Transmetimet e drejtpërdrejta, shpëtim për punëkërkuesit
2022-10-12 17:52:02

 “Livestreaming” është bërë tashmë gjithnjë e më i përhapur sidomos mes të rinjve. Ai është një demonstrim i natyrës gjithnjë në ndryshim të punësimit, pasi vetëm pak vite më parë puna e prezantimit në transmetimin e drejtëpërdrejtë nuk ekzistonte dhe është një mundësi që veçanërisht të rinjtë e kanë pritur krahëhapur. Përqindra e njerëzve dhe bizneseve që fokusohen në “livestreaming” po rritet gjithnjë e më shumë, sidomos pas pandemisë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Transmetimi i drejtpërdrejtë po shihet si një nga zgjidhjet e mundshme për mungesën e mundësive të punësimit, veçanërisht për të rinjtë e diplomuar, pasi sektori vazhdon të evoluojë dhe rritet si rezultat i tendencave të reja të krijuara nga pandemia.

Një nga shembujt më të suksesshëm ka qenë “New Oriental”, një ofrues i arsimit jashtëshkollor që u vu në qendër të vëmendjes kur qeveria qendrore prezantoi politikën e “zvogëlimit të dyfishtë” që synonte reduktimin e barrës shtesë mbi nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme vitin e kaluar.

Kompania ka filluar të rikuperojë disa nga humbjet e saj duke u kthyer drejt “livestreaming” dhe shitjes së produkteve si prodhimet bujqësore në internet. Transmetimet e drejtpërdrejta të kompanisë u bënë virale pasi një nga ish-mësuesit e saj të anglishtes, që u shndërrua në prezantues të transmetimit të drejtpërdrejtë, filloi t'u mësonte shikuesve fraza të dobishme në anglisht gjatë shitjes së produkteve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Dongfang Zhenxuan, ose “Oriental Select”, ka pasur miliona shikime dhe ka bërë miliarda në shitje. Shifrat më të fundit nga “Huitun”, një platformë e analizës së të dhënave të palëve të treta, tregojnë se në fund të gushtit, të ardhurat totale të “Oriental Select” nga shitjet gjatë tre muajve të fundit ishin 2 miliardë juanë (284 milionë dollarë), me të ardhurat ditore nga shitjet mbi 22 milionë juanë.

Në fund të gushtit, “New Oriental” nisi një fushatë rekrutimi duke ftuar ish-mësuesit dhe anëtarët e stafit të kompanisë që t'i bashkoheshin “Oriental Select” si prezantues të transmetimit të drejtpërdrejtë ose të bëheshin pjesë e stafit.

Ky është një demonstrim i natyrës gjithnjë në ndryshim të punësimit, pasi vetëm pak vite më parë puna e prezantimit në “livestreaming” nuk ekzistonte. Megjithatë, është një mundësi që njerëzit, veçanërisht të rinjtë, e kanë pritur krahëhapur.

 “Më pëlqeu të isha transmetues i drejtpërdrejtë dhe shpresoj që një ditë të kem një mundësi tjetër”,- tha Yan Zaifang, një 21-vjeçar nga provinca Yunnan.

Yan, i cili tani është agjent pronash, punoi si transmetues i drejtpërdrejtë në Pekin në vitin 2019. “Transmetuesit e drejtpërdrejtë që janë elokuentë dhe ishin në gjendje të merren me çfarëdo problemi me të cilin përballeshin gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta ishin idhujt e mi. Prisja që puna të ishte sfiduese, kështu që pse mos ta provoja?”,- deklaroi Yan.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ai tha se puna nuk ishte e lehtë në fillim, por ai fitoi një ndjenjë besimi dhe arritjeje kur shikuesit bënin porosi në internet.

“Industria është premtuese dhe po rritet duke u bërë një nga metodat kryesore të blerjes. Shumë dyqane u angazhuan më shumë në internet për shkak të pandemisë”,- tha ai.

Yan nuk është vetëm. Të rinj të tjerë, veçanërisht të diplomuarit, kanë demonstruar një preferencë për t'u bërë pjesë e “livestreaming”.

Një raport i fundit nga “MyCOS”, një institut konsulence dhe kërkimore për arsimin në Pekin, tregon se 4.2 për qind e studentëve të kolegjit të anketuar që u diplomuan në vitin 2021 patën punë fleksibël, 30 për qind e të cilëve janë angazhuar në “livestreaming” ose në media të reja.

Një raport tjetër nga platforma e rekrutimit “Zhaopin” gjithashtu tregon për bumin e industrisë. Platforma bëri të ditur se në tremujorin e tretë të vitit 2021, numri i punëkërkuesve u rrit me 46.7 për qind në bazë vjetore, ndërsa numri i të diplomuarve që shprehin interes për të punuar në fushën e “livestreaming” u rrit me gati 70 për qind në të njëjtën periudhë.

Shifrat nga “Tianyancha”, një ofrues informacioni i korporatës, tregojnë se ka 583.000 kompani me biznese të transmetimit të drejtpërdrejtë në Kinë. Midis tyre, 54.7 për qind janë krijuar vitin e kaluar.