Kina nxit zhvillimin e bashkërenduar me cilësi të lartë të sektorit të prodhimit
2022-10-11 16:52:43

Ndërtim në xiongan-VCG

Ndërtim në xiongan-VCG

Me synim që të zbatohet strategjia kombëtare dhe strategjia për zhvillimin e bashkërenduar rajonal, krahinat e ndryshme të Kinës po përpiqen të formojnë modelin e ri të zhvillimit dhe po nxitin përmirësimin dhe rregullimin e strukturës së forcave prodhuese kryesore në sektorin e industrisë së prodhimit. Nga rajoni Pekin-Tianjin-Hebei deri në Deltën e Lumit Jance dhe në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao, industria e prodhimit në shumë zona kryesore të Kinës ka treguar gjallëri për zhvillim të bashkërenduar, çka po i sjell energji të reja zhvillimit me cilësi të lartë të Kinës.

 

Zhvillim më i bashkërenduar rajonal

 

Sipas të dhënave nga Ministria e Industrisë  dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës, në 11 krahinat përgjatë lumit Jance janë ndërtuar 1134 fabrika të gjelbra dhe në nëntë krahinat përgjatë Lumit të Verdhë, efektiviteti i përdorimit të burimeve ujore është mbi nivelin mesatar të vendit. Sektori i industrisë së prodhimit ka pasur efekte pozitive në zhvillimin rajonal me cilësi të lartë.

 

Krahas zhvillimit me cilësi të lartë, rajonet e ndryshme po tregojnë zhvillim më të bashkërenduar. Industria e prodhimit në rajonin lindor po luan rol më të fuqishëm drejtues në zhvillimin me cilësi të lartë, ndërsa në rajonin qendror ka funksion më të dukshëm si bazë industriale. Në rajonin perëndimor kjo industri ka ruajtur rritjen e shpejtë dhe në Verilindje ka pasur përparime të reja në përmirësimin dhe ngritjen e nivelit industrial.

 

Drejtori i Departamentit të Planifikimit pranë Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit të Kinës, Wang Wei, u shpreh në një konferencë shtypi se, qysh nga Kongresi i 18-të i Partisë Komuniste të Kinës, kjo ministri ka zbatuar seriozisht strategjitë e rëndësishme rajonale të vendit dhe strategjinë kombëtare për zhvillim të bashkërenduar, ka zbatuar ligjet e zhvillimit industrial, ka ngulur këmbë në parimet e tregut dhe ka nxitur zhvillimin e bashkërenduar rajonal të industrisë së prodhimit.

 

Në këtë periudhë, është hartuar projekti i zbatimit të strategjive përkatëse, duke përpiluar programet dhe dokumentet për zhvillim të bashkërenduar rajonal, si rregullimi dhe zhvendosja e sektorit industrial në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei, zhvillimi i koordinuar i industrisë së prodhimit në Deltën e Lumit Jance dhe krijimi i shtyllave të rritjes së industrisë së prodhimit me nivel të lartë në Shangai.

 

Krahas kësaj, kjo ministri ka thelluar bashkëpunimin me provincat, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 18 provinca (rajone autonome ose qytete të administruara drejtpërdrejt nga qeveria qendrore) dhe duke krijuar zinxhirin industrial që bazohet në karakteristikat vendore. Për zonat me zhvillim të prapambetur, Ministria e Industrisë  dhe e Teknologjisë së Informacionit ka hartuar programe për zhvillimin e sektorëve të veçantë industrialë, me synim që të kultivohet ekonomia rurale dhe industritë rurale. Kjo ka nxitur fuqimisht prodhimin e produkteve me veçanti rurale.

 

Parku industrial sanyuan në Hebei-VCG

Parku industrial sanyuan në Hebei-VCG

Efekte të dukshme në rajonet kryesore

 

Në dekadën e kaluar, zhvillimi me cilësi të lartë i industrisë së prodhimit në rajonet kryesore të Kinës ka pasur efekte të dukshme.

 

Rajoni Pekin-Tianjin-Hebei ka pasur përparim të rëndësishëm në ndryshimin e modelit industrial dhe zhvendosjen e industrive. Deri në fund të vitit të kaluar, Pekini ka transferuar afro 3 mijë ndërmarrje të zakonshme industriale dhe provinca Hebei ka tërhequr 11 mijë ndërmarrje industriale nga Pekini dhe Tianjin-i. Krahas kësaj, është promovuar fuqishëm ndërtimi i Zonës së Re Xiong’an dhe këtë vit janë zbatuar mbi 100 projekte të mëdha. Parashikohet që në tërë vitin 2022, vlera e përgjithshme e investimeve do t’i kalojë 200 miliardë juanët.

 

P. sh., uzina e automjeteve “Hyundai” në Cangzhou të Hebei-t, me një investim të përgjithshëm prej 7.4 miliardë juanësh, baza e prodhimit të automjeteve “Jingche” e Hebei-t dhe parku industrial “Sanyuan” në Xinle me vlerë të përgjithshme investimi  prej 1.8 miliardë juanësh, janë të gjitha të zhvendosura nga Pekini në Hebei, duke u vënë në funksionim dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik e shoqëror të zonave përkatëse.

 

Ndërkohë, sektori industrial në Deltën e Lumit Jance vazhdon të luajë rol drejtues në mbarë vendin. Ky rajon ka kontribuuar për një të katërtën e vlerës së shtuar industriale në rang kombëtar dhe përmasat e prodhimit të qarqeve të integruara aty zënë 60 % të mbarë vendit. Gjithashtu, vëllimi i sektorëve të biofarmaceutikës dhe inteligjencës artificiale përbën një të tretën e këtyre sektorëve në shkallë kombëtare, ndërsa prodhimi i automjeteve me energji të reja zë 38 % të mbarë vendit.

 

Edhe në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao, sektori industrial ka pasur zhvillim të shpejtë. Drejtori i Departamentit të Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të provincës Guangdong, Wu Dongwen, thotë: “Vëllimi i përgjithshëm ekonomik në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao vitin e kaluar shënoi vlerën 12.6 trilionë juanë, 2.4 trilionë më shumë se në vitin 2017. Tani, në këtë rajon të Kinës Jugore, është formuar sistemi i plotë dhe me përmasa të mëdha i prodhimit dhe i shërbimit.” (Jiang Lei)