushtrisë. Në vitin 1995 ai emigroi në Itali ku jetoi për disa vite dhe më pas u  kthye në Shqipëri duke hapur biznesin e tij. Ai ka botuar 9 libra me poezi dhe një në prozë, ku trajtohen temat sociale. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Demir Rusi tregon rreth këtij aktiviteti si dhe krijimtarisë së tij letrare.

Demir Rusi (Facebook)

Demir Rusi (Facebook)

CMG: Flasim për këtë aktivitet që ju organizuat në ekspozimin e 10 librave tuaj me prozë dhe poezi, ku midis shumë të ftuarve ishte edhe aktorja e madhe Margarita Xhepa e cila vinte për herë të parë në Bulqizë.

Demir Rusi: Ky aktivitet ishte diçka e paramenduar që të dilte mirë, dhe unë jam i lumtur sepse doli mirë, ashtu siç e kisha menduar dhe dëshiruar vetë. Unë kam qenë pak në dilemë për ta bërë këtë aktivitet, por një nga arsyet ka qenë dhe vetë Margarita, që unë e kam shumë për zemër. Nuk ka shumë që e njoh, por në kohën që e njoh një vit e pak kam qenë shumë dashamirës, dhe ajo ka qenë shumë ndaj meje. Natyrisht që Margarita është ajo që ne i kemi borxh të gjithë si komb dhe i detyrohemi përjetësisht. Margarita ka lënë vepra të mira dhe po bën vepra të mira akoma. Edhe pse është afër 90 vjeç, ajo është e papërsëritshme në historinë e artit shqiptar. Margarita i dha lezet aktivitetit, dhe ne i themi në Dibër që ishte “zemreku i konakut”, pra ishte promotori që e ngriti peshë. Ajo vinte për herë të parë në aktivitete të tilla në Bulqizë  dhe kur iku ishte e befasur duke thënë se ka qenë në shumë vende por si këtu nuk kam gjetur askund këtë respekt dhe pritje nga dibranët.

CMG: Keni botuar 10 libra me poezi dhe prozë. Si ka ardhur krijimtaria juaj në këto 10 botime?

Demir Rusi: Libri im i parë është në prozë dhe titullohet “Djali që bleu vdekjen”, ndërsa 9 librat e tjerë janë me poezi. Libri i parë është botuar në vitin 1995 në 2000 kopje  dhe është ribotuar në vitin 2017 në 500 kopje. Unë kur e pashë atë ditë në promovim që kisha vetëm 23 kopje, 10 solla ndërsa 13 i mbajta në biblotekën time personale, gjë e cila më obligon që ta ribotoj prapë brenda vitit të paktën dhe 500 kopje të tjera. Njëkohësisht edhe libri “Ura e fjalës” e kisha ribotuar në vitin 2017 në 500 kopje, por kisha shumë pak kopje. Unë librat nuk i shes, por ia dhuroj shkollave apo institucioneve, ata që kërkojnë.  Unë dua t’u jap librin atyre që e di që e duan dhe e lexojnë atë. Meqenëse vura një çmim simbolik në ditën e promovimit, e bëra për ata që t’i marrin dhe e lexojnë librin. Unë e dua vetë librin, e dua poezinë, për mua poezia vjen natyrshëm dhe është si një valë e shkarkimit të asaj që shikoj gjatë ditës, dhe më tepër shkruaj natën. Unë jam nga ata që nëse shikoj diçka, një gjë të padrejtë, një që vuan, një që lyp, një hallexhi, pra një njeri që ka tipare të veçanta nga pjesa tjetër e shoqërisë, mua më rri mendja aty deri sa ta shkarkoj dhe ta hedh në vargje.

Demir Rusi dhe gazetari Defrim Methasani gjate aktivitetit ne Bulqize (Facebook)

Demir Rusi dhe gazetari Defrim Methasani gjate aktivitetit ne Bulqize (Facebook)

CMG: Sa ka ndikuar shkollimi juaj në fushën e ushtrisë në krijimtarinë letrare?

