Eksperti Muça : Shqipëria ka hapësira punësimi dhe mundësi për të rinjtë
2022-10-12 09:16:11

Papunësia shënoi rënië në tremujorin e dytë të këtij viti, por kjo ka një sërë faktorësh. Në një intervistë për mediat eksperti i karrierës dhe punësimit Erion Muça tha se ndër faktorët kryesorë janë  ndikimi në tregun e punës i punësimit sezonal, niveli i lartë i emigrimit dhe  regjistrimi në zyrat e punësimit nga qytetarët e papunë.

I ri kamarier (Foto Google)

I ri kamarier (Foto Google)

“Ndër faktorët kryesorë është ndikimi në tregun e punës i punësimit sezonal. Kuptohet që ne vijmë menjëherë direkt pas sezonit turistik ku dhe numri i të punësuarve sezonalë është rritur ndjeshëm dhe rrjedhimisht ata ndikojnë në zbehjen dhe reduktimin e papunësisë. Së dyti është niveli i lartë i emigracionit. Pothuajse çdo vit largohen mesatarsisht 30-35.000 individë të të gjitha tipologjive dhe karakteristikave, niveleve të formimit dhe kualifikimit apo profesioneve të caktuara, duke ndikuar dhe statistikat kombëtare të nivelit të punësimit në vend. Faktori i tretë lidhet me faktin që tanimë një pjesë e mirë e të papunëve po regjistrohen pranë zyrave të papunësisë, një menaxhim më efikas që zyra e punës bën mes klasifikimit të të papunëve që deri dje ishin fictive, pjesë e listave të pritjes në zyrën e punës.”-shprehet Muça.

Janë disa sektorë ku qytetarët Shqiptarë janë punësuar më së shumti dhe kanë hapur fronte pune.

“Përvec turizmit që ka qenë edhe trendi i këtij tremujori, një rritje të punësimit ka në sektorin dhe industrinë fasone, si dhe është rritur ndjeshëm numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit. Kjo për efekt të bumit dhe hovit që ka marrë industria e ndërtimit vitin e fundit duke hapur një larmishmëri frontesh pune ku shumë punëtorë janë të interesuar për të qenë pjesë e kësaj industrie. Ka një rënie të sektorit të industrisë Call Centre për sa i përket numrit të të punësuarve, si rrjedhojë e  frenimit të kontratave kryesisht nga shteti Italian, duke u mundësuar gjithnjë e më pak projekte të ndryshme për t’i lëvruar outsource nga Shqipëria.   Janë rritur shumë kompani që ofrojnë shërbime të programimit apo fushës së teknologjisë dhe informacionit, që tanimë kanë rritur jo vetëm prezencën në Shqipëri, por dhe numrin e punonjësve që kërkojnë pranë tyre, kryesisht të rinj që i trajnojnë dhe i përgatisin mbi nevojat e tyre specifike.”- thekson eksperti Muça.

 

E ndërsa një pjese e mirë e të rinjëve duan të ikin jashtë Shqipërisë për të ndertuar të ardhmen e tyre, eksperti Muça e sheh të favorshme jetesën këtu dhe mundësitë që jep Shqipëria.

“Unë jam optimist që në Shqipëri ka hapësira dhe mundësi që të rinjtë mund ta gjejnë veten. Problemi është që duhen marrë disa masa dhe hapa paraprakë nga ana e tyre për të kuptuar dhe zbuluar disi më me inteligjencë dhe kreativitet hapësirat dhe mundësitë që ofron tregu vendas i punës. Ata duhet të jenë më hulumtues ndaj mundësive që ofrohen me qëllim që të përgatisin veten me aftësi shumë specifike për t’ju përgjigjur këtyre këkesave dhe nevojave të tregut. Tanimë përgjigja ndaj tregut me profesione apo programe studimi tradicionale të përgjithshme nuk ka më vlerë sepse qasja e tregut dhe orientimi i tij ka ndryshuar drejt individëve, të rinjve që kanë aftësi të zhvilluar dhe potencial individual dhe aftësi sociale dhe individuale shumë të zhvilluara më tepër sesa njohuri profesionale mbi punën që do të bëjnë. Një pjesë e mirë e sfidave dhe krizave që ofron tregu është për të gjetur dhe afruar të rinj që janë multifunksionalë  sipas  nevojave të punës. Ata  mund të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre operacionale dhe shpejtësinë e tyre të veprimit drejt orientimit në zgjidhje të problematikave më tepër sesa të mund t’i nënshtrohen një procesi mekanik pune që ka vetëm një proces, zgjat tetë orë pa ofruar atë dinamikën që kërkon sot sipërmarrja private që një i ri mund të punojë. “- thotë eksperti.

Eksperti Erion Muça (Foto Klan TV)

Eksperti Erion Muça (Foto Klan TV)

Janë disa sektorë që mund të ofrojnë mundësi punësimi për të rinjtë dhe që kërkesat për punëtorë janë në rritje.

“Një ndër sektorët më me potencial në zhvillim në Shqipëri është sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit tanimë është trendi i kohës. Po ashtu sektori i ndërtimit në të gjitha nivelet e formimit dhe niveleve të kualifikimit që nga punëtori i thjeshtë dhe deri tek ai në nivele të larta drejtuese. Tani është futur një pozicion i ri që gjithnjë e më shumë kompanitë po e ofrojnë si konsolidimi i departamentit të burimeve njerëzore në kompani të ndryshme. Ky është një instrument shumë i rëndësishëm për të gjetur punonjësit që shumë kompani i kërkojnë, apo për të gjetur profesionistët e duhur që t’u përgjigjen dinamikave të brendshme që ka një kompani”, bën të ditur ai

Sa i takon efektit të rritjes së pagave nga qeveria në shifrat e uljes së papunësisë, ekspertët gjykojnë se është ende herët për të arritur në një efekt të tillë.

“Jemi ende herët për të parë efektin e rritjes së pagave. Sigurisht që predispozicioni i një të papuni për të punuar apo për të bërë një punë me pagë minimale nuk është në ato nivele sa ai të mund të marrë hapin për t’u punësuar. Kjo sepse ne jemi përballë një rritje të shpejtë të inflacionit, ku  çdo rritje njëshifrore e bën të pandikueshme në përballimin e vështirësive të jetesës që kanë familjet shqiptare. Pra, unë nuk e shoh shumë të lidhur me pjesën e rritjes së pagave por më tepër e shoh ndikimin e përgjithshëm të emigracionit, ndikimi i punësimit sezonal dhe heqja nga lista e të papunëve fiktivë nga ana e zyrave të punës këtë rritje të nivelit të punësimit.”

Në tremujorin e dytë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 72,8 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3,8 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,8 pikë përqindje.