Klaus Bushi ka përfunduar studimet Master në degën e Historisë, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Aktualisht është specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit. Angazhimi i përditshëm është promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, kryesisht tek të rinjtë dhe vizitorët e huaj si dhe hartimi i politikave në këtë kuadër. Nisur nga kjo që ai përfaqëson, krijon dhe mbështet një event mbresëlënës në Galerinë e Arteve të Tiranës. Një ekspozitë plot jetë u shfaq për të gjithë artdashësit, të cilët kaluan aty kohë dhe shoqëruan pasditen e tyre me biseda të ndryshme me studentet pjesëmarrës.
Klaus Bushi ndan për Grupin Meditik të Kinës detaje rreth ekspozitës dhe emocionove të studentëve.
"Trashëgimia e Tiranës në telajon e studentëve" ishte aktiviteti i organizuar në Galerinë e Arteve në Tiranë " në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Europian I Rinisë 2022” (TiranaEYC2022) me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë. Ky aktivitet fuqizoi artistët e rinj teksa ata eksploruan mënyrat se si kultura dhe arti mund të vihen në dobi të jetës së tyre të përditshme.
CMG : Klaus, a të frymëzon Tirana?
Klaus Bushi : Tirana është qyteti që i afrohet gjithësecilit prej nesh. Në një vend si Tirana ku mundësitë për të bërë shumë gjëra janë të shumta absolutisht që ka dhe nivel frymëzimi. Në fakt kjo është kthyer në një diskutim edhe në tavolinat tona. Ne shpesh flasim mes miqve pse Tirana na frymëzon kaq shumë dhe ajo që na rezulton është se këtu të rinjtë japin shumë nga vetja e tyre.
CMG: A ka ndryshuar Tirana këtë vit që është shpallur "Kryeqyteti Europian i Rinisë"?
Klaus Bushi: Po ka ndryshuar për hir të së vërtetës sepse vetëm ideja që jemi në këtë titull na jep më tepër përgjegjësi. Projektet për të rinjtë kanë qenë tepër prezente dhe kjo na ka bërë të na duket Tirana më ndryshe seç ka qenë.
Jeta artistike është gjallëruar në vend sepse të rinjtë janë nxitur të japin më të mirën për kryeqytetin. Unë vetë i shoh me sy kritik gjërat, por realisht kanë bërë punë dhe projekte shumë të mira, të cilat na ngjisin disa shkallë më lart ne si kryeqytet.
CMG : A kemi ne një raport cilësor të të bërit të projekteve siç duhet?
Klaus Bushi : Po këtë do të doja ta prekja si temë. Në fakt unë do ta gjykoj nga niveli personal, duke ju referuar projektit më të fundit. Kjo ekspozitë neve na ka marrë kohë sepse ka qenë një punë e gjatë dhe cilësore për të cilën ramë të gjithë dakord se pavarësisht kohës që mund të na marrë duhet të nxjerrim diçka që t’i mbetet brezave. E them me bindje që aty ku ka të rinj ka dhe punë të bukura e cilësore sepse vetë idetë e ndryshme që kanë i bëjnë ata të veçantë ndoshta dhe duke plotësuar njëri-tjetrin. Nëse do lundroj vetëm pak në ujërat e ekspozitës mund t'iu tregoj që në atë eksplozitë pati ide në kontrast nga njera-tjetra. Kishte të rinj që e panë Tiranën plot jetë, të rinj që e panë sikur po e humbnin e të tjerë që i'u duk e rrëmujshme.
Të rinjtë përmes arritjeve personale shërbejnë më së miri jo vetëm për vete por për shoqërinë në tërësi, ndaj ata kontribuuan dhe në gjykimin tim në këtë ekspozitë lanë gjurmë dhe për pasardhësit që duan ta njohin Tiranën përmes pikturës dhe optikës së të rinjve.
CMG: Kur ka lindur ideja për këtë projekt?
Klaus Bushi: Ideja ka pasur fillesa të hershme dhe nuk ka nisur menjëherë. Unë kisha plot 4 vite që hulumtoja rreth qytetit. Detaje që i njihja ose jo, por doja detaje që lidhnin të rinjtë me qytetin. Mendoj që erdhi momenti. Prej kohësh unë doja që vlerat e Tiranës, qofshin ato arkeologjike, kulturore t’i shihja në pikturë.
Kur u shpall “Tirana Kryeqytet i Rinisë”, vendosa ta sjell si ide dhe besova që qytetit do t’i bënte mirë.
CMG: A ke pasur mundësinë të bashkëpunosh me njerëz të tjerë?
Klaus Bushi : Po patjetër. Asgjë në jetë nuk bëhet vetëm pa mbështetje dhe ide të përbashkëta. Ne kemi një grup njerezish që punuam. Në fillim përzgjodhëm studentët që do të ishin pjesemarrës dhe më pas bëmë guida nëpër vende të ndryshme të Tiranës për ta njohur atë më mirë. Ishte kjo guidë që ju dha mundësinë më pas studentëve të njihnin edhe veten se ku ishin apo cilën pjesëz të Tiranës do donin ta sillnin përmes pikturës.
CMG :A do ketë projekte të tjera të ngjashme?
Klaus Bushi: Po po. Ky projekt ndoshta do vijojë sepse ne kemi ndërtuar një grup shumë të mire, të cilët nuk duan që këto ekspozita të cilat të njohin me qytetin të mbeten vetëm në Tiranë. E rëndësishme është të njohin edhe qytetet e tjera përmes pikturës dhe kështu kemi rënë dakord për ta vijuar këtë ide.
CMG : Çfarë ka më tepër rëndësi në punën tuaj të përditshme?
Klaus Bushi : Për mua është shumë e rëndësishme që të mbështeten të rinjtë. Janë po këta të rinj që e duan vendin e tyre dhe duan të punojnë për të.
Ky ishte një projekt i vogël që ne realizuam, por kuptuam që e duan shumë jetën.
Të gjithë të rinjtë mund të bëjnë punë shumë të mira, të cilat janë dhe hapa në karrierë. Kjo vlen për ne më tepër. Është parim që puna e sotme duhet të strukturohet mirë sa t’i mbetet brezit që vjen pas nesh.
CMG : Cilat janë mesazhet që erdhën përmes ekspozitës?
Klaus Bushi : Së pari, u ngjall edhe njëhere dëshira për t’u marrë me diçka të bukur. Së dyti, Tirana erdhi e gjallë. Ne dhamë mesazhin që piktura është diçka e gjallë, si rrugët e një qyteti. Së treti, të rinjtë e treguan dhe njëherë tjeter se çfarë janë në gjendje të bëjnë, apo ku qëndron fuqia e tyre.