Demir Rusi: Me prejardhje intelektuale unë kam qenë ish ushtarak, kam mbaruar Shkollën e Bashkuar Ushtarake, pastaj kam mbaruar disa trajnime pasuniversitare. Gjithashtu u futa edhe në degën e gjuhë- letërsisë, por më hoqën sepse isha me shkëputje nga puna. Kjo gjë ka qenë e natyrshme tek unë dhe nuk ka ndikuar shkolla sepse që në moshë të vogël, në shkollën 8 vjeçare hartimet e mia lexoheshin para shkollës, sidomos temat e ndjeshme. Jam dhe vetë si tip pak i dobët në kuptimin e ndjeshmërisë  dhe nëse e vutë re në ditën e aktivitetit kur filloi recitimin Margarita me vjershën për nënën “Në shtratin e nënës fjeta”, unë nuk e përmbajta dot veten. Kështu që e kam këtë ndjesi, të cilën unë e vuaj në çdo moment kur shikoj gjëra që nuk shkojnë, njerëz që vuajnë dhe kjo gjë më kap gjithmonë mua, por kur e hedh në vargje, shkarkohem pastaj nga e keqja.

CMG: Keni jetuar disa vite në emigracion dhe kur u kthyet në Shqipëri hapët biznesin tuaj familjar. Jeni i kënaqur me gjërat që keni arritur deri tani?

Demir Rusi: Patjetër që jam i kënaqur, natyrisht që biznesi nuk ka shkuar gjithmonë lart, por ka pasur raste që është kthyer edhe me kokë poshtë. Unë nuk e përjetoj keq këtë gjë sepse edhe rënia është e bekuar thonë.  Kur ngrihesh vërtetë e pësove, por do të mësosh sepse do rifillosh më fuqishëm sesa ishe. Kështu që nganjëherë duhet që të rrëzohesh  dhe kur të ngrihesh të jesh më i vendosur dhe më i drejtpërdrejtë për të arritur qëllimin që i ke vënë vetes.

Biznesin unë e kam filluar pasi u ktheva nga emigracioni në Milano sepse përpara se të futesha në biznes disa kohë kam punuar gazetar dhe redaktor te gazeta “Luftëtari i ushtrisë”. Më vonë më kaluan kryeredaktor një vit te një gazetë e sindikatës së Shqipërisë, por për rrethana të ndryshme u detyrova të emigroja sepse në shkrimet e mia unë i shikoj gjërat siç është parimi themelor i gazetarit që shih dhe shkruaj, jo thuaj e shkruaj që fatkeqësisht është bërë dhe vazhdon të bëhet akoma. Unë kam shkruar gjithmonë atë që kam parë dhe ndjerë.

Kjo pastaj më bëri të largohem për në Itali me kushte e vështira. Libri “Djali që bleu vdekjen” është pikërisht një rrëfim i sinqertë i jetës time, i mënyrës sesi vuajta këtu, sesi ika dhe u rrezikova dhe rastësisht shpëtova. Në lëvizjen që patëm me peshkarexhë dhe skaf, isha dhe unë pretendent për të humbur jetën në momentin e fundit dhe e spjegoj në libër që kaluam nga peshkarexha në skaf për të kaluar në brigjet e Brindizit. Kjo ishte një situatë e tmerrshme dhe unë e kam spjeguar shumë në librin tim, ku shumë veta më thonë që e lexojnë me dyer të mbyllura sepse nuk e përmbajnë dot veten nga emocionet.

Pastaj vazhdimësia e poezisë dhe fillimit të biznesit, natyrisht që kisha këtë merak dhe ndjenjë dhe gjeta atë që në poezi shpërtheu. Të jem i sinqertë që prodhimtarinë më shumë në poezi e kam pasur kur kam pasur halle dhe probleme më shumë. Kam pasur raste kur bëja një poezi në javë, por bëja dhe tre në ditë. Po të shohësh kronologjinë e poezive në librat e mi, ka poezi që kanë dy-tre të njëjtën datë.

Boimet e poetit Demir Rusi (Facebook)

Boimet e poetit Demir Rusi (Facebook)

CMG: Një libër me poezi ja keni kushtuar bashkëshortes tuaj Zanës. Si lindi ideja e këtij dedikim?

