Foto: VCG
Kina investoi një rekord historik prej 823.6 miliardë juanësh (rreth 115 miliardë dollarë) në projektet e administrimit të ujit në tre tremujorët e parë të këtij viti, me një rritje prej 64.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi Ministria e Burimeve Ujore në një konferencë shtypi të martën.
Gjatë nëntë muajve të parë ka nisur ndërtimi i 42 veprave të mëdha të administrimit të ujit, duke krijuar vende pune për 2.09 milion veta, 1.7 milion prej të cilëve janë punëtorë nga fshati, theksoi zv.ministri Liu Weiping.
Këto projekte përqendrohen në kontrollin e përmbytjeve, furnizimin me ujë, prodhimin e ushqimit dhe restaurimin e menaxhimin ekologjik, tha Zhang Xiangwei, drejtori i Departamentit të Planifikimit në Ministrinë e Burimeve Ujore.
Kina përmbushi objektivin vjetor të investimit të 800 miliardë juanëve (rreth 111.7 miliardë dollarë) në projektet e administrimit të ujit tre muaj përpara planit, u shpreh zv.ministri Liu.
Ai shtoi që në tremujorin e katërt do të vazhdojnë investimet në ndërtimin e objekteve të administrimit të ujit, për të siguruar që investimi vjetor t’i kalojë 1 trilion juanët. (Artan)