Demir Rusi: E para që e ka ndejrë kënaqësinë është bashkëshortja ime në prodhimin e poezive të mia, por njëkohësisht ka pasur edhe shqetësim  sepse nuk ka dashur që t’i bëja libër. Unë i kam bërë surprizë sepse ajo vetë nuk ka dashur, por në përditshmërinë e jetës tonë ka qenë dakort, por dhe nuk ka qenë dakort me shumë gjëra tek unë dhe kur shkruaja. Nëse mund të tregoj diçka për librin “Ura e fjalës”, ku është poezia “Zilja pas mesnatës”, ku një komshiu im në moshë kishte blerë një telefon të ri dhe nuk dinte ta përdorte, dhe gabimisht më dërgoi zile. Bashkëshortja ime menjëherë u shqetësua dhe të jem i sinqertë më akuzoi për gjë tjetër, duke më thënë se çfarë është kjo zile në këtë orë të vonë. Unë i  thashë se është komshiu një kat më sipër, por ajo më thoshte se nuk është e vërtetë. Mua më doli gjumi në orën dy të natës dhe shkruajta poezinë “Zilja pas mesnatës”. Kurse emrin Suzi i themi unë bashkë me vajzën me përkëdheli  dhe ndoshta ishte dhe pak i papëlqyer nga Zana.  Pasi doli libri ajo nuk kishte se çfarë të bënte, kështu që u pajtua me të dhe pranoi.

CMG: Zana i lexon gjithmonë poezitë tuaja? A është ajo një kritike e poezive që ju shkruani?

Demir Rusi: Ajo është e para që i lexon sepse unë nuk kam kujt t’ja them. Kur ajo fle, mua më del gjumi në orën dy të natës dhe kur ajo zgjohet në mëngjes është e para që do i shikojë dhe lexojë poezitë e mia. Patjetër që është një kritike dhe nganjëherë gaboj në çështjen e rimës, por edhe të përçoj mesazhe sepse poezia nuk është vetëm rimë, por duhet të japë dhe një mesazh dhe ide që t’i vlejë lexuesit për sot dhe për nesër.

CMG: Si e menaxhoni kohën me biznesin, angazhimet familjare dhe krijimtarinë letrare?

Demir Rusi: Koha më tepër për të shkruar është natën sepse ditën pothuajse dal në orën 7 ose 8 nga shtëpia dhe kthehem vonë. Ajo që kam akumuluar gjatë ditës ose për ditë të tëra, mua më rri mendja deri sa ta hedh në vargje nuk jam i qetë. Vetëm  atëhere ndjej një çlirim shpirtëror. Gati 90 për qind të poezive të mia janë të shkruara natën.

Demir Rusi bashke me aktoren Margarita Xhepa dhe Kryetarin e Bashkise Bulqize (Facebook)

Demir Rusi bashke me aktoren Margarita Xhepa dhe Kryetarin e Bashkise Bulqize (Facebook)

CMG: Jeni akoma duke shkruar dhe kur pritet botimi i 11-të?

Demir Rusi: Ndoshta pranverën e vitit të ardhshëm sepse mua më duan dhe kërkojnë shumë për karakterin e poezive të mia që janë poezi sociale. Në evenimentin e fundit ka pasur shumë komente pikante në rrjetet sociale nga disa njerëz të kulturuar që unë me të vërtetë nuk i prisja. Ndoshta libri im i radhës do të jetë me përshtypjet e të tjerëve për poezitë e mia, kurse me poezinë do të kaloj të paktën një vit ose një vit e gjysmë që të nxjerr librin tjetër me poezi.

CMG: Së fundi një mesazh për krijuesit, por dhe lexuesit?

Demir Rusi: Krijuesit të jenë pak më me këmbë në tokë sepse unë njoh shumë që shkruajnë dhe i kisha edhe në aktivitet, disa prej tyre shkruajnë për abstraksionet, pra gjëra të paditura dhe jo të lehta për t’i lexuar dhe kuptuar masa e gjerë e lexuesve. Duhet të kthehen më tepër nga rryma sociale e poezisë. Ndërsa lexuesi është ai që ka një tendencë që kishte rënë shumë leximi, të paktën këtë shoh tek librat e mi.

Tani sikur ka filluar të ngrihet dhe kjo është gjë e mirë, më tepër dhe nga brezi i ri ka kërkesa sidomos kur fshikullohet edhe ironia, por dhe sarkazma  për problemet sociale të përditshmërisë së jetës. Këto lloj poezish kërkohen sot dhe unë këtë e ndjej tek vetja, që kur kaloj disa ditë pa shkruar më ngacmojnë në telefon apo mesazhe që pse nuk kam shkruar sidomos ata të brezit tim më shumë, por dhe më të rinj. Kjo është gjë e mirë dhe urojmë që të kthehet leximi sepse libri është diçka që mbetet.

Intervistoi: Gazmend Agaj